Kërko

Hapja e Derës së Shenjtë në Jubileun e Mëshirës (8 Dhjetor 2015) Hapja e Derës së Shenjtë në Jubileun e Mëshirës (8 Dhjetor 2015)

Papa: Jubileu, mundësi hiri, për të takuar Zotin dhe të tjerët

Viti jubilar kohë shpengimi dhe rilindjeje. Jezusi, në të vërtetë, vjen për të çliruar nga çdo skllavëri, për të hapur sytë e të verbërve, për të çliruar të shtypurit (shih Luka 4:18-19). Në një program të tillë mesianik, Jubileu zgjerohet dhe përfshin të gjitha format e shtypjes së jetës njerëzore, duke u bërë kështu rast hiri për çlirimin e atyre që gjinden në mëkat dhe dëshpërim, për shërimin e çdo verbërie shpirtërore, që nuk na lejon ta takojmë Zotin dhe t’i shohim të tjerët

R.SH. / Vatikan

Gazeta italiane “Il Messaggero” publikon sot një reflektim të Papës Françesku për Jubileun 2025.

Papa Françesku

Në historinë e popullit të Izraelit, tingulli i bririt të dashit i quajtur yobel- prej nga e ka zanafillën termi "jubile" - kumbonte në çdo fshat, duke shpallur fillimin e një viti të veçantë, sipas Ligjit të Moisiut (shih Lv 25).

Viti jubilar ishte kohë shpengimi dhe rilindjeje, e karakterizuar nga disa zgjedhje me karakter të fortë simbolik, të cilat edhe sot janë çarmatosëse e të rëndësishme: pushimi i punimit të tokës, për të kujtuar se askush nuk është pronari i saj, që të mund ta shfrytëzojë, mbasi ajo i përket Zotit e Ai na e jep, si dhuratë për t'u çmuar; falja e borxheve, që synonte të rivendoste në mënyrë ciklike, pra çdo 50 vjet, drejtësinë sociale kundër pabarazive; çlirimi i skllevërve, për të kultivuar ëndrrën e një bashkësie njerëzore të lirë nga paragjykimet dhe diskriminimet, të ngjashme me popullin e heksodit, të cilin Zoti e deshi si një familje të vetme në shtegtim…

Në fillim të predikimit të tij, në Sinagogën e Nazaretit, Jezusi kujtoi këtë horizont hebre të Jubileut, duke i dhënë kuptim të ri dhe përfundimtar: ai vetë është fytyra e Zotit zbritur mbi tokë për të shëlbuar të varfërit dhe për të liruar të burgosurit, i ardhur për t’ua shprehur dhembshurinë e Atit, njerëzve të lënduar, të rënë, të pashpresë.

Jezusi, në të vërtetë, vjen për të çliruar nga çdo skllavëri, për të hapur sytë e të verbërve, për të çliruar të shtypurit (shih Luka 4:18-19). Në një program të tillë mesianik, Jubileu zgjerohet dhe përfshin të gjitha format e shtypjes së jetës njerëzore, duke u bërë kështu rast hiri për çlirimin e atyre që gjinden në burgun e mëkatit, të dorëheqjes dhe të dëshpërimit, për shërimin e çdo verbërie shpirtërore, që nuk na lejon ta takojmë Zotin dhe t’i shohim të tjerët, të ngjallim gëzimin e ri në takimin me Atin e, kështu, të mund të rifillojmë rrugën e jetës në shenjën e shpresë.

Në këtë frymë, që nga viti 1300 me Bulën e Papës Bonifaci VIII, miliona shtegtarë shkojnë në Romë, duke shprehur me shtegtimin e tyre të jashtëm, dëshirën për një shtegtim të brendshëm ripërtëritjeje, që jeta e tyre e përditshme, edhe pse plot mundime dhe përpjekje, të kapet dhe të mbështetet përsëri tek shpresa e Ungjillit. Të gjithë kanë ndër zemra etje të pashuar për lumturi dhe jetë të përkryer e, përballë të papriturave të së ardhmes, shpresojnë se nuk do t’i nënshtrohen mosbesimit, skepticizmit dhe vdekjes. E Krishti, shpresa jonë, vjen për të takuar flakën e këtij malli që fafitet brenda nesh, duke na ftuar të rizbulojmë gëzimin e takimit me Të! Atë gëzim, që ta shndërron e ta përtërin jetën. Prandaj, "duket qartë se jeta e krishterë është shtegtim, i cili ka nevojë edhe për çaste të forta për ta ushqyer e për ta forcuar shpresën, shoqëruese e pazëvendësueshme, që na lejon t’i hedhim një shikim të shkurtër qëllimit: takimit me Zotin Jezus" (Spes non confundit, n. 5 ).

Ky çast i fortë jetohet gjatë Jubileut.

Dera e Shenjtë që hapet Natën e Krishtlindjes, është ftesa për të bërë një kalim, një Pashkë ripërtëritjeje, për të hyrë në atë jetë të re, që na ofrohet nga takimi me Krishtin. E Qyteti i Romës do të mirëpresë përsëri shtegtarë  të shumtë nga të katër anët e botës, siç ndodhi në vitin 1300, me Jubileun e parë të Kishës Katolike. Në atë kohë, nga Veriu erdhën shumë shtegtarë dhe, siç shprehet Dante Alighieri, me të mbërritur në Monte Mario, mundën të admirojnë shkëlqimin e Qytetit të Amshuar, të cilin e kishin dëshiruar aq shumë; të tjerët, të ardhur nga Jugu, lundruan me varka të vogla deri në Tiber. Të gjithë kishin një dëshirë të madhe të arrinin te Dera e Shenjtë dhe të kalonin pragun. Në të njëjtën mënyrë, çdo përvjetor jubilar vrojton gjurmët e shtegtarëve, që takohen me bukurinë e Qytetit të Amshuar, Romës.

Me rastin jubilar, i madh është mobilizimi e të jashtëzakonshme, masat për përmirësimin e lidhjeve rrugore, funksionalitetin kryesor të transportit publik, restaurimin e monumenteve dhe, në përgjithësi, modernizimin e qytetit të stërlashtë; megjithatë, është e rëndësishme që e gjithë kjo të jetë gati nga pikëpamja e hapësirës urbane! Të mos harrojmë se Jubileu i jep Romës një vokacion të veçantë: të jetë hapësirë ​​mikpritëse për të gjithë, laborator i larmive të dialogut ndërmjet grupeve, punishte multikulturore që mbledh, si në një mozaik, ngjyrat e ndryshme të botës. Kështu, mund të jetë Qytet me frymëmarrje të përjetshme, të rrënjosur në një të kaluar të lavdishme, e cila megjithatë premton të ndërtojë të ardhmen: të ardhmen pa barriera, pa mure diskriminimi dhe mosbesimi.

 Kjo është ëndrra që duhet kultivuar: Qyteti i Romës do t'i tregojë mbarë botës bukurinë e veçantë të asaj historie të krishterë që e farkëtoi dhe që shquhet jo vetëm në shkëlqimin e artit, por edhe, e mbi të gjitha, në profecinë e mirëseardhjes dhe të vëllazërisë.

Në çdo zemër dhe në çdo rrugë të këtij qyteti, pra, le të tingëllojë me hare kënga:

“Roma e pamort

e Martirëve,

e Shenjtorëve...

Mbi të s’do të fitojnë

as forca e as mëria,

në shtigjet e saj

përgjithmonë

do të mbretërojnë

veç paqja e dashuria”

(Himni Papnor).

Kjo është ëndrra që duhet kultivuar: Qyteti i Romës do t'i tregojë mbarë botës bukurinë e veçantë të asaj historie të krishterë që e farkëtoi dhe që shquhet jo vetëm në shkëlqimin e artit, por edhe, e mbi të gjitha, në profecinë e mirëseardhjes dhe të vëllazërisë.

Në çdo zemër dhe në çdo rrugë të këtij qyteti, pra, le të ushtojë me gëzim kënga: “Roma e pavdekshme e dëshmorëve dhe e shenjtorëve... më s’do të mbizotërojë as forca, as mëria, por do të mbretërojnë e vërteta, e edhe dashuria» (Himni Papnor).

18 dhjetor 2024, 16:54