Kërko

Jubileu 2025 dera e shpresës Jubileu 2025 dera e shpresës

Papa: për Jubileun 2025 hape “derën shenjte” të zemrës!

Françesku na fton të përqendrohemi tek zemra, tek kantieret e shpirtit, për ta jetuar frytshëm kohën e hirit të Jubileut 2025. Për Papën, i cili ia kushtoi Enciklikën e tij të fundit "Dilexit Nos", dashurisë hyjnore të Zemrës së Krishtit, nuk mund të mos fillojmë përsëri nga shpirti rrugën e shërimit dhe të përtëritjes, ndërsa viti jubilar përshkohet tej e ndanë nga tema e shpresës.

R.SH. / Vatikan

"Nëse sot do ta pyesnim ndonjë romak në rrugë se çka i kujton më shumë jubileu, në fillim e sipër, ai pothuajse menjëherë do të përgjigjej: kantieret e ndërtimit. E ka të drejtë! Siç ka ndodhur edhe në Vitin Shenjt 2000, qendra e qytetit të Romës është e mbushur me “punë në vazhdim” për vepra pak a shumë mbresëlënëse, që do të ndikojnë në trafikun dhe jetesën e qytetit". Edhe Papa Françesku, me rastin e nderimit të Zojës së Papërlyer, më 8 dhjetorin e kaluar, në Sheshin e Spanjës në Romë, pranoi se në këtë periudhë romakët po durojnë shqetësime jo të pakta për shkak të shesheve të ndërtimit, edhe pse të nevojshme për kremtimin e Jubielut 2025. Mirëpo, menjëherë pas, duke iu drejtuar Virgjërës Mari, foli për kantiere të tjera, jo të dukshme, aspak të prekshme, e megjithatë, jo më pak të rëndësishme se ato që hasim në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit.

"Më duket se dëgjoj zërin tënd - tha Papa Françesku - që me mençuri na thotë: "Bijtë e mi, këto vepra janë të mira, por kini kujdes: mos harroni kantieret e shpirtit! Jubileu i vërtetë është brenda: brenda, brenda zemrave - thoni - brenda marrëdhënieve familjare dhe shoqërore. Duhet punuar brenda për të përgatitur rrugën për Zotin që vjen".

Është brenda zemrës, Gurra e Jubileut. Aty është edhe "dera shenjte", të cilën të gjithë janë të thirrur ta kapërcejë për ta përjetuar plotësisht këtë Vit, i cili është kohë hiri, sepse na nxit drejt kthesës dhe përtëritjes së shpirtit. Kjo është arsyeja pse në këtë 2024, që i paraprin Vitit Shenjt 2025, Papa Françesku nuk deshi ngjarje të veçantë, as nisma të bujshme “që nuk ngopen kurrë”, por kërkoi nga ne vetëm një gjë: të përgatitemi me lutje. "Simfoni lutjeje", siç e përkufizoi ai vetë, që të prekë telat e zemrës, për të bërë të kumbojë nga larg një himn gëzimi për Zotin, i cili vjen të shpëtojë njerëzimin, gjithnjë e më të shpërfytyruar nga luftërat e dhuna.

"Kur dëshmohet Jezu Krishti - pati thënë Papa Françesku në Meshën e parë të papnisë, më 14 mars 2013 - me vjen në mendje shprehja e Léon Bloy: "Kush nuk i lutet Zotit, i lutet djallit". Kur nuk e pranon Jezu Krishtin, pranon kotësinë  e djallit". Një botëkuptim, nga i cili duhet të largohemi edhe më shumë në këtë vit jubilar, që është në prag. Ndoshta një stërvitje e mirë mbrojtëse është të përqendrohemi në zemrën tonë, në kantierin e saj, për të ndërtuar aty një shtëpi mikpritëse me dyer të hapura.  E ta bësh këtë me përvujtëri, i vetëdijshëm se “në lutje është Zoti ai që duhet të na kthejë, nuk jemi ne që duhet ta kthejmë Zotin”.

Kantieret e shpirtit, që ka në mendje Papa Françesku, nuk ndërtohen me tulla, as me materiale të tjera. Ndërtohen me lutje e, ndonjëherë, edhe me lotët e vuajtjes e të mjerimit. Shumëkush nuk e ndjen më hirin e këtij viti që po vjen. Shumë prej atyre që, të mbërthyer nga trishtimi, kanë nevojë për një përqafim, një shikim, një "afërsi" të thjeshtë, që vetëm zemra e njeriut mund ta guxojë. Jo, inteligjencës artificiale! Para së gjithash, këtyre "të mundurve" të kohës sonë, "Kisha spital fushor" duhet t’u sjellë ilaçin e Jubileut. Atyre duhet t'u jepet dëmshpërblimi dhe ngushëllimi, duke i lënë që të mund ta prekin cepin e mantelit të Zotit.

“Të gjithë, të gjithë, të gjithë”, sepse siç shkruante Françesku në Enciklikën e tij të fundit Dilexit Nos, të gjithë duhet të “rikthehemi tek zemra”. Të gjithë ne, mëkatarët e falur, "të mëshiruar", jemi thirrur të punojmë me guxim dhe besim në kantieret më të rëndësishme të jetës sonë: kantieret e zemrës.

13 dhjetor 2024, 11:34