Françesku: puna e grave ndihmon Kishën, krijon kulturë dhe bashkëjetesë
R. SH. - Vatikan
Emri Luçia vjen nga latinishtja lux, "dritë”. E dritë rrezatonte kthjellësia e syve, me të cilët e shikoi atë që donte ta vriste, e që edhe e vrau. E këtë e bëri sepse ishte e krishterë, e sidomos, për t‘u hakmarrë, pas një "jo" thënë vrasësit, që nuk donte të respektonte zgjedhjen e saj për t’iu kushtuar Krishtit. Në martirizimin e Shën Luçisë ka një botë vlerash të përjetshme: qartësia, transparenca, sinqeriteti, dalja nga paqartësitë e jetës dhe bashkëfajsitë kriminale". E është shembulli i një gruaje të lirë, që e dëshmon nevojën e “punës dhe të fjalës femërore në një kishë në dalje, që është tharm e dritë në kulturë e në bashkëjetesë”.
Fat reciprok
Është për t’u admiruar portreti që pikturoi Papa në shenjtoren e Sirakuzës, ditën e kujtimit të saj liturgjik. Me rastin e Vitit Lucian, kushtuar Luçisë, eshtrat e saj kthehen përkohësisht në vendlindje - ku u varrosën pas vrasjes nga urrejtja për fenë, gjatë persekutimeve të vitit 304 - prej nga u vodhën, për të përfunduar së pari në Kostandinopojë e, më pas, pas plaçkitjes së qytetit në 1204, në Venedik, si plaçkë lufte.
Në letrën dërguar nga Françesku kryeipeshkvit të Sirakuzës, Francesco Lomanto, Papa vlerëson para së gjithash “shtegtimin” e korpit të Shenjtes në prag të shtegtimit të madh jubilar.
“Ka dritë - shkruan Ati i Shenjtë - ku shkëmbehen dhuratat”, ndërsa “gënjeshtra që shkatërron vëllazërinë dhe shkatërron krijimin flet, në vend të kësaj, për të kundërtën: thotë se tjetri është antagonist, ndërsa pasuria e tij, kërcënim”.
Forca që ndërton qytetin
Pastaj Françesku reflekton mbi jetën dhe vdekjen e Shenjtores siciliane, duke u ndaluar "tek dinjiteti dhe aftësia e saj për të parë në distancë", e njëjta "që gratë e krishtera e sjellin ende në qendër të jetës shoqërore sot, duke mos lënë asnjë fuqi botërore ta bëjë dëshminë e tyre 'të padukshme dhe të heshtur'. Martirizimi i Shën Luçisë - theksoi Papa - “na edukon për vaj, dhembshuri dhe butësi: këto janë virtyte që buruan nga Lotët e Zojës në Sirakuzë. E nuk janë vetëm virtyte të krishtera, por edhe politike. Përfaqësojnë forcën e vërtetë, që e ndërton qytetin”. Na i rihapin sytë - nënvizon - për të parë, çka pandjeshmëria na bën ta humbim në mënyrë dramatike”.
Bindje ndaj ndërgjegjes
Papa vijon të kujtojë sytë dhe shikimin, pajtore e të cilave është Shën Luçia. “Të qëndrosh në anën e dritës - kujtoi - na ekspozon edhe në martirizim. Ndoshta nuk do të vënë dorë mbi ne, por zgjedhja e krahut do të ta heqë njëfarë qetësie mendore”.
Ashtu si në raste të tjera, Françesku kritikon ato “forma qetësie” që “ngjajnë me paqen e varrezave”, “si të kishim vdekur tashmë”. Përkundrazi, nxit të mos lodhemi kurrë duke edukuar vajzat dhe djemtë, adoleshentët dhe të rriturit "për t’i njohur dëshmitarët, për të kultivuar një sens kritik, për t'iu bindur ndërgjegjes. Çdo thirrje - kujton Papa – na kërkon "të zgjedhim" e shenjtorët na dëshmojnë sesi të dalim nga "ato strehime personale a komunitare, që na lejojnë të ruajmë distancën nga nyja e dramës njerëzore".
Qoftë festë edhe për të varfërit
Porosia e fundit i Françeskut sirakuzianëve është të mos harrojnë “t’i ftojnë shpirtërisht" në festë "motrat dhe vëllezërit që, në mbarë botën, vuajnë nga persekutimi dhe padrejtësia. E t’i përfshijnë edhe emigrantët, refugjatët, të varfërit, që janë mes tyre”.