Thirrja e Papës për Cop29: të kontribuojmë për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët
R. SH. - Vatikan
Shpresoj se Konferenca e Ndryshimeve Klimatike COP29, që do të nisë nesër në Baku, do të japë një kontribut të suksesshëm për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët.
Në përfundim të Engjëllit, Papa Françesku u ndalua për pak çaste edhe tek samiti i ardhshëm i Kombeve të Bashkuara. E bëri këtë duke kujtuar, tre vjet pas fillimit të platformës së nismës Laudato si', hapësirën e përbashkët në të cilën Kisha i përgjigjet krizës ekologjike në vazhdën e enciklikës me të njëjtin emër të Françeskut, i cili i falënderon "të gjithë ata që bashkëpunojnë në favor të kësaj nisme”.
Mendim për Indonezinë
Më pas Papa shprehu afërsinë e tij me të gjithë popullsinë “e ishullit Flores, në Indonezi”, ku që nga java e kaluar po regjistrohen shpërthimet e vullkanit Lewotobi Laki Laki. Françesku u lut "për viktimat, familjet e tyre dhe të zhvendosurit". Ndër të vdekurit, të paktën dhjetë, ishte edhe një murgeshë: Motra Nikolin Padjo, misionarja shërbyese e Shpirtit Shenjt, që banonte në manastirin e Shën Gabrielit.
"A jeni lutur për Valencien?"
Po ju bëj një pyetje: a jeni lutur për Valencian? A keni menduar të jepni ndonjë kontribut për t'i ndihmuar ata njerëz? Është vetëm një pyetje.
Me këto fjalë Françesku u drejtohet besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, duke rikujtuar thirrjen për popullsinë spanjolle të prekur nga përmbytjet, pas Engjëllit të së dielës së kaluar, më 3 nëntor. "Çfarë të bëj për njerëzit e Valencias? Të lutem? Të ofroj diçka? Mendoni për këtë pyetje", pati thënë Papa, që përsërit kujtimin për të gjithë ata "që po përballojnë pasojat" e shirave të dendura të javëve të fundit.
Në Lutjen e Engjëllit, Papa i drejton edhe një herë një mendim qytetit spanjoll të shkatërruar nga stuhia e Danës. Ndërsa besimtarëve u kërkon mobilizim kryesisht shpirtëror përballë kësaj fatkeqësie!
Falënderim botës bujqësore
Me rastin e Ditës së Falënderimit, kremtuar sot, 10 Nëntor, nga Kisha Italiane, Papa shprehu edhe mirënjohjen e tij për sektorin e bujqësisë, duke inkurajuar punonjësit ta kultivojnë tokën "për të ruajtur pjellorinë edhe për brezat e ardhshëm".