Françesku: jeta vëllazërore nuk është thjesht hapësira dhe shërbime të përbashkëta
R.SH. – Vatikan
Kujdesi dhe shërbimi për të varfërit është projekti i jetës i propozuar nga rregulla e Guido nga Montpellier, rregulltar francez, themelues i Spitalorëve të Shpirtit të Shenjtë dhe i Vëllazërisë së Shpirtit të Shenjtë. Ai jetoi ndërmjet shekujve XII dhe XIII e punoi shumë për të arritur sa më besnikërisht idealin e mëshirës, shpallur nga Jezu Krishti. Një projekt emocionues, e quajti këtë mënyrë jetese Papa Françesku, në audiencë në Vatikan, me murgeshat kanonike të Shpirtit Shenjt në Sassia dhe me bashkësi të tjera të lidhura me karizmën e Guido nga Montpellier, lumnuar më 18 majin e këtij viti.
Planet e Zotit dhe zemra e njeriut
Në fjalën e tij, Françesku kujtoi mbështetjen e Papës Inoçenci III për Guidon nga Montpellier, pasi pati dëgjuar për veprat e tij të mëshirës gjatë studimeve në Francë. Kur u bë Papë, me reformën e tij, "promovoi në jetën rregulltare” pikërisht ato vepra, që më pas, u kristalizuan në Urdhrat e reja të lypsarëve.
“Është interesante të shohësh si plani i Zotit përpunohet në kuzhinën e zemrës – diçka, që murgeshat e motrat e dinë fort mirë - dhe notat e shijes dhe të ngjyrës fiksohen gradualisht në rregullat e jetës, për të përhapur më pas aromën e tyre në gjithë Kishën”.
Bashkim, pa asgjë personale, shërbim
Papa u përqendrua në tre aspekte të jetës rregulltare: "bashkimi, sine proprio (pa asgjë personale) dhe shërbimi", duke theksuar se në rregullin e murgeshave, kushti i varfërisë përshkruhet me fjalët "të jetosh pa asgjë personale". Shprehje, që nxit për "një jetë rigorozisht të thjeshtë", duke ndarë me të varfërit gjithçka e duke u shërbyer atyre. Rregulltarët e parë, vërejti Papa, “duke deklaruar tri këshillat ungjillore, flisnin për varfërinë si bashkim". Ndiqnin kështu "shembullin e Kishës së orëve të para, në të cilën ‘të gjithë ata që ishin bërë besimtarë qëndronin bashkë dhe kishin gjithçka të përbashkët’”.
“Në këtë mënyrë, jeta vëllazërore shkon përtej hapësirave, detyrave dhe shërbimeve të përbashkëta. Jetë vëllazërore do të thotë t'i dhurohemi plotësisht Zotit në vëllanë tonë, një dhuratë pa rezerva. Pa lënë asgjë tonën në dhomën e pasme të sigurive të kësaj bote, fshehur në qelë, në xhep, ose, edhe më keq, në zemër, pasi vetëm duke u nisur nga kjo liri, pa asgjë tonën, mund të fillojmë një projekt, në të cilin të ecim së bashku dhe për të cilin të jemi shenjë eskatologjike, udhëtim ku na fton Zoti, udhëtim për në Qiell”.
Të bëhemi të vegjël
Ky është udhëtim, që “nxitet nga Shpirti i Shenjtë, i cili na bën ndjekës të Jezu Krishtit”, përfundoi Papa, duke nënvizuar se Krishti, i cili nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer, është “modeli ynë”, pra, do të jemi shenjt, “në masën me të cilën do të jemi në gjendje të bëhemi të vegjël dhe shërbëtorë të të gjithëve".