Kërko

Papa me fëmijët e të rinjtë Papa me fëmijët e të rinjtë

Letër e Papës romakëve: për Jubile, mirëpritni shtegtarët e rinj në shtëpi

Në një letër, Papa Françesku u drejtohet familjeve, famullive dhe bashkësive rregulltare të Romës, duke i ftuar “t’i hapin shtëpitë për t’i mirëpritur të rinjtë", që do të vijnë në Qytetin e Amshuar për dy Ditë Jubilare kushtuar atyre, "duke u ofruar një shenjë miqësie dhe pjesëmarrje në gëzimin e tyre"

R.SH. – Vatikan

Të dielën, më 15 dhjetor, në famullitë e dioqezës së Romës do të lexohet një letër e shkruar nga Papa Françesku “për familjet dhe bashkësitë famullitare e rregulltare të Romës”. Letra iu dorëzua famullitarëve sot paradite nga kardinali vikar Baldassare Reina. “Siç e dini, Jubileu i Rinisë do të jetë rast i veçantë për dioqezën tonë, çast hiri dhe impenjimi të përtërirë në fe – nënvizon kardinali. – Papa, në mesazhin e tij, i fton të gjitha bashkësitë të marrin pjesë bujarisht, duke hapur dyert për ata që vijnë në shtegtim”. Kërkohet strehimi në familje sidomos për të rinjtë dhe fëmijët, duke dhënë edhe një adresë email (giubileo.giovani@diocesidiroma.it) ku secili nga banorët e Romës mund të shprehë gatishmërinë e tij për mikpritjen e adoleshentëve. “Çdo gjest mikpritjeje është shenjë dashurie e shprese dhe mund të jetë dëshmi e vërtetë feje për ata, që mbërrijnë në territorin tonë, në kërkim të një përqafimi vëllazëror", përfundon kardinali.

Dy Ditë Jubilare kushtuar të rinjve

Në letër, Papa Françesku shkruan: "Jubileu i vitit 2025 po afrohet me shpejtësi dhe dioqeza jonë po përgatitet për ngjarjen e madhe. Për Vitin e Shenjtë do të jenë të pranishëm në Romë shumë shtegtarë nga të katër anët e tokës. Ndër ngjarjet kryesore të Jubileut, dua të tërheq vëmendjen ndaj Jubileut të Adoleshentëve, i cili do të kremtohet në datat 25-27 prill 2025 dhe ndaj Jubileut të Rinisë, i cili do të kremtohet nga 28 korriku deri më 3 gusht 2025. Është fjala për një ngjarje të shumëpritur dhe të dëshiruar prej shumë të rinjve, nga të gjitha vendet e botës. Takimi, që do të kem me ta, do të jetë shenjë e madhe shprese për të gjithë. Të rinjtë mbajnë në zemra pasurinë e fesë së Kishave dhe të bashkësive të tyre, si edhe përkushtimin për të ndërtuar një botë paqeje dhe solidariteti”.

Hapni shtëpitë

Më tej, në letrën e tij, Papa Françesku u drejtohet familjeve, famullive dhe bashkësive rregulltare të Romës, duke i ftuar “t’i hapin shtëpitë për t’i mirëpritur këta të rinj, duke u ofruar një shenjë miqësie dhe pjesëmarrje në gëzimin e tyre. Kremtimi i Ditës Jubilare të Rinisë, në zemër të verës, sigurisht që kërkon një bujari shtesë nga ana juaj, por dhurata që do të merrni nga takimi me entuziazmin dhe dëshminë e këtyre të rinjve, do të jetë shumë më e madhe se impenjimi. Në veçanti, familjet, ku ka fëmijë e të rinj, mund të provojnë sa i pasuron lidhja e miqësisë, që do të krijohet ndërmjet fëmijëve të tyre dhe të ftuarve të rinj: 'Mos e harroni mikpritjen, sepse disa, duke e praktikuar, pa e ditur, pritën engjëj'” – citon Papa Shkrimin Shenjt. Në fund, pasi përmend organizmat përgjegjëse dioqezane për këto dy Ditë Jubilare, kushtuar adoleshentëve dhe të rinjve, Papa i bekon të gjithë banorët e Romës, duke ua besuar mbrojtjes së Zojës-Salus Populi Romani.

11 dhjetor 2024, 18:01