2024.12.06 Motrat Karmelitane, Lajmëtare të Shpirtit Shenjt, në audiencë te Papa 2024.12.06 Motrat Karmelitane, Lajmëtare të Shpirtit Shenjt, në audiencë te Papa

Papa: duhet angazhim i përditshëm, që Ungjilli të arrijë tek të gjithë

Në audiencën me Motrat Karmelitane, Lajmëtare të Shpirtit Shenjt, të pritura me rastin e 40-vjetorit të themelimit, kremtuar sivjet në korrik, në lidhje me Kapitullin e katërt të Përgjithshëm, Papa kujton kryesisht misionin e të gjithë të krishterëve, ungjillëzimin, të cilit murgeshat, themeluar në Brazil e ardhur në Evropë, i shërbejnë përmes aktiviteteve baritore në famulli dhe mjeteve të komunikimit

R.SH. / Vatikan

Shërbimi i ungjillëzimit dhe i përhapjes së Fjalës së Zotit duhet të arrijë tek të gjithë dhe, për këtë, është e nevojshme të angazhohemi çdo ditë. Papa Françesku e nënvizoi këtë duke folur me Motrat Karmelitane, Lajmëtare të Shpirtit Shenjt, që u pritën në audiencë sot, 6 dhjetor, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik, në Vatikan, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të tyre, festuar këtë vit në korrik, në lidhje me Kapitulli IV të Përgjithshëm. Ungjillëzimi, kundrimi, apostullimi

Instituti i ri fetar, i lidhur me urdhërin e karmelitaneve të zbathura dhe i rrënjosur në traditën soditëse të Karmelit Terezian, lindi në Brazil, por u  përhap edhe në vise të ndryshme të Evropës. Në  Itali ka gjashtë bashkësi. Karizma e tij e veçantë është ajo e ungjillëzimit, e kombinuar me soditjen dhe veprimin apostolik.

Misioni i të krishterëve

Pikërisht në këto aspekte ndalohet Papa, duke rikujtuar fragmentin e Ungjillit që përshkruan Jezusin në sinagogën e Nazaretit dhe që frymëzoi themelimin e lajmëtareve karmelitane të Shpirtit Shenjt: "Shpirti i Zotit është mbi mua [...] ai më dërgoi […] për të shpallur një vit hiri”.

Shpallja e Ungjillit në mbarë botën është misioni i të gjithë të krishterëve. Këto janë fjalët e Shën Palit, që duhet të tingëllojnë në zemrën e çdo të pagëzuari: “Mjer unë, nëse nuk e shpalli Ungjillin!”.

Papa Françesku vëren se “ky impuls misionar i ungjillëzimit”, në familjen fetare, “në fusha të ndryshme, është i lidhur ngushtë me soditjen dhe me një jetë lutjeje, që ndjek traditën e lashtë e të bukur karmelitane”. Për këtë falënderon rregulltaret, duke kërkuar, më në fund, bekimin e Zotit dhe ndërmjetësimin e Zojës së Aparecidës për të shoqëruar udhën e tyre. 

Karmelitanet, Lajmëtare të Shpirtit Shenjt

Instituti i Motrave Karmelitane “Lajmëtaret e Shpirtit Shenjt” u themelua më 30 korrik 1984, nga Motra Maria Josè do Espirito Santo. Motoja e tij është "Të kundrojmë, për të ungjillëzuar në dritën e Shpirtit Shenjt të Zotit". Murgeshat kanë si qendër të përshpirtërisë, lutjen e jetuar personalisht dhe bashkërisht dhe punojnë për ungjillëzimin në aktivitete të ndryshme baritore në famulli, grupe lutjesh, vizita në familje, animacion liturgjik, predikime, misione popullore. Pa harruar radion, TV, rrjetet, muzikën dhe librat. Karizma e tyre lind nga urgjenca dhe nevoja për të ungjillëzuar njerëzit që jetojnë larg Zotit, të zhytur në problemet, vuajtjet, ankthin dhe depresionin e tyre, duke kërkuar forma të jashtme si përgjigje ndaj dëshirave dhe britmave, që lartohen deri në qiell!

06 dhjetor 2024, 13:29