2024.12.16 Anëtarë të Komunitetit Filipine në Spanjë në audiencë te Papa 2024.12.16 Anëtarë të Komunitetit Filipine në Spanjë në audiencë te Papa

Françesku: Kisha është një shtëpi e ngrohtë dhe mikpritëse për emigrantët

Papa pret përfaqësues të bashkësisë filipinase në Spanjë, 25 vjet pas themelimit të famullisë së tyre në Barcelonë

R.SH. - Vatikan

Ka më shumë probleme se ngrohtësi, më shumë vështirësi se dyer të hapura: kjo është jeta e emigrantëve, kur shkojnë në vendet të tjera, për të kërkuar një të ardhme më të mirë. Por kur jetohet vlera e mikpritjes, integrimi ndërmjet rrënjëve të vendlindjes dhe atyre të fituara në vendin e migracionit, mund të lindë "një përzierje të shkëlqyer". Ky ishte reflektimi i Papës në audiencën e paradites së sotme, 16 dhjetor, me bashkësinë filipinase, e cila në Spanjë ka, pikërisht në qytetin e Barcelonës, famullinë e saj kushtuar Zojës së Papërlyer dhe Shën Lorenc Ruizit.

Vlera e integrimit

25 vjet pas themelimit, një grup filipinasish deshën ta festojnë këtë përvjetor me Françeskun, i cili vuri në dukje se shumë emigrantë nuk gjejnë në vendet ku shkojnë “një shtëpi të ngrohtë dhe mikpritëse”, përkundrazi, “ndeshen me vështirësi dhe keqkuptime të panumërta". Por, kur kulturat integrohen, dëshmojnë shembullin e një "shtëpie të ngrohtë dhe mikpritëse", ashtu si duhet të jetë Kisha. E tregon këtë, pohoi Papa, edhe jeta e Shën Lorenc Ruizit, ndërsa për ditët e sotme, Ati i Shenjtë përmendi jetën e kardinalit pro-prefekt aktual i seksionit për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta në Dikasterin vatikanas për Ungjillëzimin.

“Në fakt, familja e tij, ashtu si ajo e kardinalit Tagle, është me origjinë kineze dhe filipinase, të cilat, së bashku me atë spanjolle, që i dha fenë, krijuan një përzierje të shkëlqyer”.

Fe "fantastike"

Duke folur pa letër në fund të takimit, Papa Françesku iu kthye "kujtimeve të bukura" të udhëtimit apostolik në Filipine, në vitin 2015, në "shtatë milionët e pranishëm në meshën e Manilës" dhe në atë të kremtuar në ishullin e Tocloban: "Me shiun, erën, na u desh të dilnim me nxitim, sepse po vinte stuhia dhe nuk do të dilnim dot më".

“Filipinasit janë burra me fe, gra me fe. Disa prej jush punojnë edhe këtu në Vatikan, është fantastike feja që kanë, dëshmia që japin. Vazhdoni të dëshmoni në këtë shoqëri, që është bërë shumë e pasur, shumë kompetente, mendon se i mjaftojnë forcat e veta”.

16 dhjetor 2024, 13:46