Papa pret kryeministrin e Armenisë

Nikol Pashinyan në audiencë sot te Papa në Vatikan, i dhuroi Atit të Shenjtë "Librin e Vajtimeve" të Shën Gregorit Narek, Françesku ia ktheu me një skulpturë të titulluar "Përdëllim e dashuri", me portretin e Shën Françeskut të Asizit, simbol i paqes dhe respektit për njerëzimin dhe natyrën, pranë një imazhi të botës së kërcënuar nga ndotja

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku priti, sot paradite, në audiencë, në Vatikan, kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, i shoqëruar nga një delegacion. Biseda e përzemërt, në sallën e Bibliotekës, zgjati gjysmë ore.

Në fund të bisedës vijoi shkëmbimi tradicional i dhuratave. Kryeministri armen Pashinyan i dhuroi Papës "Librin e Vajtimeve" të Shën Gregorit Narek, murg i krishterë, teolog dhe mistik i nderuar si shenjtor nga Kisha Apostolike Armene dhe Kisha Katolike. Vëllimi ka një kapak prej ari të punuar me dorë, vepër e argjendarëve armenë.

Françesku iu përgjigj me vëllime dokumentesh papnore dhe Mesazhin për Paqe të vitit 2024, së bashku me një vepër prej terrakote të titulluar "Përdëllim e Dashuri". Është një skulpturë që portretizon figurën e Shën Françeskut të Asizit në njërën anë, simbol i paqes dhe respektit për njerëzimin dhe natyrën, dhe nga ana tjetër imazhin e një bote të kërcënuar nga ndotja.

Vepra e artit shpreh mesazhin e dashurisë dhe mbrojtjes së krijimit, frymëzuar nga fjalët e vetë Papës në predikimin e tij të datës 19 mars 2013 gjatës Meshës në fillim të papnisë së tij: "Duke ruajtur krijimin, çdo burrë dhe çdo grua, me butësi dhe dashuri, hap horizontin e shpresës, hap një vështrim drite në mes të shumë reve, sjell përzemërsi e shpresë!”

18 nëntor 2024, 13:48