Papa: bamirësia është motor i ndryshimit shoqëror, jo filantropia
R.SH. – Vatikan
Të shkohet përtej së mirës konkrete për ta transformuar shoqërinë nga brenda: kjo është sfida, që u paraqet Papa Françesku rreth njëqind anëtarëve të Karitasit dioqezan të Toledos, nga Spanja, pritur sot në audiencë, në Vatikan, me rastin e 60-vjetorit të organizatës bamirëse, themeluar më 2 qershor 1964.
Sfida e transformimit të shoqërisë
Papa shprehu vlerësimin e tij për shërbimin e Karitasit, duke theksuar:
“Impenjimi bamirës – shpjegoi – shkon përtej së mirës konkrete, që mund t'i bëhet personit, duke marrë përsipër sfidën për të qenë motor i ndryshimit brenda shoqërisë, përmes përhapjes së frymës së bamirësisë dhe drejtësisë, si edhe për të zgjuar në të gjithë njerëzit vullnetmirë një ndërgjegje më vëllazërore”, e cila, nganjëherë është “në gjumë”, ose “nuk zhvillohet”.
Bamirësia si mjet ungjillizimi
Në këtë mënyrë, shtoi Françesku, shmangim rrezikun që të jemi thjesht “shembull qytetarie dhe filantropie” për t’u bërë diçka me vlerë më të lartë, për të qenë “mjete ungjillizimi”. Kjo është e mundur përmes gjuhës universale të bamirësisë:
“Veprat e bamirësisë nuk kanë nevojë për përkthyes, nuk ka fjalor për t'i përkthyer ato - ritheksoi Papa. - Është gjuhë universale, e kuptueshme për të gjithë, e shkruar me dëshminë dhe impenjimin e gjithë veprimtarëve të Karitasit, të përkushtuar ndaj Jezu Krishtit dhe Ungjillit të tij”.
Bashkëpunim dhe sinodalitet
Objektivi është "i lartë", vazhdoi Ati i Shenjtë, i cili kërkoi një "punë artizanale", bazuar në atë formim "njerëzor dhe shpirtëror", që na bën t’i shikojmë "me solidaritet problemet shoqërore", duke ndjekur busullën e Doktrinës Shoqërore të Kishës dhe duke punuar me "frymë bashkëpunimi dhe sinodaliteti me të gjitha realitetet baritore dioqezane". Së fundi, Françesku i inkurajoi anëtarët e Karitasit të Toledos të kenë atë urti, që mësohet nga Krishti, nga lutja, nga Ungjilli dhe nga dëgjimi i atyre që kanë nevojë. Në një botë ku "marrëzia blihet dhe shitet" me çmim të lartë, përfundoi Papa, t’u qëndrojmë pranë atyre, që "nuk kanë ku ta mbështesin kokën dhe nuk gjejnë mikpritje".
Disa të dhëna
Sipas të dhënave të raportit ekonomik të Karitasit dioqezan të Toledos, në vitin 2023, në atë kryedioqezë shërbejnë 116 Karitase famullitare, 2 Karitase ndërfamullitare dhe 5 qendra dioqezane. Falë punës së 1.221 vullnetarëve dhe 72 punonjësve, janë ndihmuar 23.526 vetë, ndërsa 10.517 nevojtarë të tjerë në një formë më të drejtpërdrejtë. Për t’iu përgjigjur problemeve të varfërisë në kryedioqezë, janë caktuar 5,3 milionë euro.