Të dielën më 17 nëntor Papa kryeson Meshën për Ditën Botërore të të Varfërve
R.SH. -Vatikan
Të dielën e 17 nëntorit, në orën 10:00, Papa Françesku do të kryesojë kremtimin Eukaristik në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, me rastin e Ditës Botërore të të Varfërve 2024. Kështu njofton zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë.
Tema për Ditën VIII Botërore të të Varfërve, e cila do të kremtohet më 17 nëntor 2024 u zgjodh nga Papa Françesku nga libri i Siracidit, me autorin e lashtë Ben Sira. Në mesazhin e kësaj dite, Ati i Shenjtë Françesku denoncon arrogancën që shkakton lufta, duke pohuar: “Sa të varfër të rinj prodhon kjo politikë e keqe, e bazuar në armë, sa viktima të pafajshme!" Në fund të fundit, shton ai, “jemi të varfër për paqe dhe shtrijmë duart për ta pritur si dhuratë të çmuar e, njëkohësisht, impenjohemi ta arrijmë në jetën e përditshme”.
Dita Botërore e të Varfërve kremtohet çdo vit
Lindur pas Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore më 2026, Dita Botërore e të Varfërve kremtohet çdo vit të Dielën e 33-të të vitit liturgjik, që sivjet bie më 17 nëntor. Papa Françesku do të kryesojë Meshën dhe, më pas, do të hajë me disa të varfër në Sallën Pali VI, në Vatikan, një drekë të organizuar nga Dikasteri vatikanas për Bamirësinë, ndërsa Dikasteri për Ungjillëzimin do të jetë protagonist i nismave të ndryshme për nevojtarët, ndërmjet të cilave edhe hapja e një klinike shëtitëse për të varfrit në Sheshin e Shën Pjetrit.
Të varfërit kanë vend të privilegjuar në zemrën e Zotit
Pra, tema e këtij viti është marrë nga Libri i Siracidit. Sipas komunikatës së Dikasterit për Ungjillëzimin, me këtë moto, “Papa thekson se të varfërit kanë vend të privilegjuar në zemrën e Zotit, i cili është i vëmendshëm dhe i afërt me secilin prej tyre. Zoti i dëgjon lutjet e të varfërve dhe, përballë vuajtjeve, bëhet 'i paduruar' derisa vendos drejtësinë", siç thotë autori i lashtë i Librit biblik, Ben Sira, i cili “ synon t'u transmetojë të gjithëve rrugën që duhet ndjekur për një jetë të urtë e të denjë për t'u jetuar para Zotit dhe vëllezërve”. Sipas traditës, gjatë javës para Ditës, të gjitha bashkësitë e krishtera do të organizojnë nisma në favor të të varfërve.
Me pushtet para njerëzve, por të mjerë në sytë e Zotit
Askush – vëren Papa Françesku – nuk përjashtohet nga zemra e Zotit dhe “të gjithë jemi lypës, sepse pa Zotin nuk do të ishim asgjë”. “Mendësia e kësaj bote kërkon të bëhemi dikush, të bëhemi më emër pavarësisht nga të tjerët, duke thyer rregullat shoqërore për të fituar pasuri”, por ky është “iluzion i trishtë” dhe “dhuna e shkaktuar nga luftërat tregon qartë sa arrogancë i shtyn ata, që e konsiderojnë veten me pushtet para njerëzve, por janë të mjerë në sytë e Zotit".
Në Vitin e Lutjes kemi nevojë për lutjen e të varfërve
Papa Françesku denoncon: “Sa të varfër të rinj prodhon kjo politikë e keqe, e bazuar në armë, sa viktima të pafajshme! E megjithatë, nuk heqim dorë prej saj”. Papa Françesku nënvizon se në Vitin e Lutjes kemi nevojë për lutjen e të varfërve dhe duhet të lutemi për ta; thekson se "shumica e të varfërve e ka zemrën hapur në mënyrë të veçantë ndaj fesë; ata kanë nevojë për Zotin dhe nuk mund të mos u ofrojmë miqësinë e tij, bekimin e tij, Fjalën e tij, kremtimin e Sakramenteve dhe propozimin e një rruge zhvillimi e maturimi në fe”.
Duhet guxim për t’u bërë lypës, duke pranuar se jemi "të varfër dhe nevojtarë", sepse varfanjaku i vërtetë është njeri i përvuajtur, që "nuk ka asgjë për t'u mburrur dhe nuk pret asgjë, e di se nuk mund të mbështetet tek vetvetja, por beson me vendosmëri se mund t'i drejtohet dashurisë së mëshirshme të Zotit, para të cilit është si djali plangprishës, që kthehet i penduar në shtëpi për të marrë përqafimin e të atit”.
Të ndihmohen konkretisht të varfrit
Të varfërit nuk kanë asgjë tjetër veç Zotit dhe është e vërtetë - shkruan Papa - se "nganjëherë kërkojmë të çlirohemi nga një mjerim, që na bën të vuajmë dhe na poshtëron e Zoti duket sikur nuk na e dëgjon lutjen", por "Heshtja e Tënzot nuk do të thotë se Ai nuk pyet për vuajtjet tona; përkundrazi, ka gjithnjë një fjalë që duhet mirëpritur me besim, duke u lëshuar në duart e në vullnetin e Tij”.
Papa Françesku kujton se Dita Botërore e të Varfërve është bërë "mundësi e favorshme për të kryer nisma, që ndihmojnë konkretisht të varfrit, si edhe për të njohur dhe për t'u dhënë mbështetje vullnetarëve të shumtë, që kushtohen me pasion për më nevojtarët”. Njëkohësisht, vëren Ati i Shenjtë, duhet kujtuar se “bamirësia pa lutje rrezikon të bëhet filantropi që mbaron shpejt”, prandaj, ky tundim duhet shmangur, duke i besuar “forcës dhe këmbënguljes, që vjen nga Shpirti Shenjt”.
Papa kujton Nënë Terezën
Papa kujton se Nënë Tereza, shenjtja shqiptare e bamirësisë, "përsëriste vazhdimisht se nga lutja e merrte forcën dhe fenë për misionin e saj të shërbimit ndaj të fundmëve", aq sa "kur, më 26 tetor 1985, foli në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u tregoi të gjithëve rruzaren që mbante gjithmonë në dorë”.
Një shembull tjetër është ai i Shën Benediktit Jozef Labre (1748-1783), i cili "vitet e fundit të jetës i kaloi si i varfër mes të varfërve, me orë e orë në lutje përpara të Shenjtnueshmit Sakrament, me rruzaren në dorë, duke u lutur me breviarin, duke lexuar Besëlidhjen e Re dhe Imitimin e Krishtit”, duke fjetur në një cep të rrënojave të Koloseumit.
“Bëhuni shtegtarë të shpresës”
Duke pasur parasysh Jubileun e ardhshëm, Papa Françesku u bën thirrje “të gjithëve të bëhen shtegtarë të shpresës”. “Në këtë kohë – përfundon Ati i Shenjtë – kur kënga e shpresës duket se i ka lënë vendin zhurmës së armëve, klithmës së shumë të plagosurve të pafajshëm dhe heshtjes së viktimave të panumërta të luftërave, t’ia lartojmë Zotit lutjen tonë për paqe”. Sepse – shton ai – “jemi të varfër për paqe dhe shtrijmë duart për ta pritur si dhuratë të çmuar, duke u impenjuar, njëkohësisht, për ta arritur atë edhe në jetën e përditshme”.