Kërko

La copertina del libro di Papa Francesco "La speranza non delude mai" La copertina del libro di Papa Francesco "La speranza non delude mai"

Papa: të hetohet nëse vijon gjenocidi në Gaza. E të shqetësohemi për dinjitetin njerëzor

Gazeta La Stampa boton sot disa pjesë nga libri i Papës Françesku përgatitur për Jubileun e vitit 2025. Vëllimi “Shpresa nuk zhgënjen kurrë. Shtegtarët drejt një bote më të mirë”, redaktuar nga Hernán Reyes Alcaide (Edizioni Piemme), do të dalë nesër, të martën, në Itali, Spanjë dhe Amerikën Latine. Më pas, edhe në vende të tjera. Papa reflekton për familjen, arsimin, situatën sociopolitike dhe ekonomike të planetit, migrimin, krizën klimatike, teknologjitë e reja dhe paqen

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku

Ripohoj këtu se “është absolutisht e nevojshme të përballohen shkaqet që shkaktojnë migrimin në vendet e origjinës” (Mesazhi për Ditën Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve 2017). Është e nevojshme që programet e zbatuara për këtë qëllim të garantojnë që, në zonat e prekura nga paqëndrueshmëritë dhe padrejtësitë më të rënda, t'i jepet hapësirë ​​zhvillimit autentik që nxit të mirën e të gjitha popullatave, veçanërisht të djemve dhe vajzave, shpresë për njerëzimin. Nëse duam të zgjidhim një problem që na prek të gjithëve, duhet ta bëjmë këtë përmes integrimit të vendeve të origjinës, tranzitit, destinacionit dhe kthimit të migrantëve. Përballë kësaj sfide, asnjë vend nuk mund të lihet vetëm dhe askush nuk mund të mendojë ta trajtojë këtë çështje i izoluar përmes ligjeve më kufizuese dhe represive, ndonjëherë të miratuara nën presionin e frikës ose në kërkim të avantazheve elektorale. Përkundrazi, ashtu siç shohim se ka globalizim indiference, duhet t’i përgjigjemi me globalizim bamirësie dhe bashkëpunimi, që kushtet e emigrantëve të humanizohen.

Të mendojmë për shembujt e fundit që kemi parë në Evropë. Plaga ende e hapur e luftës në Ukrainë i bëri mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, veçanërisht gjatë muajve të parë të konfliktit. Por kemi qenë dëshmitarë edhe të pritjes së pakufizuar të shumë vendeve kufitare, si në rastin e Polonisë. Diçka e ngjashme ka ndodhur në Lindjen e Mesme, ku dyert e hapura të kombeve si Jordania apo Libani vazhdojnë të jenë shpëtim për miliona njerëz, që ikin nga konfliktet në zonë. Mendoj, mbi të gjitha, për të larguarit nga Gaza në mes të zisë së bukës, që ka goditur vëllezërit tanë palestinezë përballë vështirësive për të marrë ushqim dhe ndihmë në trojet e tyre. Sipas disa ekspertëve, ajo që po ndodh në Gaza ka karakteristikat e gjenocidit. Duhet të hetohet me kujdes për të përcaktuar nëse i përshtatet përkufizimit teknik, formuluar nga juristët dhe organet ndërkombëtare.

Duhet të përfshijmë vendet e origjinës së flukseve më të mëdha migratore në një cikël të ri të virtuoz të rritjes ekonomike dhe paqes, që përfshin të gjithë planetin. Që migrimi të jetë vendim vërtet i lirë, është e nevojshme të bëjmë çmos për t'u garantuar të gjithëve pjesëmarrjen e barabartë në të mirën e përbashkët, respektimin e të drejtave themelore dhe zhvillimin integral njerëzor. Vetëm nëse kjo platformë bazë garantohet në të gjitha kombet e botës, do të mund të themi se ata që migrojnë e bëjnë këtë lirisht dhe do të jemi në gjendje të mendojmë për një zgjidhje vërtet globale të problemit.

Mendoj mbi të gjitha për të rinjtë, të cilët duke emigruar, shpesh shkaktojnë dëm të dyfishtë në bashkësitë e tyre të origjinës: një, për shkak se humbasin elementët më të begatë dhe më proaktivë - e një tjetër, sepse familjet shpërbëhen.

Që të arrihet ky skenar, megjithatë, duhet të bëjmë hapin themelor paraprak për t'i dhënë fund kushteve të pabarabarta tregtare ndërmjet vendeve të ndryshme në mbarë botën. Në lidhjet mes shumicës prej tyre, është krijuar një mashtrim i caktuar, që tregon pamjen e një shkëmbimi të hamendësuar tregtar, por në realitet është thjesht transaksion ndërmjet filialeve që plaçkitin territoret e vendeve të varfra dhe dërgojnë produktet dhe të ardhurat e tyre në kompanitë mëmë, në vendet e zhvilluara. Për shembull, më vijnë ndërmend sektorët që lidhen me shfrytëzimin e burimeve natyrore nëntokësore. Ato janë venat e hapura të atyre territoreve (Eduardo Galeano, "Venat e hapura të Amerikës Latine", Sur, 2021).

Kur dëgjojmë këtë apo atë lider të ankohet për flukset migratore nga Afrika në Evropë, sa prej të njëjtëve liderë vënë në dyshim neokolonializmin që ekziston ende sot në shumë kombe afrikane?

Më kujtohet sesi gjatë shtegtimit tim në Republikën Demokratike të Kongos, në vitin 2023, u ndesha me problemin e plaçkitjes së sotme të disa kombeve. Me moton që del nga pavetëdija e shumë kulturave dhe shumë njerëzve: “Afrika duhet të shfrytëzohet”, kjo është e tmerrshme! Pas kolonializmit politik,  ia behu një "ekonomik" po aq skllavërues. Kështu ky vend, kryesisht i plaçkitur, nuk është në gjendje të përfitojë mjaftueshëm nga burimet e tij të pafundme: kemi arritur paradoksin që frytet e tokës t’i bëjnë "të huaj" banorët e saj. Helmi i lakmisë i ka bërë diamantet e tij gjak” (takim me autoritetet në Kinshasa, 31 janar 2023). Tashmë e dimë se "teoria e përhapjes së favorshme" (fjalim në Mbledhjen II Botërore të Lëvizjeve Popullore, 9 korrik 2015) nuk funksionon as brenda ekonomisë së një vendi të vetëm dhe as në koncertin e kombeve. Ne duhet të mbështesim vendet periferike, në shumë raste ato të origjinës së migrimeve, për të neutralizuar praktikat neo-kolonizuese që synojnë të përjetësojnë asimetritë. Pasi bota është në gjendje të kryejë marrëveshje për të nxitur zhvillimin lokal të atyre që përndryshe do të përfundonin në migrim, është e rëndësishme që liderët e atyre vendeve, të thirrura për të ushtruar politikë të mirë, të veprojnë në mënyrë transparente, të ndershme, largpamëse dhe në shërbim të të gjithëve, veçanërisht të më të cenuarve. Pasi të mirëpriten dhe më pas edhe të mbrohen, migrantët duhet të vihen në lëvizje. Duke kërkuar që t'u hapen dyert, bëj thirrje të inkurajojmë zhvillimin e tyre integral, t'u japim mundësinë të realizojnë veten si njerëz në të gjitha përmasat, që përbëjnë njerëzimin e dëshiruar nga Krijuesi. Mendoj, në veçanti, përparimin e rëndësishëm që duhet të bëhet për të inkurajuar përfshirjen në punë sociale të migrantëve dhe refugjatëve, për mundësitë e punësimit që duhet t'u garantohen gjithashtu aplikuesve për lloje të ndryshme azili dhe, në të njëjtën kohë, për një ofertë të vazhdueshme të kurseve të përgatitjes gjuhësore dhe qytetarisë aktive, si dhe informacionit të saktë në gjuhën e tyre. Në Itali kemi shembullin e një prifti të ri, Don Mattia Ferrari, i cili jo vetëm angazhohet në aksionet e shpëtimit në det, por me grupin e tij siguron edhe një integrim të qëndrueshëm dhe të durueshëm në vendin e destinacionit.

Nga ana tjetër, migracioni i organizuar mirë mund të ndihmojë në përballimin e krizës serioze, shkaktuar nga mungesa e lindjeve në shumë vende, veçanërisht ato evropiane. Është problem shumë serioz dhe njerëzit nga vendet e tjera mund të ndihmojnë në zgjidhjen e tij nëse janë plotësisht të integruar dhe nuk konsiderohen si qytetarë të "klasit të dytë". Integrimi i migrantit që vjen, ka vlerë themelore. Ne rrezikojmë që ajo, të cilën disa e shohin si shpëtim në të tashmen, të bëhet një dënim në të ardhmen. Brezat e ardhshëm do të na falënderojnë nëse kemi mundur të krijojmë kushtet për integrim themelor dhe në vend të kësaj, do të na fajësojnë nëse kemi favorizuar vetëm asimilimet sterile. E kam fjalën për një integrim i cili për nga karakteristikat është i krahasueshëm me poliedrin, ku secili ruan karakteristikat e tij; model krejtësisht i ndryshëm nga asimilimi, i cili nuk i ka parasysh dallimet dhe i qëndron fort paradigmave të veta.

Fytyra shpresëdhënëse e një gjyshi me nipin e tij

Të rinjtë që sot janë aktivë në mbarë botën, duke na treguar rrugën, nesër do të ulen për t'ia përcjellë brezit të ardhshëm dashurinë për Tokën. Ne, që sot kemi më shumë thinja, dështuam në  shfrytëzimin e krijimit dhe, për këtë arsye, vlerësojmë frymën e iniciativës së brezave të rinj, të cilët nuk duan të përsërisin gabimet tona dhe përpiqen ta lënë shtëpinë tonë të përbashkët më të mirë se e morën. Kam ndjekur nga afër mobilizimet masive të studentëve në qytete të ndryshme dhe njoh disa nga veprimet me të cilat ata po luftojnë për një botë më të drejtë dhe më të vëmendshme për mbrojtjen e mjedisit. Ata veprojnë me shqetësim, entuziazëm dhe mbi të gjitha, me ndjenjë përgjegjësie ndaj ndryshimit urgjent të drejtimit që na imponohet nga problemet e dala prej krizës aktuale etike dhe socio-mjedisore. Koha po mbaron, nuk ka mbetur shumë për të shpëtuar planetin, dhe ata shkojnë, dalin dhe pohojnë sa u vlen lëkura. E nuk e bëjnë këtë vetëm për veten e tyre, por e bëjnë për ne dhe për ata që do të vijnë më pas. Ka disa shembuj, që tregojnë se si ky dialog ndërmjet brezave mund të jetë aleancë për kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët. Po mendoj për disa projekte, të cilat kanë të bëjnë me transmetimin e pasurisë së njohurive dhe vlerave të prodhimit ushqimor vendas, që zotëronin gjyshërit tanë, duke synuar t'i zbatojnë me ndihmën e mjeteve që kemi sot në dispozicion për progresin në mbrojtjen dhe nxitjen e biodiversitetit ushqimor. Gjallërohen nga dëshira për t'u kthyer në tokë dhe për ta kultivuar atë, pa e shfrytëzuar, me teknika dhe metoda krejtësisht ekologjike. Në një botë gjithnjë e më të furishme dhe "të disponueshme", këto nisma i ndihmojnë njerëzit të mos humbasin lidhjen e tyre me ushqimin dhe traditat lokale, të lidhura me të. Ata janë kundër modës, por jo domosdoshmërisht regresive; përkundrazi, synojnë të rivendosin marrëdhënien midis të ushqyerit dhe lidhjeve sociale. Në Itali, Carlo Petrini dhe lëvizja e tij që kërkon ushqim të ngadaltë, ka bërë përparime të mëdha në këtë drejtim. Përveç përfitimeve që bota mund të nxjerrë nga kjo aleancë e re për sa i përket kujdesit për planetin, padyshim një takim më i zellshëm mes të rinjve dhe të moshuarve do të zvogëlojë mundësinë e përsëritjes së luftës dhe tragjedive humanitare që shënuan shekullin e kaluar. Ata që nuk e dinë historinë e tyre, janë të dënuar t’i përsërisin. Askush më i mirë se pleqtë tanë nuk mund të na japë dëshmi të gjallë për disa ngjarje, që ne nuk duam të ndodhin kurrë më në planetin tonë. Ajo Evropë, që për gati tre vjet ka qenë epiqendra e kësaj Lufte III Botërore copa-copa që po jetojmë, është kontinenti që në shekullin e kaluar kaloi tridhjetë vjet i zhytur në luftëra vëllavrasëse dhe më pas jetoi ndarje të dhimbshme të popujve vëllezër, kur ra Muri i Berlinit. Nuk mund të jetë rastësi që këto erëra të reja lufte po fryjnë në Botën e Vjetër, kur radhët e dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të barbarisë së totalitarizmit po rrallohen gjithnjë e më shumë ose, edhe më keq akoma, kur ato janë të lënë mbas dore, si pjesë muzeale, e paaftë për të siguruar vlerën e tyre të çmuar, dëshmitë - të cilat shumë madje i mbajnë nën lëkurën e tyre - në disa nga debatet që sot shënojnë axhendën politike, pikërisht siç bënë pak më shumë se njëqind vjet më parë.

Shpresa ka gjithmonë një fytyrë njerëzore.

 Ky do të jetë Jubileu i parë që do të dallohet nga ardhja e teknologjive të reja dhe që do të ndodhet në mes të një emergjence klimatike, si ajo që po përjetojmë. Çdo ditë shohim se si shtëpia e përbashkët na kërkon t'i themi mjaft stilit tonë të jetesës që e detyron planetin të japë përtej kufijve të tij dhe shkakton erozionin e tokës, zhdukjen e fushave, zgjerimin e shkretëtirave, acidifikimin e deteve dhe intensifikimin e stuhive e të tjera. dukuri intensive klimatike. Është klithma e Tokës, që na sfidon. Në Shkrime, gjatë Jubileut, populli i Zotit u ftua të pushonte nga puna e tij e zakonshme, për të lejuar Tokën të përtërihej dhe botën, të riorganizohej, falë rënies së konsumit të zakonshëm. E të kujtojmë edhe fjalët e Zotit drejtuar Moisiut në malin Sinai:

“Do të jetë jubile për ju; secili prej jush do të kthehet në pronën dhe familjen e vet. Viti i pesëdhjetë do të jetë një jubile për ju; nuk do të mbjellësh, as nuk do të korrësh atë që prodhojnë arat vetvetiu, as nuk do të krasitësh vreshtat e pakrasitura. Sepse është jubile; do të jetë i shenjtë për ju; por do të mund të hani prodhimet e arave” (Levitiku 25, 10-12). Jemi thirrur të adoptojmë stile jetese të drejta dhe të qëndrueshme, që i japin Tokës pushimin që meriton, si dhe mjete të mjaftueshme jetese për të gjithë ata, që nuk shkatërrojnë ekosistemet të cilat na mbështesin. Edhe përpara pandemisë ne besuam se ishte e nevojshme "të reflektonim mbi stilin tonë të jetesës dhe mbi zgjedhjet tona të përditshme në lidhje me ushqimin, konsumin, udhëtimin, përdorimin e ujit, energjisë dhe shumë të mirave materiale, që shpesh mbeten të paprekura dhe të dëmshme". (Mesazhi për Ditën Botërore të Lutjes për Kujdesin e Krijimit, 1 shtator 2019). Tani le të shtojmë nevojën për një reflektim që përfshin edhe të ardhmen e teknologjive të reja e edhe vendimet që do të marrim ne, si njerëzim, në mënyrë që ato të mos jenë të papajtueshme me një botë vëllazërie dhe shprese. Jemi thirrur të dalim nga zona jonë e rehatisë dhe të propozojmë zgjidhje dhe alternativa krijuese, në mënyrë që planeti të mbetet i banueshëm dhe jeta jonë në Tokë të mos jetë në rrezik. Problemet e reja kërkojnë zgjidhje të reja. Ne duhet të meditojmë mbi dilemat etike të paraqitura nga përdorimi i kudondodhur i teknologjisë, duke iu drejtuar njohurive të integruara për të parandaluar që paradigma teknokratike të vazhdojë të mbretërojë. Dinjiteti i çdo burri dhe çdo gruaje është shqetësimi ynë kryesor, kur ndërtojmë një të ardhme nga e cila askush nuk  përjashtohet. Nuk është më vetëm çështje për të garantuar vazhdimësinë e specieve njerëzore në një planet gjithnjë e më të kërcënuar, por për të garantuar që ajo jetë të respektohet në çdo kohë. Dhe nëse nuk ishim në gjendje të reagonim në kohë kur u ballafaquam me çështjen mjedisore, ne mund ta bëjmë këtë kur përballemi me atë që perceptohet si një nga shndërrimet më të thella në historinë e fundit të njerëzimit, depërtimin e AI (Inteligjencës artificiale) në të gjitha fushat e jetës sonë, në gjithë jetën e përditshme.

Shtegtarë të shpresës!

Prandaj thirrja për të qenë shtegtarë të shpresës. Më pëlqen figura e shtegtarit! Është “ai që decentralizon veten dhe kështu mund të kapërcejë çdo vështirësi”. Del nga vetvetja, hyn në një horizont të ri dhe, kur të kthehet në shtëpi, nuk është më ai që ishte, madje as shtëpia e tij nuk do të jetë më e njëjta” (“Le të kthehemi në ëndërrim”, Piemme, 2020). Për më tepër, as rrugëtimi i shtegtarit nuk është më ngjarje individuale, por komunitare: shënon gjurmën e një dinamizmi në rritje, që priret gjithnjë e më shumë drejt kryqit, i cili na ofron gjithmonë sigurinë e pranisë dhe sigurinë e shpresës. Përcaktimi "është tipik për ata që shkojnë në kërkim të kuptimit të jetës" (Jubilee Bull 2025).

Mbani mend atë, që jua thashë në fillim: shpresa është spiranca dhe veli jonë. Le të na marrë ajo e të na çojë në një shtegtim drejt ndërtimit të asaj bote më vëllazërore, që e ëndërrojmë, në të cilën dinjiteti i qenies njerëzore mbizotëron mbi çdo ndarje dhe është në harmoni me Tokën Nënë.

Botuar për Piemme nga Mondadori Libri S.p.A. © 2024 Mondadori Libri S.p.A., Milano (176 faqe, 17,90 euro)

19 nëntor 2024, 09:40