Skena shkatërrimi në Siri Skena shkatërrimi në Siri   (AFP or licensors)

Françesku: lufta, tmerr që fyen Zotin. Mjaft më dhunë në Ukrainë e në Lindjen e Mesme

Thirrja e gjatë e Françeskut në fund të Engjëllit, në të dielën e parë të Ardhjes, drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, që të punojë për të ndaluar konfliktet. Papa kujton shembullin e Argjentinës dhe të Kilit, që parandaluan shpërthimin e një lufte përmes dialogut, e më pas pohon se gëzohet për armëpushimin në Liban, duke shpresuar që të vijojë e të shtrihet edhe në Gaza, ku popullsia "është rraskapitur". Nga Papa, një mendim për Sirinë në kaos dhe për popullin ukrainas, që po lufton edhe me një

R. SH. - Vatikan

Tmerr, disfatë, fyerje kundër Zotit! Kjo është për Papën lufta, ose më sakt, të gjitha luftërat që dërmojnë familjen njerëzore sot: ajo në Ukrainë, e keqësuar nga kushtet e vështira të dimrit; ajo në Liban, ku me armëpushimin po mbërrijnë lajme paqeje; ajo në Gaza, ku popullsia është "rraskapitur", e tani edhe ajo në Siri - pjesa e fundit e "luftës së tretë botërore pjesë-pjesë" - që u zhyt përsëri në kaos në më pak se pesë ditë me marrjen e Aleppos nga rebelët xhihadistë dhe një numër tashmë i lartë i vdekjeve dhe njerëzve të zhvendosur.

Në këtë të dielë të parë të Ardhjes, pas lutjes Mariane të Engjëllit, Françesku i kushton hapësirë ​​të plotë renditjes së situatave emergjente në botë. Me duart mbështetur në kornizën e dritares së Pallatit Apostolik, Papa ngre zërin në mikrofon për refuzimin e plotë të konflikteve, të çdo lloji e natyre, dhe për pasojat e tyre.

Lufta është tmerr, lufta ofendon Zotin dhe njerëzimin, lufta nuk kursen askënd, lufta është gjithmonë disfatë, disfatë për të gjithë njerëzimin.

Dialogu që shmangu luftën e Argjentinës dhe Kilit

Françesku ofron zgjidhje për të tashmen, duke kujtuar të kaluarën: domethënë, kujton 40-vjetorin e Traktatit të Paqes dhe Miqësisë ndërmjet Argjentinës dhe Kilit, kujtuar kohët e fundit edhe në Vatikan. Marrëveshje, shembull i qartë që tregon sesi dialogu dhe strategjia e mirë diplomatike mund të parandalojnë gjakderdhjen ndërmjet popujve. Ndërmjetësimi i Selisë së Shenjtë, i shtyrë nga Shën Gjon Pali II, "i dha fund mosmarrëveshjes territoriale" për kanalin Beagle, që i kishte shtyrë Argjentinën dhe Kilin "në prag të luftës", kujton Jorge Mario Bergoglio.

Kjo tregon se kur heqim dorë nga përdorimi i armëve dhe angazhohemi në dialog, jemi në një rrugë të mirë.

Shpresohet se armëpushimi do të mbahet

Nuk është ajo që përjetojmë tani, as në Ukrainë dhe as në Lindjen e Mesme, edhe nëse armëpushimi i arritur ditët e fundit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban lëshon një rreze shprese në mes të errësirës së përgjithshme. Papa pohon se i gëzohet këtij armëpushimi, duke shpresuar se do të zgjasë dhe se do të respektohet nga të gjitha palët, "duke lejuar kështu popullsinë e rajoneve të prekura nga konflikti - si libaneze ashtu edhe izraelite - të kthehen shpejt dhe të sigurt në shtëpi, edhe me ndihmën e çmuar të ushtrisë libaneze dhe forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara".

 Të zgjidhet menjëherë presidenti i Republikës në Liban

Në këtë situatë, Papa i drejton "një ftesë urgjente të gjithë politikanëve libanezë":

“Të zgjidhet menjëherë Presidenti i Republikës dhe institucionet të kthehen në funksionimin e tyre normal, për të vazhduar me reformat e nevojshme dhe për të siguruar rolin e vendit si shembull i bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve të ndryshme”.

Në Gaza popullsia është e rraskapitur

Papa shpreson "se drita e paqes që u hap mund të çojë në  armëpushim në të gjitha frontet e tjera, veçanërisht në Gaza", ku - sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë, udhëhequr nga Hamasi - numri i vdekjeve arriti në 44,429. Dyzet e shtatë vetëm në njëzet e katër orët e fundit. Si gjithmonë që nga shpërthimi i dhunës pas 7 tetorit, Papa Françesku këmbëngul të vazhdohen dy rrugët që mund të çojnë në fund ose të paktën në një armëpushim të tmerrit në Tokën e Shenjtë: në lirimin e pengjeve izraelite dhe favorizimin e hyrjes së ushqimit, ujit dhe ilaçeve  për palestinezët.

E kam shumë për zemër çlirimin e izraelitëve, që mbahen ende peng dhe hyrjen e ndihmës humanitare për popullsinë e rraskapitur palestineze.

Një mendim për Sirinë

Me sytë e ngulur ende në frontin e Lindjes së Mesme, Papa nuk harron Sirinë, tashmë të rrënuar nga dymbëdhjetë vjet konflikti, "ku fatkeqësisht lufta është rindezur duke shkaktuar përsëri viktima". “Unë jam shumë afër Kishës në Siri. Le të lutemi!” - fton Papa.

Dimër tragjik në Ukrainë

Më pas, një mendim i gjatë plot me "dhimbje" dhe "shqetësim" për Ukrainën, e cila një javë më parë arriti kulmin e trishtuar të një mijë ditëve të konfliktit. Një konflikt që “vazhdon ta gjakosë” këtë vend të munduar, me “një vazhdimësi të tmerrshme vdekjesh, plagosjesh, dhune, shkatërrimesh...”. Me fëmijët, gratë, të moshuarit, njerëzit e ligshtë, që paguajnë çmimin: “viktimat e para” i quan Papa Françesku.

Dëborë në kryeqytetin ukrainas Kiev

Në vazhdën e thirrjes nisur të mërkurën e kaluar, në fund të audiencës së përgjithshme, Ipeshkvi i Romës tërheq vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare për vështirësitë që do të kalojë Ukraina gjatë stinës së dimrit. Javët e fundit valët e motit të keq dhe reshjet e borës kanë goditur Kievin dhe qytetet e tjera të Ukrainës; popullsia vuan nga temperaturat e ulëta dhe mungesa e ngrohjes për shkak të dëmtimit të rëndë të infrastrukturës energjetike, shkaktuar nga bastisjet ruse. “Dimri ka ardhur dhe rrezikon t’i keqësojë kushtet e miliona njerëzve të zhvendosur. Do të jenë muaj shumë të vështirë për ta” - thotë Papa - “Përcjellja e luftës dhe e të ftohtit është tragjike”:

I drejtoj edhe një herë thirrjen  time bashkësisë ndërkombëtare dhe çdo burri e gruaje me vullnet të mirë, që të bëjnë gjithçka munden për ta ndalur këtë luftë dhe për të mbizotëruar dialogu, vëllazërimi dhe pajtimi. Mund të shumëfishohet një angazhim i ri në çdo nivel.

Një angazhim serioz për paqen në Kohën e Ardhjes

 Politikanëve, ftesë për të vepruar, besimtarëve nga e gjithë bota, ftesë për t'u lutur:

Të dashur vëllezër dhe motra, të mos lodhemi duke u lutur për atë popullatë kaq të vuajtur dhe duke iu lutur Zotit për dhuratën e paqes" - thotë Papa në përfundim të thirrjes. Posaçërisht në këtë ditë, kur fillon Koha e Ardhjes:

Ndërsa përgatitemi për Krishtlindje, e ndërsa presim lindjen e Mbretit të Paqes, iu dhëntë shpresë konkrete këtyre popullsive. Kërkimi i paqes nuk është përgjegjësi e disave, por e të gjithëve.

 “E të gjithëve” - përsërit Papa, mbasi “po të mbizotërojë varësia dhe indiferenca ndaj tmerreve të luftës, e gjithë familja njerëzore do të mundet”. As fitues e as humbës: "E gjithë familja njerëzore është e mundur".

01 dhjetor 2024, 14:45