Papa, "Manos Unidas": përpara për të çrrënjosur të këqijat që godasin kombet
R.SH./ Vatikan
Të luftosh kundër urisë, prapambetjes dhe mungesës së arsimit; të angazhohesh për zhdukjen e shkaqeve strukturore, që i krijojnë. Këto, që nga themelimi, në vitin 1959, ishin objektivat e komisionit të përhershëm të "Manos Unidas - Komitetit Katolik të Fushatës kundër Urisë Botërore", të cilin Papa Françesku - duke pritur anëtaret e tij paraditen e sotme, 9 dhjetor, në Pallatin Apostolik të Vatikanit - e duartroket dhe e inkurajon për të vazhduar. E kjo është shoqata publike e besimtareve katolike, themeluar në vitin 1959 në Spanjë, si përgjigje që gratë e Veprimit Katolik të Spanjës i jepnin thirrjes së FAO-s, kur denonconte "urinë për bukën, për kulturën, për Zotin”, që mundon një pjesë të madhe të njerëzimit.
Prej 65 vjetësh, shoqata është aktive për të “ndihmuar dhe për të kontribuar në promovimin dhe përparimin e vendeve në zhvillim”. Këtë theksoi Papa:
E, duke kujtuar punën që, me ndjeshmërinë dhe forcën e gjenisë femërore kryeni për zhdukjen e të këqijave, që vazhdojnë të prekin shumë kombe, dua t’i drejtohem figurës së Nënës së Zotit, të cilën e kremtojmë në Zënien e saj të Papërlyer. Sepse Virgjëresha Mari është Gruaja par excellence".
Ndihmoni për përmirësimin e botës sonë
Maria "vazhdon të jetë e vëmendshme ndaj nevojave të bijve të saj" - vijoi Papa. "Ajo është modeli plotësisht i realizuar i njerëzimit tonë, nëpërmjet të cilit, me hirin e Zotit, ne të gjithë mund të kontribuojmë në përmirësimin e botës".
Pikërisht këtë përpiqet të bëjë Manos Unidas përmes punës së “nënave, vajzave dhe grave”, duke kryer në Spanjë misionin specifik të luftës kundër urisë, papunësisë dhe mungesës së arsimit.
Kjo detyrë bëhet e mundur vetëm me vizionin e krishterë të qenies njerëzore, që ka si themel Ungjillin dhe Doktrinën Sociale të Kishës.
Shtegtarët e shpresës
Duke kujtuar Jubileun, tashmë fare pranë, dhe duke përsëritur inkurajimin "për të vazhduar misionin e bukur të vullnetarizmit dhe të ndihmës", Papa Françesku i ftoi të gjitha anëtaret e shoqatës "të jenë shtegtaret e shpresës dhe ta riorientojnë jetën e tyre drejt Jezusit", përmes "kontributit për përmirësimin material, përparimin moral dhe zhvillimin shpirtëror të më të brishtëve dhe më nevojtarëve, për t'i ndihmuar të fitojnë një jetë që përkon me dinjitetin e tyre, si bij të Zotit".
Uroj që kjo kohë e Ardhjes, duke pritur me durim dhe plot shpresë premtimet e Zotit, do të na ndihmojë të gjithëve të arrijmë përtëritjen shpirtërore për të kontribuar në ndërtimin e shumëpritur të qytetërimit të dashurisë, i cili na krijon mundësinë të bashkojmë dashurinë bijnore ndaj Zotit, me dashurinë per të afërmin.