Papa takohet me Presidentin e SHBA Joe Biden më 29 tetor 2021 Papa takohet me Presidentin e SHBA Joe Biden më 29 tetor 2021  (Vatican Media)

Papa bisedon me Joe Biden

Françesku bisedoi në telefon me presidentin e SHBA-së për çështje të ndryshme aktuale, duke u nisur nga përpjekjet për paqe, në prag të Krishtlindjes. Prijësi amerikan e falënderoi Papën për "punën që synon mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive fetare". Më pas pranoi ftesën për të vizituar Vatikanin në janar. Tema, më pranë zemrës së Papës, është fati i të dënuarve me vdekje në SHBA, për të cilët bëri thirrje në Lutjen e Engjëllit, më 8 dhjetor.

R. SH. - Vatikan

Në atmosferën e përfundimit të mandatit të tij në janar, dje Joe Biden pati një telefonatë me Papën Françesku. Me liderin demokrat - me të cilin ka pasur disa kontakte e takime gjatë këtij viti - Papa bisedoi rreth "përpjekjeve për të mbrojtjen e paqes në botë gjatë festave të Krishtlindjes". Lajmin e bisedës e dha një njoftim nga Shtëpia e Bardhë, ku shkruhet se Biden "e falënderoi Papën për angazhimin e tij të vazhdueshëm  e përpjekjet për të lehtësuar vuajtjet globale, duke përfshirë punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe  të lirisë fetare". Presidenti - nënvizohet më tej në njoftim - "pranoi edhe ftesën e Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku, për të vizituar Vatikanin muajin e ardhshëm". Vizita do të jetë e fundit, para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, kur pasardhësi, Donald Trump, do të bëjë betimin si president i ri, i zgjedhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shqetësimi i Papës për të burgosurit e dënuar me vdekje

Një nga temat, të cilat Papa i ka më shumë për zemër, është ajo e të burgosurve, që ndodhen në prag të vdekjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çështje kjo, gjithnjë e dashur nga Jorge Mario Bergoglio i cili, në vitin 2018, e ndryshoi pjesën e Katekizmit të Kishës Katolike numër 2267 për të ripohuar mospranimin e dënimit me vdekje, gjithnjë dhe në çdo rast, sepse - shpjegoi - dinjiteti njerëzor nuk dështon as kur njeriu kryen ndonjë krim të rëndë.

Shpresa për Jubileun

Në një nga videomesazhet, me qëllimet e tij mujore të lutjes për vitin 2022, Papa Françesku ripohoi "jo"-në e tij ndaj një gjyqi që nuk zbaton drejtësinë, por nxit hakmarrjen. Rreth dy javë më parë, u rikthye tek kjo çështje, në prag të Jubileut, kohë shprese dhe mëshire gjatë së cilës - siç shkroi në fjalimin Spes Non Confundit - ka shpresë se do të ndërmerren hapa konkrete, si falja e borxhit të jashtëm për vendet e varfra dhe shfuqizimi i dënimit me vdekje në çdo vend të botës (deri në vitin 2022, në fuqi në 53 vende). Një akt “në kundërshtim me fenë e krishterë” që “asgjëson çdo shpresë faljeje dhe rilindjeje”, shkroi Papa Françesku.

Thirrja në Lutjen e Engjëllit, më 8 dhjetor

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer, më 8 dhjetorin e kaluar, Papa iu drejtua të gjithë besimtarëve të pranishëm dhe të lidhur përmes mediave, duke u kërkuar "të luten për të burgosurit që ndodhen në prag të vdekjes në Shtetet e Bashkuara... Të lutemi - tha - që dënimi t'u zbutet, t’u ndryshohet! Të mendojmë për këta vëllezër e motra tona dhe t'i kërkojmë Zotit hirin t'i shpëtojë nga vdekja”.

Mbështetja e ipeshkvijve amerikanë dhe e shoqatave humanitare

Fjalët e Papës u pasuan nga thirrja e menjëhershme e Konferencës Ipeshkvnore drejtuar të gjithë katolikëve në SHBA, duke i kërkuar Presidentit aktual Biden që dënimet me vdekje të dyzet personave të dënuar me vdekje në burgjet federale, t'i zbusë në burgim të përjetshëm.

Edhe Rrjeti i Mobilizimit Katolik (Cmn), organizatë kombëtare katolike, që luftoi për heqjen e dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara, nisi një fushatë për të zbutur dënimet e 40 personave që aktualisht mbahen në burgjet federale.

Sipas drejtoreshës ekzekutive, Krisanne Vaillancourt Murphy, për Presidentin Biden - i cili që në qershor 2021 kishte vendosur një moratorium të përkohshëm për ekzekutimet federale (një pauzë që Trump premtoi ta anulonte), kjo është mundësia e vetme dhe e fundit për të ndjekur mësimin katolik dhe për të shpëtuar jetët e këtyre njerëzve. E ta bëjë këtë në muajin e parë të Jubileut, i fundmi i mandatit të tij.

20 dhjetor 2024, 11:36