Kërko

Takimi në aeroportin e Ajaccio-s, ndërmjet Papës dhe presidentit francez Macron Takimi në aeroportin e Ajaccio-s, ndërmjet Papës dhe presidentit francez Macron

Papa Françesku takohet me Macron: “Faleminderit që erdhët këtu”

Akti i fundit i vizitës në Korsikë ishte biseda me dyer të mbyllura në një dhomë private në aeroportin e Ajaccio-s, ndërmjet Papës dhe presidentit francez. Pas shkëmbimit të dhuratave dhe batutave, Françesku e ftoi kreun e shtetit të lexonte fragmentin nga Nxitja "Gaudete et Exsultate", që kujton mësimin e Shën Tomas Morit për të mos humbur kurrë humorin

R.SH. – Vatikan

“Ju falënderoj për këtë gjestin e ardhjes këtu. Ky gjest tregon personalitetin tuaj, që kërkoni takimin. Faleminderit shumë për kohën që më kushtuat”. Papa Françesku e priti me fjalë mirënjohjeje presidentin francez Emmanuel Macron, i cili erdhi në Ajaccio për t'i dhënë lamtumirën, pak para se të largohej nga Korsika, destinacioni i udhëtimit të tij të 47-të apostolik.

Dhuratë, një libër mbi Notre-Dame

Në një dhomë të vogël në aeroportin, që mban emrin e Napoleonit, Papa dhe presidenti hynë së bashku pak para orës 18.00, të shoqëruar nga delegacionet e tyre përkatëse. Macron i dha Atit të Shenjtë menjëherë dhuratën: një libër të madh kushtuar katedrales Notre-Dame, restauruar pas zjarrit dramatik të vitit 2019 dhe hapur për publikun më 7 dhjetor. Papa iu përgjigj me medaljet e papnisë dhe me dokumentet e magjisterit. Në veçanti, Françesku mori kopjen e nxitjes apostolike “Gaudete et Exsultate” për të gjetur faqen ku citohet rekomandimi i Shën Tomas Morit për të mos humbur humorin. Papa i tha Macron-it ta lexonte, duke e bërë presidentin të buzëqeshë e t’i shtrëngojë dorën Papës.

Falënderimi për vizitën

Pas falënderimeve për vizitën, "në emër të Korsikës dhe Francës", biseda e Papës me presidentin frencez vijoi me dyer të mbyllura, akti i fundit para ceremonisë së lamtumirës në aeroport, në fund të një udhëtimi rrufe, që shënoi një kapitull të ri në histori për ishullin mesdhetar.

15 dhjetor 2024, 19:11