Papa: ndihma për të varfrit e të vegjlit, të bëhet gjithmonë me zemër të gëzuar
R.SH. - Vatikan
“Gjatë udhës, jini të vëmendshëm ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj atyre që mundohen më shumë, ndaj atyre që janë nevojtarë…, sepse të mënjanuarit janë të preferuarit e Zotit, thesari i Kishës”. Ky rekomandimi që Papa u beson shtegtarëve italianë të Camino de Santiago, gjatë audiencës së sotme, 19 dhjetor, në Pallatin Apostolik së bashku me anëtarët e Familjes rregulltare Guanelliane - etërit, murgeshat, seminaristët dhe laikët – të cilët që gati pesëmbëdhjetë vjet punojnë në Kishën e Galicias në Spanjës , si në Santiago de Compostela ashtu edhe në Finisterre, për t'u ofruar strehim shpirtërore atyre që marrin përsipër "udhën" e famshme drejt varrit të Shën Jakut Apostull.
Edhe papët “shtegtarë” në Santiago
“Ju shtegtarët jeni një provë e gjallë e angazhimit apostolik”, tha Papa Bergoglio, duke nënvizuar se sa interesante është rritja e numrit të shtegtarëve në Shenjtëroren e shën Jakut në Santiago de Compostela, në Spanjë, në tridhjetë vitet e fundit.
Midis tyre ishin edhe paraardhësit e mi Shën Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, të cilët deshën ta vizitonin atë shenjtërore, mbi të gjitha për rëndësinë e saj të madhe në historinë e krishterë të Evropës.
Shtegtim apo diçka tjetër?
Nëse nga njëra anë kemi rritjen numerike me“të dhëna shumë pozitive”; nga ana tjetër, shtrohet pyetja serioze: “A bëjnë shtegtim të vërtetë njerëzit që përshkojnë Udhën e shën Jakut ‘Camino de Santiago’? Kjo është pyetja, në të cilën duhet të përgjigjemi. A është vërtet shtegtim apo është diçka tjetër? Padyshim që ka përvoja të ndryshme, por pyetja na bën të reflektojmë”, tha Papa Françesku.
Heshtja dhe Ungjilli
Më pas Ati i Shenjtë Bergoglio tregon tre shenja për të identifikuar shtegtimin e krishterë në Varret e Apostujve. E para është heshtja: “Udha e jetuar në heshtje të mundëson të dëgjosh, të dëgjosh me zemër dhe kështu të gjesh, gjatë ecjes, madje edhe në lodhje, përgjigjet që kërkon zemra, sepse zemra bën pyetje”.
Shenja e dytë është Ungjilli: “Duhet të keni gjithmonë me vete Ungjillin në xhep, unë e rekomandoj këtë, dhe të lexojmë diçka çdo ditë; hapeni dhe lexoni Ungjillin”, rekomandon Papa duke u folur të pranishmëve jashtë tekstit zyrtar.
Është një mënyrë e bukur lutjeje. Një ungjill xhepi, nuk kushton asgjë, ...por është e rëndësishme ta mbani Ungjillin në xhep
Lajme që të bëjnë të qash
“Udha e shtgetimit – shton Papa – është aq më e vërtetë, aq më e krishterë, sa më shumë të çon drejt daljes nga vetvetja dhe shërbimit ndaj të tjerëve”. Dhe Shpirti Shenjt e bën këtë kur ne lexojmë Ungjillin çdo ditë: "Ne - thotë Françesku - mund të lexojmë një roman, një të mirë, ndoshta është i mirë për ne, lexojmë lajmet të përditshme, disa prej tyre na bëjnë të qajmë, pra ne mund të lexojmë e të informohemi; por kur lexojmë Ungjillin është dikush pranë nesh" dhe ky është Shpirti Shenjt Zot që na ndihmon "të kuptojmë mirë atë që Ungjilli bën për ne".
"Protokolli i Mateut 25"
Pas heshtjes dhe Ungjillit, elementi i tretë që karakterizon shtegtimin është ai që Papa e përkufizon si "protokolli i Mateut 25", domethënë asistenca dhe ndihma ndaj atyre që janë të fundmë sipas fjalëve të Krishtit në Ungjill (Mt 25,40): "çka do që bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, ma bëtë mua". “Heshtja, Ungjilli dhe bamirësia, ndaj njerëzve më të vegjël, njerëzve më të pafavorizuar, duhet të karakterizojë shtegtimin tonë. Pra duhet të bëjmë gjithmonë mirë”, thekson Papa, duke kujtuar “Shën Luigjin Guanella që pati thënë se: qëllimi i jetës së atyre që besojnë është të sigurojnë që askush të mos mbetet pas”.
Kthimi te apostujt
Në fund të përshëndetjes Papa inkurajoi familjen rregulltare Guaneliane që të vazhdojë këtë vepër të “apostullatit të ungjillëzimit dhe kujdesit” ndaj shtegtarëve.
Shtegtarët e lashtë na mësojnë se nga shtegtimet e krishtera kthehemi si apostuj! Unë bëj shtegtimin dhe kthehem si apostull për të kumtuar Jezusin.