Françesku: për Krishtlindje, armëpushim në të gjitha frontet e luftës
R.SH. – Vatikan
Krishtlindja qoftë mundësi që të heshtin armët në botë. Në solemnitetin e Zojës së Papërlyer, menjëherë pas Engjëllit të Tënzot, Papa e hodhi vështrimin në vendet viktima të konflikteve, duke bërë thirrje të lutemi për paqen dhe vëllazërimin. Duke filluar nga Nikaragua, një vend që kremton Pajtoren e saj më 8 dhjetor e me të cilin Françesku është ndierë gjithnjë i afërt.
“Ju ftoj të bashkoheni në lutje për Kishën dhe popullin e Nikaraguas, të cilët kremtojnë Më të Çiltrën, si Nënë dhe Pajtore, duke i lartuar Asaj një britmë feje dhe shprese. Nëna Qiellore u bëftë ngushëllim për ta në vështirësi e pasiguri dhe u haptë zemrat të gjithëve, që gjithmonë të kërkohet rruga e dialogut të respektueshëm dhe konstruktiv për të nxitur paqen, vëllazërimin dhe harmoninë në vend”.
Armëpushim për Krishtlindje
Papa kujtoi vendet në luftë dhe u drejtoi të pushtetshmëve të botës kërkesën e tij të dhimbshme për të ndalur dhunën.
“Të vazhdojmë të lutemi për paqen në Ukrainën e martirizuar, në Lindjen e Mesme - Palestinë, Izrael, Liban, tani edhe në Siri - në Mianmar, në Sudanin e Jugut dhe kudo që njerëzit vuajnë nga lufta e dhuna. U bëj thirrje qeverive dhe bashkësisë ndërkombëtare që të arrijmë në festën e Krishtlindjes me armëpushim në të gjitha frontet e luftës”.
Së fundi, Papa u lut që të dënuarve me vdekje në SHBA t’u ndryshohet dënimi e të mos e humbin jetën. Gjithashtu, pati fjalë solidariteti për punëtorët italianë, që po luftojnë për të ruajtur punën, duke kërkuar që askujt të mos i mungojë buka e gojës.