Kërko

Psicólogo de emergência auxilia moradora que chora ao lado de sua casa danificada por ataque de míssil russo em Odessa, Ucrânia, em 17 de novembro de 2024.  Psicólogo de emergência auxilia moradora que chora ao lado de sua casa danificada por ataque de míssil russo em Odessa, Ucrânia, em 17 de novembro de 2024.

Ukrainë, Papa: t'i jepet fund dhunës, duhet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme

Në një postim në platformën sociale X, botuar sot, 19 nëntor 2024, në faqen @Pontifex, për një mijë ditët e konfliktit në Ukrainë, Papa Françesku kërkon të lutemi për popullsinë ukrainase e pohon, edhe një herë, se "lufta është gjithmonë një humbje"

R.SH. – Vatikan

Një mijë ditë luftë në Ukrainë, gati 200 apele që Papa ka bërë për një tokë, siç tha në disa raste, të "stërmunduar". Një shqetësim i vazhdueshëm që bota të mos e kthejë shikimin nga mundimi të cilit i nënshtrohet populli ukrainas që nga 24 shkurti 2022. Këtyre thirrjeve, të ripohuara në çdo lutje të Engjëllit të Zotit apo në audienca të përgjithshme, Papa Françesku i shton një tjetër thirrje nga platforma X në faqen @Pontifex në nëntë gjuhë sot, më 19 nëntor, kur shpërthimi i konfliktit arrin gati tre vjet pas pushtimit të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim.

Dashuria për popullatën e Ukrainës

Një mijë ditë që nga ora 5 e mëngjesit të dy viteve më parë kur shpërtheu konflikti dramatik nga agresioni rus ndaj Ukrainës, Ati i Shenjtë Françesku ripohon “dashurinë e tij më të thellë” për popullatën e Ukrainës. Dhe kjo do të thotë "krijimin e kushteve për një zgjidhje diplomatike në kërkimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme", sepse “lufta është gjithmonë humbje. Prandaj, kërkoj edhe një herë t'i jepet fund çmendurisë së dhunës dhe të punohet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Të lutemi për popullsinë ukrainase", tha Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit shqiptuar më 25 shkurt 2024.

Lutja për paqe

Përballë perspektivave katastrofike, Ati i Shenjtë, nëpërmjet platformës sociale X, i thërret edhe besimtarët e të gjitha hapësirave gjeografike, në një angazhim të ri shpirtëror. Lutje. Sikur ka deklaruar gjithmonë publikisht, Papa siguron lutjen personale për paqe çdo ditë në heshtjen e dhomës së tij, ku i ruan kryqet, imazhet dhe simbolet e tjera që përfaqësojnë këto territore të plagosura nga lufta.

Negociata e kompromise të ndershme

Papa ripohon pastaj edhe angazhimin e tij për një paqe "të drejtë dhe të qëndrueshme", e cila, siç ka thënë në shumë fjalime - madje edhe gjatë udhëtimeve të tij apostolike - nënkupton guximin e negociatave si dhe "qëndrueshmëri e durim në negociata të ndershme", me një objektiv të vetëm: t'i jepet fund "çmendurisë" së luftës dhe të ndërtohet një paqe për të gjithë". "Paqja e arritur me bisedime është më mirë se lufta pa fund", tha Papa Françesku në një intervistë dhënë radiotelevizionit amerikan CBS, më 24 prill 2024, në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.

19 nëntor 2024, 15:22