Koncistori, Papa kardinajve të rinj: "udhës së Krishtit me gëzim e guxim"

Shërbeni Kishës “me dashuri e zell”, të bashkuar në mënyrë të pazgjidhshme me Papën. Këtë impenjim u kërkoi Ati i Shenjtë Françesku 21 kardinajve të ri, të krijuar e të shpallur gjatë Koncistorit të rregullt publik, të cilin e kryesoi sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

R.SH. / Vatikan

Në Bazilikën e Shën Pjetrit, sot pasdite, Papa Françesku kryesoi ceremoninë e krijimit të 21 kardinajve të ri: ftesa nuk është të mahnitesh nga joshja e autoritetit, joshja e pushtetit dhe e pamjes, por nga dëshira për ta mbështetur jetën tënde “mbi një bazë" të vetme e të vërtetë, që është Jezusi. Shërbimi i kardinajve të rinj, porosit Françesku, duhet të gjallërohet gjithmonë nga "aventura e rrugës, gëzimi i takimit me të tjerët, kujdesi për më të ligshtët".

Është Koncistori i dhjetë i papnisë së Françeskut. Mbahet në Bazilikën e Vatikanit, me ngjyrat e Kohës së Ardhjes. Në homeli, Papa rikujtoi shtyllat e papnisë së tij:  nuk duhet të vraposh për të zënë vendet e para, por të kultivosh përvujtërisht vëllazërinë dhe unitetin.

Zemra jonë është një "gërvishtje" - kujton Papa - duke cituar Manzonin e romanin e tij të famshëm "Të fejuarit". Kujton kështu, qëndrimin e dishepujve të Jezu Krishtit, që nuk përjashtohen nga dështimi, brishtësia, çorientimi, pabesia, keqkuptimet. Ndërsa Jezusi është duke bërë një rrugë të lodhshme dhe të rrëpirtë, që do ta çojë në Kalvar - kujton Papa Françesku - ata mendojnë për rrugën e sheshtë dhe të tatëpjetë të Mesisë ngadhnjimtar.

Është një nga keqkuptimet e mëdha të ndjekjes së Krishtit, për të cilin duhet “të ndërgjegjësohemi përvujtërisht”. Mund të na ndodhë edhe ne, që zemra jonë të humbasë rrugën, duke e lënë veten të mahnitet nga sharmi i prestigjit, nga joshja e pushtetit, nga një entuziazëm tepër njerëzor për Zotin tonë. Për këtë arsye është e rëndësishme të shikojmë brenda vetes, të vihemi përvujtërisht para Zotit dhe ta pyesim vetveten ndershmërisht: ku është kah shkon zemra ime? Në cilin drejtim lëviz? Ndoshta po gabon rrugë?

 Është "kthesa e zemrës" e këshilluar nga Shën Augustini, e cituar edhe nga Papa: ajo kthesë që është themelore, e thellë, vërtet e nevojshme. Sepse ndodh shpesh që planet ngatërrohen, duke pasur parasysh çka nuk është e vërtetë: mbështetja, qendra e gravitetit mbi të cilën duhet besuar jeta, duhet të mbetet Krishti.

Sot, veçanërisht për ju, të dashur vëllezër që merrni kardinalatin, do të doja të them - i këshilloi Papa kardinajtë e rinj -  kini kujdes të ndiqni rrugën e Jezusit. Çfarë do të thotë kjo? Të ndjekësh rrugën e Jezusit do të thotë para së gjithash të kthehesh tek Ai dhe ta vendosësh Atë në qendër të gjithçkaje.

Në jetën shpirtërore si në atë baritore, ndonjëherë rrezikojmë të përqendrohemi në konturet, duke harruar themeloret. E themelore është t’ia shërosh plagët njeriut dhe t’ia lehtësosh barrët e zemrës së tij, t’ia heqësh gurët e mëkatit dhe t’ia këputësh zinxhirët e skllavërisë: Aventura e rrugës, gëzimi i takimit me të tjerët, kujdesi për më të brishtët: kjo duhet të gjallërojë shërbimin tuaj si kardinaj.

Kujtojmë se me krijimin e 21 të rinjve, Kolegji përbëhet nga 253 kardinaj, nga të cilët, 140 zgjedhës dhe 113 jozgjedhës.

07 dhjetor 2024, 17:03