Françesku: zhvillimi njerëzor ka nevojë për ekonomi të qëndrueshme
R.SH. – Vatikan
"Horizont global": ai, që i shikon qeniet njerëzore dhe planetin me një vizion të përbashkët, i cili nuk kufizohet në përballimin e emergjencave dhe të nevojave në mënyrë të shkëputur nga njëra-tjetra, por i sheh si një gjë e vetme. Ky vizion, që është edhe thelbi i enciklikës papnore “Laudato si'”, u diskutua sot paradite nga Ati i Shenjtë, Françesku, me pjesëmarrësit e Forumit të parë Ekonomik Njerëzor, që po mbahet në Romë, të cilët i priti në Vatikan, pak para audiencës së përgjithshme.
Njerëz konkretë
Papa theksoi se "zhvillimi i qëndrueshëm dhe i gjithanshëm njerëzor është vendimtar për mbrojtjen dhe promovimin e së mirës së përbashkët universale", por që ai të ndikojë siç duhet në jetën e botës duhet "t’u kushtohet gjithnjë vëmendje njerëzve konkretë, në të gjitha përmasat e tyre, për të luftuar varfërinë, për t'u kthyer dinjitetin të përjashtuarve dhe, njëkohësisht, për t'u kujdesur për shtëpinë tonë të përbashkët".
Të qëndrueshëm, me kalimin e kohës
Duke folur për qëndrueshmërinë, Papa vuri në dukje një aspekt të sistemeve ekonomike: sa më shumë janë në gjendje t’i "qëndrojnë kohës", aq më "të frytshme" janë projektet e promovimit njerëzor, që rrjedhin prej tyre. Françesku përfundoi duke vlerësuar punën e Forumit Ekonomik Njerëzor dhe duke nënvizuar parimin, që frymëzon gjithçka, “shenjtërinë e jetës njerëzore”, e vetmja vlerë, që mund të favorizojë “ndërtimin e një bote më të mirë”.