Papa: Shpresa e botës është vëllazëria
R.SH. / Vatikan
Papa e mbylli vitin në shkollën e Marisë Virgjër, me mirënjohje dhe shpresë. Në predikimin e lutjeve të mbrëmësores së parë të Solemnitetit të Nënës së Hyjit dhe të këndimit të lutjes së falënderimit ndaj Zotit ‘Te Deum’ në fund të vitit, në Bazilikën e Shën Pjetrit në prani të mijëra besimtarëve, Papa Françesku na fton të përjetojmë dimensionin e mirënjohjes dhe shpresës: jo në perspektivën e botës, por në atë thelbësore të marrëdhënies me Zotin dhe me vëllezërit.
Me një sy drejt jubileut të vitit 2025, Ati i Shenjtë Bergoglio shpreson se qyteti i Romës do të jetë një shenjë shprese për ata që jetojnë atje dhe për ata që e vizitojnë atë. "Viti Ri, kushtuar jubileut të shpresës, na tregon një nga rrugët e mëdha të shpresës, në të cilën mund të ecim të gjithë, është vëllazëria", tha Papa Françesku në predikimin gjatë lutjes së parë Mbrëmësore të solemnitetit të festës së Virgjërës Mari Nënës së Zotit dhe lutjes së falënderimit drejtuar Zotit në fund të vitit.
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË
Mbrëmësoret e Marisë, Nënës së Shenjtnueshme të Hyjit dhe Te Deum
31 dhjetor 2024
Kjo është ora e falënderimit e gëzohemi që e jetojmë duke kremtuar Nënën Shenjte të Zotit, Atë, që ruan në zemrën e saj misterin e Krishtit e na mëson të lexojmë shenjat e kohëve në dritën e këtij misteri.
Viti që po përfundon ishte vit shumë kërkues për qytetin e Romës. Qytetarët, shtegtarët, turistët dhe të gjithë ata që kalonin, jetuan fazën tipike që i paraprin një jubileu, me shumëzimin e kantiereve të mëdha dhe të vogla. Kjo mbrëmje është çast i një reflektimi të urtë, për të menduar se e gjithë kjo vepër, përveç vlerës që ka në vetvete - përderisa është punë dinjitoze - pati edhe një kuptim që i gjegjet thirrjes së vetë Romës, thirrjes së saj universale.
Në dritën e Fjalës së Zotit, që sapo e dëgjuam, kjo thirrje mund të shprehej kështu: “Roma është thirrur t’i mirëpresë të gjithë, në mënyrë që të gjithë të mund ta ndjejnë veten si bij të Zotit e vëllezër ndërmjet tyre!
Prandaj në këtë çast duam t’i lartojmë falënderimin tonë Zotit, sepse na lejoi të punojmë, e të punojmë shumë. E, mbi gjithçka, na lejoi ta vemë në jetë këtë dëshirë të madhe, me këtë horizont të gjerë, që është shpresa e vëllazërimit.
Motoja e jubileut, “Shtegtarë të shpresës”, është e pasur me kuptime, sipas këndvështrimeve të ndryshme të mundshme, që janë edhe shumë “mënyra” shtegtimi. Një nga këto rrugë të mëdha të shpresës, në të cilën mund të ecësh, është vëllazëria: është udha që propozova në Enciklikën Fratelli tutti. Po, shpresa e botës është te vëllazëria! Dhe është bukur të mendosh se muajt e fundit qyteti ynë u shndërrua në kantier ndërtimi për këtë qëllim, me këtë kuptim të përgjithshëm: përgatitje për të pritur burra e gra nga mbarë bota, katolikë dhe të krishterë të besimeve të tjera, besimtarë të çdo feje, kërkues të së vërtetës, të lirisë, të drejtësisë dhe të paqes, të gjithë shtegtarë të shpresës dhe të vëllazërisë.
Por ne mund - e do të thosha duhet - ta pyesim veten: kjo perspektivë a e ka një bazë? Shpresa e njerëzimit vëllazëror është vetëm një parrudhë retorike, apo ka themel “shkëmbor”, mbi të cilin mund të ndërtohet diçka e qëndrueshme?
Përgjigjen na e jep Nëna e Shenjtë e Zotit, duke na treguar Jezusin, Shpresa e një bote vëllazërore nuk është ideologji, nuk është sistem ekonomik, nuk është përparim teknologjik. Jo! Shpresa e një bote vëllazërore është Ai, Biri i mishëruar, Jezusi i dërguar nga Ati që të mund të bëhemi të gjithë ata që jemi, domethënë bij të Atit që është në qiell, domethënë, vëllezër e motra mes nesh.
E atëhere, ndërsa admirojmë me mirënjohje rezultatet e punëve të kryera në qytet, kuptojmë se cili është kantieri vendimtar, kantieri që përfshin secilin prej nesh: është ai në të cilin, çdo ditë, do ta lejoj Zotin të ndryshojë në mua çka nuk është e denjë për një bir, domethënë që nuk është njerëzore, e në të cilin do të angazhohem çdo ditë, të jetoj si vëlla e si motër me të afërmin tim.
Na ndihmoftë Nëna jonë e Shenjtë që të ecim së bashku, si shtegtarë të shpresës, në rrugën e vëllazërisë.