Papa për artistët e Koncertit të Krishtlindjes: arti krijon kulturën e bashkëjetesës
R.SH. – Vatikan
Paqja dhe shpresa janë "dy zërat e këngës për "mbushjen e rrugëve të botës" dhe për t'ua përcjellë atë "brezave të ardhshëm më të mirë dhe më të pasur në mirësi". Këto janë dy vlerat e rëndësishme, që përmendi Papa Françesku gjatë takimit me organizatorët dhe artistët e Koncertit të Krishtlindjes, që japin shfaqje sot (14 dhjetor) në “Auditorium Conciliazione” në Romë. Ati i Shenjtë i ftoi të promovojnë kudo, me art dhe jetë, "atë kulturë të vëllazërimit e të pajtimit, që sot na duhet më shumë se kurrë".
Paqe
“Është bukur të kujtosh – tha Papa, duke iu drejtuar këngëtarëve dhe muzikantëve – që në lindjen e Jezusit, në heshtjen e natës, himni i paqes i aradhes së ushtrisë qiellore (Lk 2,13) mbushi me gëzim qiellin e tokën".
“Dhe është pikërisht kështu: muzika, duke i folur në mënyrë të veçantë dhe të drejtpërdrejtë zemrës së njeriut, ka një aftësi të madhe për të krijuar unitet dhe për të nxitur bashkimin. Prandaj, ju ftoj të jeni edhe ju “engjëj të paqes”, duke e përdorur sa më shumë talentin tuaj për të promovuar, me art e jetë, kudo që të shkoni, atë kulturë vëllazërimi dhe atë kulturë pajtimi, që na nevojitet sot më shumë se kurrë”.
Shpresa
Më pas, Françesku shprehu vlerësimin për temën së cilës i kushtohet koncerti, shpresës, "fill, që përshkon dëshmitë artistike dhe solidare, sivjet, në mbështetje të misionarëve salezianë, të cilët punojnë me të rinjtë në të gjithë botën". Kjo, shtoi Françesku, i vendos artistët e Koncertit të Krishtlindjes "në sintoni me rrugëtimin e gjithë Kishës drejt Jubileut, si shtegtarë të shpresës".
“Krishtlindja na kujton se shpresa është, para së gjithash, dhuratë e Zotit dhe, si e tillë, "bazohet në fe dhe ushqehet nga dashuria" (Bula e shpalljes së Jubielut 2025 ‘Spes non confundit’, 3). Prandaj, ajo ka nevojë, nga njëra anë, të rrënjoset thellë në tokën pjellore të bashkimit me Zotin dhe, nga ana tjetër, të zhvillohet e të lulëzojë me vendime konkrete dashurie, në mënyrë që ta mbushë të tashmen me kuptim, duke hapur horizonte të reja për të nesërmen”.
Në fund, Papa i përshëndeti artistët, duke u theksuar se bota dhe Kisha kanë shumë nevojë për talentin, idealitetin e tyre krijues, aftësinë për të dhuruar vetveten, pasionin e tyre për drejtësi dhe vëllazërim.