Françesku: çarmatosja e zemrave, për të arritur paqen me drejtësi
R.SH. / Vatikan
“Viti 2025 qoftë vit në të cilin lulëzon paqja!”: fare pranë Jubileut, që do të fillojë më 24 dhjetor, e me rastin e Ditës të 58-të Botërore të Paqes, që do të festohet më 1 janar 2025, Papa Françesku bën sërish thirrje për paqen, atë "të vërtetën, të qëndrueshmen", atë që shkon përtej stërhollimeve kontraktuale a kompromiseve njerëzore, atë që Zoti ua dhuron zemrave të çarmatosura, që nuk bëjnë llogari, që nuk këmbëngulin në egoizëm, që nuk i lëshon zemra, por e shikojnë gjithnjë të ardhmen me shpresë.
Duhet ndryshim kulturor kundër logjikës së shfrytëzimit
“Na i fal fajet tona, e na jep paqen tënde”, shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij. Verseti i "Atynës" bëhet kështu themeli dhe nxitja për fillimin e një ndryshimi kulturor, falë të cilit marrëdhëniet me të tjerët nuk drejtohen më nga "logjika e shfrytëzimit", ku më i forti e merr nëpër këmbë të ligshtin.
Në "fshatin global të ndërlidhur", që është bota sot - shkruan Papa - duhet të dëgjojmë britmën e të varfërve dhe të tokës, thirrjen e "njerëzimit të kërcënuar", sepse "asnjë njeri nuk vjen në botë për të qenë i shtypur", e edhe sepse “lindëm për të qenë të lirë sipas vullnetit të Zotit".
Mbarë njerëzimi kërcënohet nga pabarazitë
Duke folur për "strukturat e mëkatit", që i pati kujtuar në të kaluarën edhe Shën Gjon Pali II e që sot konsolidohen dhe mbështeten nga "bashkëfajësia e përhapur", Papa Françesku denoncon më pas "pabarazitë e të gjitha llojeve" që e pikëllojnë planetin:
Po kujtoj, në veçanti, trajtimin çnjerëzor të emigrantëve, degradimin ambiental, pështjellimin e shkaktuar nga keqinformimi, refuzimin e çdo lloj dialogu, financimin e konsiderueshëm të industrisë ushtarake. Janë të gjithë faktorë të një kërcënimi konkret për ekzistencën e mbarë njerëzimit!
Coptoni zinxhirët e padrejtësisë, për të hapur shtigjet e shpresës
Të gjithë kemi përgjegjësi - pohon Ipeshkvi i Romës - dhe të gjithë jemi të thirrur t’i "coptojmë zinxhirët e padrejtësisë, për të shpallur drejtësinë e Zotit". E edhe ta nisim atë ndryshim kulturor dhe strukturor, që na nxit të pranojmë se jemi jo vetëm "borxhlinj" të Zotit dhe të dhuratave të tij, por edhe “të nevojshëm për njëri-tjetrin, sipas logjikës të përgjegjësisë së përbashkët dhe të larmishme”. Vetëm duke “u prekur thellë nga këto ndryshime”, Viti Jubilar “do të mund ta rihapë për secilin prej nesh rrugën e shpresës”:
Shpresa është e begatë në bujari, nuk bën llogari, nuk kontrollon xhepat e borxhlinjve, nuk shqetësohet për fitimin e vet, por ka në mendje vetëm një qëllim: ta ringrejë përsëri në këmbë atë që u rrëzua, të fashojë zemrat e thyera, t’i lirojë nga çdo formë skllavërimi.
Shlyeni borxhin e jashtëm, duke njohur borxhin ekologjik
Tre, pra, janë "veprimet e mundshme" që këshillon Papa për vitin 2025: i pari ka të bëjë me ato "dy anët e së njëjtës medalje", që janë borxhi i jashtëm dhe borxhi ekologjik dhe që ushqejnë logjikën, e cila i shtyn vendet më të pasura të shfrytëzojnë në një botë pa dallim, burimet "njerëzore dhe natyrore" të vendeve më të varfra, "për të kënaqur nevojat e tregjeve të veta":
E ftoj bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime për faljen e borxhit të jashtëm, duke njohur ekzistencën e një borxhi ekologjik ndërmjet Veriut dhe Jugut të botës. Është thirrje për solidaritet, por mbi të gjitha, për drejtësi.
Zhdukja e dënimit me vdekje në të gjitha Vendet
Veprimi i dytë është "angazhimi i vendosur për respektimin e dinjitetit të njeriut, nga zënia, deri në vdekjen natyrore". E, për mbrojtjen e "kulturës së jetës", Papa tregon "një gjest konkret":
E kam fjalën për eliminimin e dënimit me vdekje në të gjitha kombet. Kjo masë, përveçse cenon paprekshmërinë e jetës, asgjëson çdo shpresë njerëzore për falje dhe përtëritje.
Të investohet në luftën kundër urisë, jo në armatim
Për më tepër, për të "ndërtuar shtigje të reja paqeje" në "këtë kohë të tronditur nga luftërat", Françesku shpreson - në vazhdën e Shën Palit VI dhe Benediktit XVI - se investimet financiare do të rimendohen:
Të përdorim të paktën një përqindje fikse të parave të përdorura për armatim, për të krijuar një fond global që do ta zhdukë përfundimisht urinë dhe do t’i lehtësojë veprimtaritë arsimore në vendet më të varfra, të cilat synojnë zhvillimin e qëndrueshëm, duke luftuar ndryshimet klimatike.
Zemra e çarmatosur nuk është e shurdhër për britmën e të varfërve
Kushdo që do t'i ndërmarrë këto tre gjeste - vazhdon Papa - do të shohë të afrohet qëllimi "i shumëpritur" i paqes, sepse ai "nuk vjen vetëm me përfundimin e luftës, por me fillimin e një bote të re, një bote në të cilën zbulojmë se jemi më të ndryshëm, më të bashkuar, më vëllezër”.
Mesazhi përfundon me një lutje, që Zoti t'i japë paqen e tij çdo njeriu vullnetmirë:
atij, që e lejon zemrën të çarmatoset,
atij, që me shpresë dëshiron t’u falen borxhet vëllezërve,
atij, që pa frikë rrëfen se është borxhliu juaj,
atij, që nuk mbetet i shurdhër ndaj britmave të më të varfërve!