Papa: ta bëjmë botën tonë më vëllazërore
R.SH. / Vatikan
"T’i lutemi Shpirtin Shenjt për të na bërë të fortë ndërsa presim ardhjen e Jezusit dhe t'i kërkojmë atij të na frymëzojë për ta bërë botën tonë më vëllazërore. #HumanSolidarityDay #Advent". Kështu shkruan Papa Françesku në një postim në platformën sociale X me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor që kremtohet sot.
20 dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor
Me çdo 20 dhjetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzimiz për rëndësinë e solidaritetit. Rezoluta për shënimin e ‘Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor’, është miratuar në vitin 2005 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila po ashtu krijoi Fondin Botëror të Solidaritetit, me qëllim që të luftohet varfëria dhe të promovohet zhvillimi social. Sipas Kombeve të Bashkuara solidariteti është një nga konceptet themelore të njerzimit. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vlerëson solidaritetin si "një nga vlerat themelore dhe universale”, në marrëdhëniet midis popujve dhe vendeve, prandaj vendosi që datën 20 dhjetor ta shpall si ‘Ditë Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor.