Kërko

 Në Engjëllin e Tënzot, dhimbja e Papës për fëmijët viktima të luftërave Në Engjëllin e Tënzot, dhimbja e Papës për fëmijët viktima të luftërave  (AFP or licensors)

Papa, dhimbje për “fëmijët e pushkatuar”. Të heshtin armët kundër shkollave, spitaleve dhe kishave

Në përshëndetjet menjëherë pas Engjëllit, Françesku bën thirrje për një armëpushim për Krishtlindje në të gjitha frontet e luftës dhe përsërit mesazhin e tij të paqes, të shpresës dhe të pajtimit për tokat si Mozambiku, Ukraina e martirizuar, për Tokën e Shenjtë. Përshëndetje fëmijëve të ambulancës Santa Marta dhe mendimi për ata që jetojnë në territore në pritje të bonifikimit.

R. SH. - Vatikan

Shqetësimi i Papës për të gjithë ata që i jetojnë vuajtjet e shkaktuara nga lufta dhe dhuna është i madh dhe i vazhdueshëm. Vetëm tri ditë para lindjes së Jezusit, tek i cili njerëzit i mbështesin shpresat e tyre, Papa, në përshëndetjet besimtarëve menjëherë pas Engjëllit, kujtoi Mozambikun, ndërmjet varfërisë dhe dhunës, të cilën Françesku e shikon "me vëmendje dhe shqetësim" e me lutjen që "dialogu dhe kërkimi i së mirës së përbashkët, i mbështetur nga feja dhe vullneti i mirë, të mbizotërojë mbi mosbesimin dhe mosmarrëveshjen", duke denoncuar, më pas, "mizoritë e shumta" të pësuara nga fëmijët e pafajshëm në zona të tjera konflikti:

Ukraina e martirizuar vazhdon të goditet nga sulmet kundër qyteteve, të cilat ndonjëherë dëmtojnë shkollat, spitalet dhe kishat. Të heshtin armët e  të kumbojnë këngët e Krishtlindjeve! Të lutemi që në Krishtlindje të ketë armëpushim në të gjitha frontet e luftës, në Tokën Shenjte, në Ukrainë, në të gjithë Lindjen e Mesme e në mbarë botën. Me dhimbje mendoj edhe për Gazën, për një mizori të tillë; për fëmijët e vrarë, bombardimin e shkollave dhe të spitaleve... Sa shumë mizori!

Asnjë fëmijë nuk është gabim

I lidhur nga kapela e Shtëpisë së Shën Martës, prej nga drejtoi lutjen e Engjëllit për shkak të simptomave të të ftohurit dhe të ftohtit, Papa iu drejtua të gjithë qytetarëve italianë që “jetojnë në territore, të cilat prej kohe presin bonifikimin për të mbrojtur shëndetin”, duke shprehur afërsinë e tij për të gjitha këto popullsi, veçanërisht për ata që pësuan tragjedinë e fundit në Calenzano, komune e Firences, ku pesë persona mbetën të vrarë në shpërthimin e një magazine të Eni më 9 dhjetor. Françesku më pas vazhdoi të tregojë historinë e mëngjesit të tij, arsye për të kujtuar se fëmijët nuk janë kurrë një gabim:

Sot në mëngjes pata gëzimin të jem me fëmijët, me nënat e tyre, që frekuentojnë Dispanserinë e Shën Martës, të drejtuar - këtu në Vatikan - nga motrat Vincenciane, murgesha të mira këto.... Ndër to është një murgeshë që është si gjyshja e të gjithëve, murgesha e mirë Antonietta (Motra Antonietta Collacchi) që e kujtojnë me shumë dashuri. E edhe mua, shum ‘Asnjë fëmijë nuk është gabim!".

Në Krishtlindje askush të mos mbetet vetëm

Së fundi, bekimi i “Krishtit Fëmijë”, që fëmijët dhe të rinjtë e sollën në Sheshin e Shën Pjetrit dhe që do ta vendosin më pas në Shpellat e Betlehemit, “gjest i thjeshtë, por i rëndësishëm”, e quan Papa, që e mbyll takimin me shpresën se askush nuk do t'i harrojë gjyshërit e, sidomos, "askush të mos mbetet i vetëm në këto ditë të mëdha e të lume".

22 dhjetor 2024, 13:25