Kërko

Papa Françesku me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán Papa Françesku me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán

Në audiencë tek Papa, kryeministri hungarez Orbán

Para audiencës së përgjithshme, Françesku bisedoi më se gjysmë ore me kryeministrin hungarez, në dhomën ngjitur me Sallën Pali VI. Gjatë takimeve në Sekretarinë e Shtetit, u diskutua për luftën në Ukrainë dhe për impenjimin në favor të paqes, për presidencën hungareze të Këshillit të BE-së, për mbështetjen e familjeve dhe të rinisë

R.SH. – Vatikan

gjati 35 minuta dhe përfundoi me shkëmbimin e dhuratave, ndër të cilat, një hartë e Tokës Shenjte të shekullit XVIII, biseda private e paradites së sotme, 4 dhjetor, ndërmjet Papës Françesku dhe kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, i cili ndodhet në Romë edhe për takime me autoritetet italiane.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit

Së bashku me delegacionin shoqërues, Orbán u prit në dhomën ngjitur me Sallën Pali VI, përpara se Papa të shkonte në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme. Më pas, lideri i Hungarisë, një vend që mori presidencën e Këshillit të BE-së korrikun e kaluar, u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga imzot Mirosław Wachowski, zv.sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë takimit, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, "u nënvizuan marrëdhëniet e qëndrueshme dhe të frytshme dypalëshe dhe u shpreh vlerësim i madh për impenjimin e Kishës Katolike në zhvillimin dhe mirëqenien e shoqërisë hungareze".

“Gjatë dialogut – vijon nota e Vatikanit – u fol sidomos për luftën në Ukrainë, duke u kushtuar vëmendje pasojave të saj humanitare dhe përpjekjeve për të arritur paqen”. Më tej, "u shqyrtuan tema me interes të përbashkët, si presidenca hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian, roli qendror i familjes dhe mbrojtja e brezave të rinj".

Papa Françesku dhe delegacioni hungarez
Papa Françesku dhe delegacioni hungarez

Vizita e vitit 2022, pas rizgjedhjes

Vizita e fundit e kryeministrit Orbán në Vatikan është ajo e prillit 2022: udhëtimi i parë zyrtar disa ditë pas fitores së tij të re në zgjedhje. Audienca në Sallën e Bibliotekës së Pallatit Apostolik zgjati 40 minuta dhe Orbán i kërkoi Papës Françesku “të mbështeste përpjekjet hungareze për paqen”. Kujtojmë se Hungaria është një nga vendet më të prekura nga vala e refugjatëve, që ikin nga lufta në Ukrainë. Mbi 17 mijë prej tyre kanë kërkuar mbrojtje humanitare, 100 mijë të tjerë kanë kërkuar leje qëndrimi të përkohshme mujore.

Pavarësisht nga impenjimi humanitar për ta, nga gushti i këtij viti, Hungaria u siguron mbrojtje shtetërore vetëm atyre, që vijnë nga rajonet e prekura drejtpërdrejt nga lufta. Vetë Papa Françesku ka qenë në Hungari në prill të vitit 2023 e në atë rast u takua sërish me kryeministrin Orbán, i cili shkoi të bisedonte me të në selinë e Muzeut të Arteve të Bukura. Gjatë kthimit me avion, gazetarët e pyetën nëse folën mbi migrantët, duke pasur parasysh qëndrimet divergjente të kryeministrit hungarez mbi këtë temë, por Ati i Shenjtë nënvizoi se ajo nuk kishte qenë argument i bisedës.

Papa Françesku dhe kryeministri hungarez
Papa Françesku dhe kryeministri hungarez

Hungaria ka një organizëm shtetëror për të krishterët e persekutuar

Për herë të parë, Papa dhe kryeministri hungarez janë takuar në Vatikan në vitin 2016, gjatë audiencës me një grup parlamentarësh të krishterë evropianë, që ishin mbledhur në Frascati, pranë Romës, për të diskutuar mbi gjendjen e të krishterëve të persekutuar në botë. Që atëherë, qeveria e Orbán themeloi një Nënsekretariat shtetëror për t’u marrë pikërisht me të krishterët e persekutuar, në mënyrë që ata të mos largohen nga atdheu.

Që atëherë, ajo cakton një shumë të madhe, shpesh të ofruar nga besimtarët katolikë hungarezë e të integruar nga qeveria, për të ndihmuar të krishterët e Lindjes së Mesme, sidomos në fushën e arsimit, të ndërtimit të spitaleve dhe të banesave. Impenjim me vlerë të dyfishtë. Nga njëra anë, Hungaria mbron krishterimin - për të cilin, historikisht, është bastioni lindor në Evropë - në vendet ku ai kërcënohet sot; nga ana tjetër, përpiqet të zgjidhë krizën e migracionit, duke u nisur nga rrënjët e saj. Ideja është të ndihmohen njerëzit për të jetuar një jetë dinjitoze, në paqe dhe siguri, në tokën e tyre, duke u siguruar “të drejtën për të mos emigruar”, siç kanë thënë gjithnjë Papët e fundit.

04 dhjetor 2024, 12:08