Papa: financat të favorizojnë ekonominë e paqes
R. SH. - Vatikan
Është një financë që “nuk ka më fytyrë”, ajo e kësaj bote të globalizuar! Që “është distancuar nga njerëzit”, “që rrezikon të përdorë kriteret e fajdes, kur favorizon ata që tashmë janë të garantuar, ndërsa i përjashton ata, që janë në vështirësi dhe do të duhej të mbështeteshin me kredi”. Nuk përdor gjysma fjalësh Papa, ndërsa reflekton "mbi potencialin dhe kontradiktat e ekonomisë dhe financave aktuale" në fjalimin drejtuar delegacioneve të Banca Etica, Banca di Credito Cooperativo Abruzzi e Molise dhe Banca di Credito Cooperativo Campania Centro, pritur sot, 16. dhjetor, në audiencë në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Përballë realitetit aktual, Françesku kërkon faljen e borxheve, si në Spes nonconfundit, bula e shpalljes së Jubileut 2025, dhe nënvizon se fitimi nuk duhet të jetë qëllimi i vetëm i bankave, përndryshe pabarazitë do të rriten e njerëzit do të shkelen me këmbë.
Financa e shëndetshme nuk degjeneron në sjellje fajdexhinjsh, në spekulime të pastra dhe në investime, që dëmtojnë mjedisin dhe favorizojnë luftërat.
Synimi fisnik i bankave të para popullore
Françesku përshkon historinë e bankave popullore dhe kujton se në "shumë raste burra dhe gra të përfshirë në bashkësinë kishtare nxitën dhe krijuan Monti di pietà, banka, institucione kreditit kooperativë, banka rurale" për t'u ofruar "mundësi, atyre që përndryshe nuk do t’i kishin”, aq sa në shekullin XV disa familje u ndihmuan dhe u integruan në veprimtaritë ekonomike dhe sociale të qyteteve. Megjithëse, me lindjen e Monti di Pieta, françeskanizmi vuri në dukje se "prania e njerëzve të varfër në qytet ishte shenjë e sëmundjes sociale", gjë që është e përhapur edhe sot, vërejti Papa. Ndërmjet shekujve XIX dhe XX, "edhe pas botimit të Enciklikës Rerum novarum të Leonit XIII", falë nismës së priftërinjve dhe laikëve, "u zhvillua ekonomia e lidhur me territorin", ndërsa kredia bankare mbështeti aktivitete të ndryshme ekonomike në fushën e bujqësisë, të industrisë dhe tregtisë.
Ekonomia e paqytetëruar
Kështu ishte dje, por sot ka disa kontradikta në mënyrën e caktuar për t’u marrë me veprimtari bankare dhe financiare, thekson Papa.
Kur kriteri i vetëm është fitimi, kemi pasoja negative për ekonominë reale.
Mbi të gjitha ka shumëkombëshe që i lëvizin veprimtaritë e tyre atje ku "është më e lehtë të shfrytëzohet puna", duke i vënë kështu "familjet dhe komunitetet në vështirësi" dhe duke anuluar "aftësitë e punës që janë ndërtuar me dekada". Më pas është edhe "financimi që mbledh fondet në një vend” duke i devijuar ato “në zona të tjera me një qëllim të vetëm, rritjen e interesave të veta”. Në praktikë, rreziku “është largësia nga territoret”. Dhe pastaj natyrisht "njerëzit ndihen të braktisur dhe të shfrytëzuar".
Kur financa i shkel njerëzit, nxit pabarazitë dhe distancohet nga jeta lokale, e tradhton qëllimin e saj. Ajo bëhet - siç do të thoja - ekonomi e paqytetëruar.
Favorizoni qëndrueshmërinë
Por, në panoramën bashkëkohore, ka ende banka që shikojnë nevojat e ndryshme të njerëzve, nënvizoi Françesku.
Pa sisteme të përshatshme financiare, të afta për të përfshirë dhe për të nxitur qëndrueshmërinë, nuk do të kishte zhvillim të gjithanshëm njerëzor. Investimet dhe mbështetja për punën nuk do të ishin të mundura pa rolin e ndërmjetësimit tipik të bankave dhe të kredisë, me transparencën e nevojshme.
Ekonomi paqeje
Janë pozitive ato ekonomi dhe financa, që “kanë ndikime konkrete në territore, në bashkësinë civile e fetare, në familje” mendon Papa, që më pas ndalohet tek roli i rëndësishëm social i bankave.
Institutet bankare kanë përgjegjësi të mëdha për të inkurajuar logjikat gjithëpërfshirëse dhe për të mbështetur ekonominë e paqes. Jubileu, tek portat, na kujton nevojën për t’i falur borxhet. Është kushti për të lindur shpresën dhe të ardhmen në jetën e shumë njerëzve, veçanërisht më të varfërve.
Mbillni shpresën
Të mbjellësh besimin: kjo është detyra që Françesku ua besoi institucioneve bankare, duke i këshilluar ta "mbajnë lart nivelin e drejtësisë shoqërore".