Papa zhvendos një pjesë të Arkivit dhe të Bibliotekës së Vatikanit në Seminarin e Madh Romak
R.SH. – Vatikan
Për ta "bërë të përdorshme" trashëgiminë e çmuar të Arkivit dhe të Bibliotekës së Vatikanit, Papa Françesku vendosi që një pjesë e dokumenteve të ruajtura në këto dy institucione shekullore të delokalizohen, domethënë të zhvendosen në disa hapësira të Seminarit të Madh Papnor Romak. Vendimi i Papës komunikohet me një kirograf të nënshkruar më 29 tetor, por të publikuar sot, 12 nëntor.
Më shumë hapësira
Në dokument shkruhet: “Kujdesi shekullor për ruajtjen e akteve dhe të dokumenteve, që kanë të bëjnë me mbarështimin e Kishës universale, së bashku me impenjimin për zhvillimin dhe përhapjen e kulturës, janë tipare karakteristike të veprimtarisë së Arkivit dhe të Bibliotekës së Vatikanit”. Duke vazhduar punën e filluar nga Papët e mëparshëm, "që nga Scrinium i Kishës së Romës", të dyja Institucionet "janë të thirrura sot për ta bërë të përdorshme këtë trashëgimi të çmuar", pohon Françesku. Prandaj, "duke ndjekur synimin për të kontribuar në administrimin më të frytshëm të veprimtarive dhe në ruajtjen e pasurisë, pasi mori informacionin e duhur dhe mendime kompetente", Papa vendosi që "hapësirat në dispozicion të Arkivit Apostolik dhe të Bibliotekës Apostolike të zgjerohen, duke përdorur një pjesë të ndërtesës dhe të godinave pranë saj, që në zonën ekstraterritoriale të Shën Gjonit në Lateran, janë seli e Seminarit të Madh Papnor Romak".
Bashkëpunimi
Për këtë, Arkivi dhe Biblioteka “do të bashkëpunojnë për realizimin e punimeve, sipas kompetencave përkatëse, duke respektuar dispozitat në fuqi, procedurat dhe udhëzimet e nevojshme për ekzekutimin e rregullt të kësaj vepre të domosdoshme, që Selia e Pjetrit e vë në shërbim të Kishës dhe botës së kulturës”, lexohet në kirograf.
Krijimi i një komisioni
Në dokument, Papa Françesku parashikon krijimin e “një komisioni, të përbërë nga përfaqësues të Sekretarisë së Shtetit, Arkivit Apostolik të Vatikanit dhe Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, për të përcaktuar kategoritë e dokumenteve, që do të zhvendosen në mjediset e reja”. Komisioni “do të fillojë punën menjëherë, paralelisht me punimet për realizimin e projektit”.