Kërko

Jorge Mario Bergoglio si meshtar i ri Jorge Mario Bergoglio si meshtar i ri

Që prej 55 vitesh meshtar, 13 dhjetori është përvjetori i shugurimit të Papës Françesku

Papa kremton sot përvjetorin e shugurimit të tij meshtarak, më 13 dhjetor 1969. Rrugë, që e filloi në moshën 21-vjeçare, por thirrjen e dëgjoi që kur ishte 17 vjeç e pati një përvojë të thellë të Zotit gjatë një rrëfimi. Një thirrje si ajo e Shën Mateut, pamje, që e ka shoqëruar gjithmonë rrugëtimin e tij shpirtëror

R.SH. – Vatikan

         “Atë… preferoj të quhem atë, sepse ajo që më pëlqen më shumë është të jem meshtar”. Thirrja në meshtari, e cila e çoi drejt shugurimit më 13 dhjetor, 55 vjet më parë (1969), është ndoshta një nga përvojat intime më të dashura për Papën Françesku, në gjendje ta mallëngjejë, edhe vite më vonë. Papa argjentinas kremton sot përvjetorin e meshtarisë së tij. Kanë kaluar 55 vjet që kur kryeipeshkvi i Kordovës, imzot Ramon José Castellano, vuri duart mbi të riun Jorge Mario, atëherë 33 vjeç.

Jorge Mario Bergoglio si meshtar i ri
Jorge Mario Bergoglio si meshtar i ri

Thirrja e Mateut

Ishte përmbushja e një rrugëtimi, që nisi në moshën 17-vjeçare. Studenti argjentinas, që do të bëhej Papa i ardhshëm, gjatë një rrëfimi në famulli pati një kontakt të drejtpërdrejtë dhe të thellë me Zotin. E një pikturë e veçantë e lidh ngushtë me atë çast – siç tregon shpesh vetë. – Është vepra e Caravaggio-s "Thirrja e Mateut", që ruhet në kishën e Shën Luigjit të Francezëve në Romë, ndër më të dashurat për Papën. Shpesh, i pëlqen të ndalet para saj për t’i admiruar simbolikën, kuptimet që fshihen pas lojës së dritëhijeve, për të parë atë rreze që thuajse si dritat e teatrit, shoqëron gjestin e Jezusit, gishtin e drejtuar kah Mateu. Një gisht, i ngjashëm me atë të Zotit në "Krijimin" e Mikelanxhelos, që simbolizon hirin, rilindjen në një jetë të re. Sepse, në këndvështrimin e Papës, kështu e mëshiron Hyji njeriun.

Françesku e ka ndjerë gjithmonë atë gisht të drejtuar kah vetja: “Kështu jam unë. Kështu ndihem. Ashtu si Mateu”, i pati thënë Papa atë Antonio Spadaro-s në gusht 2013, në një nga intervistat e para, që zbuloi anët më intime dhe personale të Atit të Shenjtë, zgjedhur disa muaj më parë. “Është gjesti i Mateut që më bën përshtypje: ai i merr me nxitim paratë, si për të thënë: 'Jo, jo unë! Jo, këto para janë të miat'. Ja, ky jam unë: mëkatar tek i cili Zoti i ka kthyer sytë. E këtë thashë kur më pyetën nëse e pranoja zgjedhjen time si Papë”.

Papa aktual si meshtar i ri
Papa aktual si meshtar i ri

Lindja e thirrjes

Historia e Shën Mateut është e lidhur ngushtë me udhën meshtarake të Papës Françesku. Ishte dita e kujtimit liturgjik të Shën Mateut, 21 shtatori i vitit 1953, dita e asaj “përvoje të Zotit”, në të cilën Bergoglio ndjeu thirrjen e parë. Në Argjentinë kremtohej edhe Dita e Studentit e para se të shkonte në festë, i riu Jorge Mario u ndal në famulli dhe gjeti atje një prift, që nuk e njihte. Ndjeu nevojën për t’u rrëfyer. “Nuk e di ç’ndodhi, - tregon Ati i Shenjtë më vonë - nuk e mbaj mend, vërtet nuk e di pse ishte aty ai meshtar, që nuk e njihja, pse ndjeva këtë dëshirë për t'u rrëfyer, por e vërteta është se dikush po më priste prej kohësh. Pas rrëfimit, ndjeva se ndryshoi diçka, nuk isha më i njëjti. Dëgjova pikërisht si një zë, një thirrje: isha i bindur se duhej të bëhesha meshtar”.

Françesku me prindërit
Françesku me prindërit

Shugurimi meshtarak

Në moshën 21-vjeçare, Papa i ardhshëm vendosi të hynte në seminar. Zgjodhi Shoqërinë e Jezusit, i tërhequr nga jezuitët, në "vijën e parë" të Kishës, nga disiplina, nga "shpirti i tyre misionar". Hyri në seminarin e Villa Devoto dhe më 11 mars 1958, filloi noviciatin në seminarin e ndjekësve të Shën Injacit të Lojolës. Kaloi një periudhë në Kili dhe më pas, u kthye në Buenos Aires. Në vendlindje, u diplomua për filozofi në vitin 1963. Nga viti 1964 dha mësim letërsie dhe psikologjie për tre vjet në kolegjet e Santa Fé dhe Buenos Aires. Më 13 dhjetor 1969, shugurimi meshtarak me duart e ipeshkvit mbi krye e me një dorë tjetër para syve, atë të Krishtit, me gishtin tregues drejt tij, ashtu si në pikturën e shën Mateut.

"Thirrja e Mateut" e Caravaggio-s
"Thirrja e Mateut" e Caravaggio-s

Mëshira…

Jo rastësisht motoja ipeshkvnore e më pas, papnore, e Françeskut është "Miserando atque eligendo" ("E shikoi me mëshirë dhe e zgjodhi"). Një fragment nga një predikim i Shën Bedës së Nderuar, i cili komenton episodin ungjillor të thirrjes së tagrambledhësit, që u bë apostull. Që atëherë, mëshira ka qenë një nga pikat kyçe të shërbesës së Papës Bergoglio, e shprehur me "afërsi, dhembshuri, butësi".

13 dhjetor 2024, 12:00