Papa: bredhi dhe skena e lindjes së Krishtit, simbole të Kishës, ku ka vend për të gjithë

Duke përshëndetur delegacionet që dhuruan simbolet e Krishtlindjes për Sheshin e Shën Pjetrit dhe Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa Françesku i krahason rrathët e trungut të bredhit me breznitë e besimtarëve, të shtrënguar "rreth zanafillës së vetme, Jezusit". Skenat e Lindjes nga Betlehemi janë kujtim, “me lot në sy” për ata që e vuajnë “dramën e luftës”

R.SH. / Vatikan

Bredhi i Krishtlindjes, me unazat që simbolizojnë vargun e brezave të besimtarëve, të rrënjosur "rreth origjinës së vetme, Jezusit"! Skena e lindjes së Krishtit, e cila rrëfen misterin e Zotit të bërë njeri, duke mishëruar “deri në fund të fundit” varfërinë e tij! Skena të Lindjes së Krishtit, që vijnë kryesisht nga Betlehemi, të cilat kujtojnë "me lot në sy" "dramën e luftës"…

Janë këto temat qendrore të urimit, të cilat Papa Françesku ua drejtoi delegacioneve që dhuruan simbolet e Krishtlindjes për Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe Sallën Pali VI, të pritura sot, më 7 dhjetor, pikërisht në dhomën e madhe, hijeshuar për festat, që na trokasin tek porta!

Përshëndetje autoriteteve të pranishme

Takimi, që i paraprin inaugurimit të sotëm, në orën 18.30, përfaqëson aktin e parë të nismës "Lindja e Krishtit në Betlehem 2024". Papa përshëndet përfaqësuesit institucionalë të Grados dhe Ledros, komunat e vogla prej nga vjen kujtimi i Lindjes së Krishtit dhe bredhi 29 metra i lartë, që gjallëron Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Mirëpret, më pas, delegacionin e ambasadës së Shtetit të Palestinës pranë Selisë së Shenjtë - që përfaqëson qytetin e Betlehemit, nga ku vijnë skenat e tjera të lindjes së Krishtit - dhe të gjitha autoritetet e tjera të pranishme civile e kishtare.

Unazat e pemës pasojnë njëra-tjetrën, si breznitë e krishtera

Duke u ndalur te pema, Papa Françesku kujtoi "solemnitetin e saj madhështor" e krasitjen e kryer "në përkim me parimet ekologjike të zëvendësimit natyror të pyllit". Unazat e trungut - shpjegon - ofrojnë "pamjen e bukur" të Kishës: "popull e lëndë" që përhapin "dritën e Krishtit" përmes vazhdimësisë së brezave të besimtarëve:

“Të lashtat u dhanë jetë të rejave, të rinjtë përqafojnë dhe mbrojnë të lashtët, në misionin në botë dhe në udhën e tyre drejt Qiellit”.

Mishërimi i Zotit përmes "burimeve të ligshta" njerëzore.

Nën hijen e Bedhit ndodhet Shpella e Betlehemit e cila, në përkim me traditën e Grados, riprodhon një "kasone", në ngjasim të shtëpive tipike prej balte dhe kallamishteje të ishujve të lagunës Friuliane, ku peshkatarët ndanin "gëzimet dhe hidhërimet" e përditshme “të kësaj pune të vështirë”. Një kujtim i mëtejshme për Krishtlindjen, "në të cilën Zoti bëhet njeri, që të marrë pjesë plotësisht në varfërinë tonë", duke ndërtuar Mbretërinë e tij "nëpërmjet burimeve të dobëta të natyrës sonë njerëzore, të pastruar dhe të forcuar nga hiri i tij" dhe jo me "mjete të fuqishme".

“Po të shtrëngohesh pakëz” në Kishë “ka vend për të gjithë”

Papa thekson nevojën historike për një "batela", një varkë e sheshtë, e përshtatshme për ujërat e cekëta, për të lëvizur nga një kasolle në tjetrën. "E edhe për ta arritur Jezusin duhet një varkë: Kisha" - kujtoi Françesku:

“Nuk mund të arrish ‘vetëm, por së bashku, në bashkësi, në atë varkë të vogël-të madhe, që Pjetri vazhdon t’i prijë dhe në bord të së cilës, duke u shtrënguar pak, ka gjithmonë vend për të gjithë.”

Nga skenat e Betlehemit, tek "drama e luftës"

Duke shikuar, së fundi, skenat e lindjes të Betlehemit, Papa vëren, megjithë larminë e tyre, "të njëjtin mesazh paqeje dhe dashurie" të lënë nga Jezusi. Janë përgjigje për ata që "në vendin ku lindi i biri i Zotit ", vijojnë të vuajnë "nga drama e luftës".

07 dhjetor 2024, 13:34