Kërko

Françesku, Kuries Romake: shenjë e mjet i bekimit të Zotit për njerëzimin

Papa, sipas traditës, takohet me bashkëpunëtorët e tij më të afërt për urimet e Krishtlindjes. Flet edhe për dhunën në Rrip, ku bombardimet e fundit vranë shumë të mitur: "Kjo është mizori, nuk është luftë". Fjalimi i Papës u përqendrua kryesisht mbi temën "të folurit mirë". Bëhuni “artizanë të bekimit”, nxiti, duke i rekomanduar të pranishmit të mos dorëzohen para thashethemeve që “e rrënojnë jetën shoqërore”. Duhet të jemi “të qëndrueshëm”: nuk shkruhen bekime e pastaj shpërrallohet i afërmi!

R.SH. / Vatikan

U hap me një denoncim të ri të dhunës në Rripin e Gazës, ku nuk kursehen as fëmijët, fjalimi që Papa Françesku, si çdo vit para Krishtlindjes, sipas një tradite të ndjekur nga të gjithë papët e kohëve të fundit, ua drejton bashkëpunëtorëve të tij më të drejtpërdrejtë të Kuries Romake, mbledhur për të shkëmbyer përshëndetjet për Festat e Krishtlindjes.

Fjalimit të Papës i parapriu përshëndetja e kardinalit Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinajve, që u përqendrua tek kjo epokë "në të cilën ndizen zjarret e luftërave" e shihen “çnjerëzime" dhe "tmerre" që i shporojnë zemrat. Fjalët e Kardinalit e nxisin Papën Françesku për të stigmatizuar dhunën e konflikteve, edhe në dritën e lajmit të djeshëm për sulmin ajror izraelit mbi një ndërtesë banimi në qendër të Gazës, ku humbën jetën të paktën shtatë persona, e ndër ta,  katër fëmijë. “Kardinali Re foli për luftën: dje - kujtoi - patriarkun (Pierbattista Pizzaballa, red.) nuk e lanë të hynte në Gaza, siç kishin premtuar. Ndërsa fëmijët u bombarduan”:

Kjo është mizori, kjo nuk është luftë. Dua ta them këtë sepse të prek zemrën

Papa me Kurien Romake
Papa me Kurien Romake

Flisni mirë, jo keq, për të tjerët

Papa Françesku, më pas, kaloi në fjalimin e tij. Nëse vitet e fundit ka renditur pesëmbëdhjetë “sëmundjet” kuriale apo vështirësitë në procesin e reformës, korrupsionet dhe tradhtitë brenda qarqeve të vogla e “mundimet” që kaloi jeta e Kishës, për këtë 2024 në përfundim, dhe për Vitin 2025, që do të hapet, Jorge Mario Bergoglio zgjodhi si temë të fjalimit të tij “Të flasësh mirë për të tjerët e të mos flasësh keq”.

Është diçka që ka të bëjë me të gjithë, madje edhe me Papën - ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, laikët – e me që jemi të gjithë të barabartë, sepse prek njerëzimin tonë.

Fleta e një “prifti shenjt” nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit

Françesku citon shkrimin mbi letrën ngjitur në zyrën e "një prifti shenjt" të Sekretarisë të Shtetit: "Puna ime është e përvuajtur, e poshtëruar, poshtëruese". Një këndvështrim ndoshta “pak si shumë negativ”, por me një fund të vërtetë, që të ndihmon në një farë mënyre për të kuptuar metodat dhe funksionimin e punës në atë “ofiçinë të madhe” që është Kuria Romake. Një punë modeste, shpesh e fshehur, në mes të një bashkësie, anëtarët e së cilës heqin dorë nga "të menduarit keq dhe të folurit keq për të tjerët", duke filluar nga kolegët dhe eprorët, dhe në vend të kësaj bëhen "artizanë të bekimit".

Françesku gjatë takimit me anëtarët e Kuries Romake
Françesku gjatë takimit me anëtarët e Kuries Romake

Thashethemet e shkatërrojnë jetën shoqërore

Tema, e zgjedhur nga Papa, është në përkim me padinë e "thashethemeve", shprehur prej vitesh, e të  përsëritur edhe sot, duke folur lirisht: "Është një e keqe që shkatërron jetën shoqërore, sëmur zemrat e njerëzve dhe të çon në asgjë. Populli e thotë shumë mirë: ‘Thashethemet janë zero!’. Kini kujdes për këtë."

Zejtarë të bekimit

Përtej thashethemeve, "fjala e mirë" është e natyrshme në vetë misionin e Kuries Romake, "ofiçinë e madhe, në të cilën ka shumë detyra të ndryshme", por ku "të gjithë punojnë për të njëjtin qëllim": për të përhapur bekimin e Zotit dhe të Kishës në mbarë botën. Në Kishë, shenjë dhe mjet i bekimit të Zotit për njerëzimin, të gjithë jemi thirrur të bëhemi artizanët e bekimit

Koherenca: nuk shkruhen bekimet e pastaj flitet keq për të tjerët

Në veçanti, Papa flet për "punën e fshehtë të 'minutologut'", i cili "në dhomën e tij përgatit një letër, në mënyrë që të arrijë tek një i sëmurë, një nënë, një baba, një i burgosur, një i moshuar, një fëmijë, lutja dhe bekimi i Papës”. “Dhe çfarë është ky? A nuk nuk quhet zejtar i bekimit?”.

 Është bukur të mendosh se me punën e përditshme, veçanërisht me atë më të fshehtën, secili prej nesh mund të kontribuojë për të sjellë bekimin e Zotit në botë, por në këtë duhet të jemi koherentë: nuk mund të shkruajmë bekime dhe pastaj të flasim keq për vëllain ose motrën tonë. Thashethemja e rrënon bekimin.

Virtyti i përvujtërisë

Prandaj flet Papa për "përvujtërinë", për udhën që duhet praktikuar, në mënyrë që bashkësie të jetojë e gëzuar dhe në harmoni. Kuries Papa Bergoglio i bën të njëjtin propozim, që ia pati bërë rreth njëzet vjet më parë në një asamble dioqezane, në Buenos Ajres, atë “të të ushtruarit të padisë së vetvetes”. Mësimet e mjeshtrave të lashtë shpirtërorë, në veçanti  të Dorotheut të Gazës, janë të dobishme për këtë: "Po, pikërisht nga Gaza, ai vend që tani është sinonim i vdekjes dhe shkatërrimit, por edhe qytet shumë i lashtë, ku në shekujt e parë të krishterimit lulëzuan manastiret dhe figurat ndriçuese të shenjtorëve dhe mjeshtrave”, nënvizon Papa.

Të akuzosh vetveten!

“Të akuzosh veten është mjet, por i domosdoshëm” - kujton - “është qëndrimi bazë në të cilin mund të zërë rrënjë zgjedhja për t'i thënë 'jo' individualizmit dhe 'po' komunitetin, shpirtit kishtar". Në fakt, “kushdo që e praktikon virtytin e të akuzuarit, dhe e praktikon vazhdimisht, çlirohet nga dyshimi dhe mosbesimi dhe i lë vend veprimit të Zotit”. Edhe kur vëreni një të metë te një person, shton Papa, duke u larguar nga teksti i shkruar, mund të "flisni vetëm me tre veta": me Zotin, me vetë personin, me këdo në bashkësi, që mund të kujdeset për të. "Asgjë më shumë".

21 dhjetor 2024, 15:21