Kërko

 Papa në një çast takimi me mësues dhe studentë të Studimit Teologjik San Paolo të Katanias Papa në një çast takimi me mësues dhe studentë të Studimit Teologjik San Paolo të Katanias  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: mafia varfëron gjithmonë, Siçilia kërkon shpresë

Françesku pret mësues dhe studentë nga Studimi Teologjik i Shën Palit në Katania dhe i fton të jenë energjikë në jetën kishtare dhe shoqërore, në një tokë të kërcënuar nga spekulimet mafioze dhe korrupsioni. Bën thirrje edhe për vëllazërim me mërgimtarët dhe me ata, që janë dorëzuar nga dhembja: "Formimi është në shërbim të njerëzve, të varfërve, të të fundmëve".

R. SH. - Vatikan

"Vazhdoni të ecni së bashku", duke ofruar edukim "të gjerë" dhe "energjik" në jetën kishtare dhe shoqërore: Siçilia ka nevojë për burra dhe gra që dinë ta "shikojnë të ardhmen me shpresë" dhe t’i stërvitin brezat e rinj "të lirë dhe transparentë” në kujdesin për të mirën e përbashkët, për të zhdukur “varfërinë e lashtë dhe të re”. Ky, inkurajimi që u dha Papa Françesku rreth 200 mësuesve dhe nxënësve të Studimit Teologjik San Paolo të Katanias, të pritur sot, 6 dhjetor, në audiencë, në Sallën Klementine.

Laborator bashkimi e misioni në territor

“Fryt i parë” i Koncilit II të Vatikanit, instituti lindi në vitin 1969, kur dioqezat e Sicilisë Lindore vendosën të krijonin një vend të vetëm për formimin teologjik i cili, me kalimin e kohës, u bë “i frytshëm për priftërinjtë, rregulltarët dhe laikët” - kujton Papa Françesku. Falë bashkimit me Fakultetin Teologjik të Palermos, u bë "model" - vijoi -  "e i nxit edhe kishat e tjera të ecin së bashku në këtë zonë".

Kur flasim për kungimin, duhet të përfshijmë edhe marrëdhënien ndërmjet strukturave stërvitore, të cilat bëhen laboratorë bashkimi dhe misioni, të gjallëruara nga reflektimi teologjik.

Misioni i Studimit teologjik - vazhdon Françesku - "nuk mund të injorojë territorin në të cilin ndodhet", e kështu në rrugën akademike përvoja e kishës vendos njërin pranë tjetrit, në shumëllojshmërinë e thirrjeve dhe dhuratave e edhe në kërkimin e mënyrave të reja të ungjillizimit”.

E kjo është shenjë e kohës, që duhet kuptuar me urti; është stil bashkëpërgjegjësie, me të cilin po “stërviteni” sot e që duhet të vazhdojë në jetën e Kishave tuaja, duke vlerësuar karizmat e secilit.

Mafia dhe korrupsioni ngadalësojnë zhvillimin

Më pas Papa nënvizon se si është rritur numri i studenteve, të ngarkuara në bashkësitë kishtare me detyra të përgjegjësisë baritore, të mësimdhënies fetare dhe akademike: "Edhe kjo është shenjë e kohërave, në një zonë ku gratë shpesh zhvlerësoheshin në rolin e tyre shoqëror".

Njëkohësisht, Papa kujton se Siçilia është atdheu i martireve Agata dhe Luçia, farë të "besimit të fortë, të afta për të përtërirë veten dhe për të krijuar gjithmonë dëshmitarë të rinj". I kujton kështu, e përmend edhe të Lumt Giuseppe Puglisi dhe Rosario Livatino.

Flet, pastaj, edhe për bukuritë natyrore e artistike të ishullit mesdhetar, "fatkeqësisht i kërcënuar nga spekulimet mafioze dhe korrupsioni", plagë që "frenojnë zhvillimin dhe varfërojnë burimet, duke i dënuar posaçërisht zonat e brendshme me emigrimin e të rinjve".

Mafia gjithmonë varfëron. Gjithmonë!

06 dhjetor 2024, 15:42