Kërko

MAYOTTE MAYOTTE

Papa: lutem për viktimat e ciklonit në Mayotte dhe fundin e luftërave

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, në Sallën Pali VI, Papa kujtoi katastrofën në arkipelagun e Mozambikut, përsëriti thirrjen e tij për paqen në botë dhe rikujtoi se "lufta është gjithmonë disfatë". Shprehu mirënjohjen edhe për "mirëpritjen e bukur" në Korsikë e ftoi për të krijuar skenën e lindjes së Krishtit nëpër shtëpi, për Krishtlindje

R.SH. / Vatikan

Shtatë mijë pjesëmarrësve, mbledhur në Sallën Pali VI për audiencën e fundit të përgjithshme para Krishtlindjes, Papa Françesku, ndërmjet thirrjeve të pas katekizmit, u kujtoi edhe banorët e arkipelagut Mayotte, të dëmtuar rëndë ditët e fundit nga një ciklon i tmerrshëm, që mund të ketë shkaktuar, ndoshta, mijëra viktima.

Zoti u dhëntë pushimin e pasosur atyre që humbën jetën, ndihmën e nevojshme atyre që kanë nevojë dhe ngushëllimin, familjeve të prekura.

Lufta është disfatë

Papa Françesku vijon ta kujtojë pambarimisht dhuratën e paqes. E këtë e bëri sot kur iu drejtua besimtarëve polakë, e mbi të gjitha, kur përshëndeti grupet italiane, duke përmendur edhe "Ukrainën e martirizuar":

Të mos i harrojmë njerëzit që vuajnë nga lufta: Palestinën, Izraelin dhe të gjithë ata që vuajnë, Ukrainën, Mianmarin... Të mos harrojmë të lutemi për paqen, që luftërat të marrin fund. Të mos harrojmë, lufta është gjithmonë  disfatë, gjithmonë! Lufta është gjithmonë humbje!

Zemër e hapur për të varfërit dhe Shpellë Betlhemi në shtëpi

Traditat e Krishtlindjes janë shenjë e gatishmërisë për të mirëpritur dhe e një shpirti bujar. Papa e kujtoi këtë duke shpresuar se "në çdo shtëpi do të ketë një skenë të lindjes së Krishtit". Është "element i rëndësishëm i përshpirtërisë dhe i kulturës sonë" - pohoi Bergoglio, "një mënyrë ndjellëse për të kujtuar Jezusin, që erdhi 'të jetojë ndër ne".

Ndërsa nga zakonet e kësaj kohe Papa kujtoi, gjatë përshëndetjes drejtuar polakëve, edhe si e thyejnë në vend oplatekun, bukën e Krishtlindjes: "Ky gjest bamirësie, paqeje dhe faljeje - uroi - qoftë shprehje e një zemre të dhimbshme për ata që takoni në shtegtimin tuaj". Mos i harroni, mbi të gjitha, të varfrit, të vetmuarit, viktimat e përmbytjeve.

Kujtimi i pritjes së bukur në Korsikë

Në përshëndetjet drejtuar frëngjishtfolësve, Papa iu drejtua veçanërisht nxënësve të shkollave të ndryshme në Paris dhe Dizhon, si dhe besimtarëve që shoqërojnë reliket e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Më pas kujtoi shtegtimin në Korsikë, të dielën e kaluar, dhe nënvizoi pritjen shumë të ngrohtë që iu bë. Kujtoi edhe se u prek thellë veçanërisht nga "devocioni i zjarrtë i njerëzve" e nga bindja se këtu "feja nuk është punë private". Më pas, një mendim për numrin e madh të fëmijëve të pranishëm në Ajaccio, diçka që ua theksoi gazetarëve gjatë fluturimit për në Romë: “Gëzim i madh e shpresë e madhe!”.

Në Krishtlindje të moshuarit nuk duhen lënë vetëm

Katekizmi i audiencës së tome të përgjithshme mbi gjenealogjinë e Jezusit të kujton paraardhësit, "gjyshërit tanë dhe pasurinë e të gjithë të moshuarve", vazhdoi Papa në përshëndetjet e tij për besimtarët portugalishtfolës. Është rast për të nënvizuar vlerën e atyre që janë të shtyrë në vite, e këtë Papa e bëri të nesërmen e ditëlindjes së vet:

Janë dhuratë nga Zoti, për t'u falënderuar dhe për t'i kujdesur. Nuk duhet lejuar të mbeten vetëm gjatë festave të ardhshme të Krishtlindjes, theksoi disa herë.

18 dhjetor 2024, 12:45