Françesku: në botën e lodhur nga lufta, të kërkosh paqen është detyrë e domosdoshme
R.SH. / Vatikan
Njëmbëdhjetë ambasadorët jorezidentë të jashtëzakonshëm dhe të plotfuqishëm pranë Selisë së Shenjtë, që vijnë nga India, Jordania, Danimarka, Luksemburgu, Ruanda, Turkmenistani, Algjeria, Bangladeshi, Zimbabveja dhe Kenia, i paraqitën sot letrat e tyre kredenciale Papës Françesku.
Çast kritik për diplomacinë ndërkombëtare
“Merrini përgjegjësitë tuaja të reja në një çast kritik për diplomacinë ndërkombëtare”- me këto fjalë i priti Papa në audiencë, në Sallën Klementine, njëmbëdhjetë ambasadorët, duke kujtuar, më pas, problemet e shumta që prekin familjen njerëzore dhe që kërkojnë “veprim të bashkërenditur nga ana e të gjithëve”:
Mendoj posaçërisht për efektet e vazhdueshme shkatërrimtare të ndryshimeve klimatike, të cilat prekin veçanërisht vendet në zhvillim dhe anëtarët më të varfër të shoqërisë; mendoj për konfliktet e armatosura, të cilat shkaktojnë vuajtje të papërshkrueshme për shumë nga vëllezërit dhe motrat tona; e edhe për gjendjen e rëndë të migrantëve dhe refugjatëve të panumërt që ikin nga vendlindja, në kërkim të një ardhmërie më të mirë për familjet e tyre.
Favorizoni dialogun dhe respektin e të drejtave të çdo njeriu e çdo populli
Këto nuk janë çështje të thjeshta apo të lehta për t'u zgjidhur - shtoi Françesku - por më tepër çështje që kërkojnë "zgjidhje globale dhe afatgjata", për të cilat "puna e durueshme e diplomacisë ka vlerë të madhe".
Ndërmjet vështirësive, humbjeve, përleshjeve të armatosura dhe pretendimeve kontradiktore për të qenë në anën e ligjit, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të heqë dorë nga detyra e saj për të kërkuar paqen duke nxitur dialogun, pajtimin, mirëkuptimin reciprok, respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të të gjithë njerëzve dhe popujve si dhe kërkesat e së drejtës ndërkombëtare.
Selia e Shenjtë ndjek të mirën e përbashkët, jo objektivat politike dhe ushtarake
Një theksim të veçantë Papa e ruajti për diplomacinë e Selisë së Shenjtë, natyra dhe misioni i së cilës - shpjegoi - është "të promovojë dialogun në shërbim të së mirës së përbashkët, pa ndjekur objektiva politike, tregtare apo ushtarake":
Përmes "neutralitetit pozitiv" - dhe nuk them "neutralitetit", po them "neutralitetit pozitiv" - ajo synon të kontribuojë në zgjidhjen e konflikteve dhe çështjeve të tjera duke nxjerrë në pah dimensionin e tyre të brendshëm etik.
Punoni me maturi, durim dhe këmbëngulje
Edhe pse - shton Françesku - historia tregon se përpjekjet diplomatike "të matura, të durueshme dhe këmbëngulëse", të frymëzuara "nga respekti reciprok, vullneti i mirë dhe bindja morale", mund të sjellin shumë përparim në zgjidhjen e situatave "në dukje të pazgjidhshme". Është fjala, shton, për të bërë një “minuet”, apo “një hap të vogël”, për të krijuar një harmoni”.
Guximi dhe fryma krijuese
Duke kujtuar vitin e ri që po vjen dhe jubileun e afërt, Papa inkurajon njëmbëdhjetë ambasadorët ta ruajnë "me guxim dhe frymë krijuese" miqësinë, bashkëpunimin dhe dialogun në shërbim të paqes:
Veprimtaria juaj, shpesh e matur dhe e fshehur, do të ndihmojë në mbjelljen e farave të një ardhmërije shpresëdhënëse për botën tonë të lodhur nga lufta.
Së fundi, Françesku siguron diplomatët e rinj për mbështetjen e Sekretarisë së Shtetit dhe të Dikastereve e të zyrave të tjera të Kuries Romake.
Disa të dhëna për marrëdhëniet diplomatike
Aktualisht janë 184 shtete që kanë marrëdhënie të plota diplomatike me Selinë e Shenjtë (të dhënat nga janari 2024). Këtyre u duhen shtuar Bashkimi Evropian (BE) dhe Urdhri Sovran Ushtarak i Maltës (SMOM). Janë 91, misionet diplomatike të akredituara në Selinë e Shenjtë me seli në Romë, duke përfshirë ato të BE-së dhe SMOM-it dhe të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR).