Kërko

Françesku nga Ajaccio: paqe për gjithë botën, ukrainasit dhe rusët "të merren vesh"

Para lutjes së Engjëllit të Tënzot në Ajaccio - në fund të takimit në katedrale me ipeshkvijtë, meshtarët dhe rregulltarët - Papa kujtoi konfliktet që gjakosin planetin dhe u lut për viktimat e ciklonit, që goditi arkipelagun francez të Mayotte në Oqeanin Indian

R.SH. – Vatikan

Nuk ishte dritarja me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit, nuk ishin me mijëra ata, që e dëgjonin nga altoparlantët. Por, edhe në qetësinë e një Kishe, fjalët e Françeskut nuk jehuan më pak. Kudo ku ka të shtëna dhe vrasje - nga Lindja e Mesme në Evropë, në Azi – aty shkon mendimi i Papës, i cili rreshton një pas një vendet në konflikt, duke u lutur për ta çdo javë. E kështu ndodhi edhe në Ajaccio, në fund të paradites së udhëtimit të 47-të apostolik të Françeskut. Pasi iu drejtua klerit dhe rregulltarëve korsikanë, Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen e tij për paqe, para lutjes së Engjëllit të Tënzot.

“Paqe për të gjitha tokat, që e rrethojnë këtë det, veçanërisht për Tokën Shenjte, ku Maria lindi Jezusin. Paqe për Palestinën, për Izraelin, për Libanin, për Sirinë, për të gjithë Lindjen e Mesme!”

Vëllezër a kushërinj, të gjejnë mirëkuptimin

Si gjithmonë, Papa kujtoi edhe "Mianmarin e martirizuar", duke kaluar më pas në luftën ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, një konflikt, që sipas Bergoglio-s, mban erë vëllavrasjeje.

“Nëna e Shenjtë e Zotit siguroftë paqen e shumëpritur për popullin ukrainas dhe për popullin rus. 'Ata janë vëllezër'; 'Jo o Atë, janë kushërinj!'; “Janë kushërinj, vëllezër, nuk e di... Por të merren vesh”.

Pokrovsk në Donetsk (Ukrainë)
Pokrovsk në Donetsk (Ukrainë)

Lutja për viktimat e ciklonit Chido

Koncepti i luftës, që është "gjithmonë humbje", për Papën, shtrihet edhe në armiqësitë, që mund të lindin në bashkësitë fetare dhe famullitë. Së fundi, një mendim për të prekurit nga tragjedia e ciklonit Chido, i cili goditi arkipelagun francez të Mayotte në Oqeanin Indian, duke shkaktuar vdekjen e rreth pesëmbëdhjetë vetëve, si edhe mbi 25 të plagosur. Të gjithëve “u jam shpirtërisht pranë”, nënvizoi Françesku.

Dëmet e ciklonit Chido
Dëmet e ciklonit Chido
15 dhjetor 2024, 13:33