Papa: jemi përgjegjës para urisë fizike dhe asaj për dinjitet njerëzor
R.SH. – Vatikan
Eukaristia, mjet për t'u bërë "misionarë të vëllazërimit" dhe "shenja të prekshme të shpresës". Por edhe kujtim i “përgjegjësisë sonë” përballë “urive” të shumta të njerëzimit. Uri fizike, por, shpeshherë, edhe uri për "liri e dinjitet", për "paqe e dashuri". Uri për t’i dhënë kuptim jetës.
Gëzim dhe falënderim për Ruandën
Me këto fjalë, në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku inkurajon punën e pjesëmarrësve në Kongresin II Kombëtar Eukaristik, që u mbajt në Ruandë nga data 4 deri më 8 dhjetor 2024. Në tekstin drejtuar imzot Vincent Harolimana, ipeshkëv i Ruhengeri-t dhe delegat i Konferencës Ipeshkvnore të Ruandës për Kongreset Eukaristike, Ati i Shenjtë bashkohet me gëzimin e gjithë besimtarëve të krishterë të vendit afrikan, duke falënderuar Zotin bashkë me ta.
Ndërtimi i "qytetërimit të dashurisë"
Tema e konferencës, "Ta fiksojmë vështrimin mbi Jezusin në sakramentin e Eukaristisë: burim shprese, vëllazërimi dhe paqeje", i jep Papës shkas të reflektojë mbi Kungimin, "qendër e gjithë jetës së krishterë" dhe shenjë e prekshme "e dashurisë së Krishtit për njerëzimin". Kungimi, vëren Françesku, "na inkurajon t’ua dhurojmë vetveten të tjerëve", duke punuar së bashku "për të ndërtuar një qytetërim dashurie".
Të jemi "shenja të prekshme shprese"
Në prag të Jubileut 2025 dhe të 125-vjetorit të ungjëllizimit të Ruandës, Papa i fton besimtarët të nisen nga “Krishti, buka e jetës”, duke i nxitur të tregojnë solidaritet me “këdo, që gjendet në situatë të vështirë”. Duhet të jemi "shenja të prekshme shprese", inkurajon Ati i Shenjtë, duke cituar Bulën, që shpall Jubileun, “Spes non confundit”.
Të bëhemi “misionarë eukaristikë të vëllazërimit”
Eukaristia, vijon Papa, kujton një "përgjegjësi" të përbashkët para nevojave fizike dhe shpirtërore të njerëzimit, duke nxitur shpresën "në Zotin njini e trini". Natyra e tij "në thelb, relacionale" i fton njerëzit të jetojnë "në bashkësi" e jo "të izoluar". Të bashkuar, duke thyer barrierat "e racës, gjuhës a të traditës kulturore", “bëhuni misionarë eukaristikë të vëllazërimit”, bën thirrje së fundi Papa.