Papa me fëmijët e Veprimit Katolik Papa me fëmijët e Veprimit Katolik

Papa Françesku për të rinjtë e Veprimit Katolik: Krishtlindja është mahnitje

Ati i Shenjtë i priti sot të rinjtë e impenjuar në famulli, për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes. U kërkoi të mendojnë për fëmijët e varfër dhe për të rinjtë në luftë

R.SH. – Vatikan

Papa u kujtoi të rinjve të Veprimit Katolik, të cilët i priti sot paradite në audiencë, nevojën për t’u mahnitur gjatë ditëve rreth Krishtlindjes. Në shkëmbimin tradicional të urimeve - takim i përvitshëm me, djemtë e vajzat që impenjohen në famulli - Françesku u kërkoi t’i shikojnë në sy nevojtarët, të mos harrojnë fëmijët në vështirësi, t’u dhurojnë dashurinë e tyre, të mendojnë për të rinjtë si ata, që sëmuren, sepse nuk kanë ç’të hanë. Ati i Shenjtë përmendi fëmijët ukrainas, që po jetojnë nën bomba e kanë harruar të buzëqeshin, madje, nuk dinë më të buzëqeshin. Nëse mendoni për ta, vërejti Papa, i bëni jehonë këngës së Engjëjve për Krishtlindje.

Carlo Acutis: “Të mos jeni fotokopje”

Françesku i falënderoi të rinjtë për dhuratat, që i sollën, duke u kujtuar mësimin e Carlo Acutis, të cilin do ta shpallë shenjt gjatë Jubileut 2025. “Të mos jeni fotokopje”, thoshte i riu, që impenjohej si katolik në internet. E Papa shtoi se nuk duhet “të marrim asgjë si të mirëqenë, veçanërisht dashurinë: atë të Zotit dhe atë të njerëzve, që takojmë. T’ua ngjisim të gjithëve dhe gjithçkaje mahnitjen tonë: nga shtëpia në shtëpi, nga famullia në famulli, nga qyteti në qytet, nga kombi në komb. Kështu përhapim lumturinë, besimin dhe ngushëllimin”.

Programi edukativ i Veprimit Katolik

Papa komentoi programin edukativ të Veprimit Katolik për vitin e ardhshëm, i cili bazohet në frazën “dilni në det të hapur”, pra, nënvizoi Ati i Shenjtë, peshkoni njerëz, që nuk do të thotë "t’i kapni ata”, për t’i futur në ndonjë rrjetë nga ku nuk mund të dalin, por t’u ofroni të gjithëve dashurinë e Zotit dhe "shëlbimin e Tij, pa pritur asgjë në këmbim dhe pa përjashtime".

20 dhjetor 2024, 12:24