Papa: misteri i Guadalupes i përdorur nga ideologjitë, Maria na fton "mos kini frikë"
R.SH. - Vatikan
"Mos ki frikë... A nuk jam këtu unë, nëna jote?"
Mjekim e ilaç kundër trishtimit, që na pushton shpesh në jetën e përditshme. Shprehje e amësisë së Marisë, pavarësisht nga çdo “ideologji” që ka dashur ta shfrytëzojë “mesazhin” e saj.
Nxitje për të "mos pasur frikë", sepse Ajo është gjithmonë aty, pranë të gjithëve, si "nënë", në të njëjtën mënyrë si pesë shekuj më parë, kur iu duk fermerit indian San Juan Diego Cuauhtlatoatzin mbi kodrën e Tepeyac. Papa Françesku kremton "misterin" e "Morenitës", Virgen de Guadalupe, "Nënës" së Meksikës, që nderohet në të gjithë Amerikën Latine e në mbarë botën, kujtimi liturgjik i së cilës kemtohet më 12 dhjetor. Pamja e Saj, që la gjurmën e vet mbi mantelin e indianit Juan Diego në dhjetor të vitit 1531, binte në sy gjatë liturgjisë së pasdites, në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Në Bazilikë, besimtarë, meshtarë, ipeshkvij e kardinaj
Përpara kësaj figureje, tek këmbët e të cilës bien në sy tufa me trëndafila të bardhë, Papa argjentinas ndalon disa çaste në lutje, përpara se të fillojë festën të cilën, që nga fillimi i papnisë, nuk ka dashur ta humbasë kurrë. Në dy rradhët anësore bien në sy rreth 4 mijë besimtarë, ndërmjet të cilëve 350 meshtarë, meksikanë e jo vetëm. Kori i Kolegjit Meksikan i këndon "Nënës" së bashku me koret e Kapelës Sikstine dhe të Kolegjit Piolatino; gjatë shërbesës, lexohen fragmente ungjillore dhe lutje, tërësisht në spanjisht, si Magnificat i shkëputur nga Ungjilli i Lukës. Në çastin e blatimit, familje dhe çifte nga vendi ku Virgjëra u duk disa herë, shkojnë në altar me veshje tradicionale. Me Papën janë Kardinali Robert Francis Prevost, prefekt i Dikasterit të Ipeshkvijve, Imzot Luis Manuel Ali, sekretar i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, Imzot Hilario González García, ipeshkëv i Saltillo (Meksikë). Të pranishëm në Bazilikë, edhe 14 ipeshkvij e 14 kardinaj.
"Mos ki frikë..."
"Mos ki frikë... A nuk jam këtu unë, nëna jote?".
Fjalët e Zojës drejtuar Juan Diego-s përsëriten disa herë në predikimin e Papës, të gjitha të shqiptuara lirisht në gjuhën e tij amtare. Një predikim i shkurtër, kushtuar tërësisht Marisë, asaj që, ashtu si fermeri aztek, vazhdon t'u duket burrave dhe grave plot ankth e plagë
Ideologjitë
“Duke parë figuren e Marisë, Marisë së Guadalupes, që kumton lindjen e Shëlbuesit, shtatzënë si nënë, që me butësi i thotë indianit: “Mos ki frikë, a nuk jam këtu unë, nëna jote?”. Amësia e Marisë zbulohet. Për fat të keq, shumë ideologji deshën të përfitojnë nga ky mister i Guadalupes - nënvizon Françesku - që më pas kujton tri gjëra “të thjeshta”, por që “përbëjnë mesazhin” e Guadalupes: “Tilma, Nëna dhe trëndafili”:
Amësia e Marisë është shtypur mbi atë tilmë, mbi atë mantel të thjeshtë. Amësia e Marisë manifestohet në bukurinë e trëndafilave, që indiani i gjen e i merr me vete, e amësia e Marisë bën mrekullinë: ringjall besimin në zemrat disi mosbesuese të prelatëve.
“Mister” për t’u kujtuar në çastet e trishta dhe të lumtura të jetës
“Gjithçka që thuhet për misterin e Guadalupes përtej kësaj është gënjeshtër, që synon të përdoret për ideologjitë” - kujton Papa - “Misteri i Guadalupes është ta nderojmë atë dhe ta dëgjojmë me veshët tanë: a nuk jam këtu, si nëna jote?”. E këto fjalë - porosit Papa - duhen kujtuar, duhen dëgjuar, duhet të depërtojnë thellë në shpirtin e njeriut "në çastet e jetës, në çastet e ndryshme të vështira të jetës, në çastet e lumtura të jetës, në çastet e përditshme të jetës".
“Mos ki frikë, a nuk jam këtu unë, nëna jote?”. Është ky i gjithë mesazhi guadalupan. Çka mbetet, është ideologji”.