Kërko

Papa: në Korsikë, i lumtur që pashë një popull me fëmijë

Për shkak të kohës së shkurtër të fluturimit, Françesku nuk e dha konferencën e zakonshme për shtyp me gazetarët, që e ndiqnin. Megjithatë, deshi të shprehte gëzimin e tij për numrin e madh të prindërve me fëmijë në Ajaccio: “Është tokë që bën fëmijë. Në vendet e tjera nuk shiheshin kund. Në Timorin Lindor dhe këtu, po”. Për Papën, një tortë surprizë nga gazetarët për 88-vjetorin e lindjes, që do ta kremtojë të martën, më 17 dhjetor

R.SH. – Vatikan

Asnjë konferencë për shtyp, si zakonisht pas çdo udhëtimi apostolik, pasi fluturimi i kthimit nga Ajaccio në Romë ishte i shkurtër (më pak se 40 minuta). Megjithatë, Papa i përshëndeti 67 gazetarët, që e shoqëruan në këto dhjetë orë në Korsikë, duke u shprehur gëzimin për fëmijët e shumtë, që pa gjatë takimeve, veçanërisht në meshën në Place d'Austerlitz.

Një tokë që bën fëmijë

“Ju falënderoj shumë për punën tuaj”, filloi Papa. “Dëshiroj të nënvizoj një gjë: a e patë sa shumë fëmijë kishte? Kjo është tokë, që bën fëmijë. Mendoni për udhëtimet e tjera ku nuk mund t'i shihje". “Si në Timorin Lindor, ashtu edhe këtu – shtoi Papa, duke kujtuar një nga fazat e shtegtimit të tij të gjatë të shtatorit në Azinë Juglindore dhe në Oqeani – jam i lumtur që pashë një popull, i cili bën fëmijë. Kjo është e ardhmja”.

“Faleminderit shumë për punën tuaj”, u përsëriti Papa gazetarëve, kameramanëve dhe fotografëve. “Faleminderit shumë për këtë. Shihemi udhëtimin tjetër!” “Ku?” pyetën gazetarët. “Nuk e di!”, u përgjigj Papa duke buzëqeshur.

Festa surprizë

Pavarësisht nga udhëtimi i shkurtër, gazetarët arritën t’i bënin Papës një surprizë, duke i dhën një tortë për 88-vjetorin e ditëlindjes, që do ta kremtojë të martën, më 17 dhjetor. Në të vërtetë, torta nuk ishte e vërtetë, por simbolike, me tre kate, realizuar nga një laborator në Romë, me ngjyra bardh e verdh të flamurit vatikanas e me mbishkrimin “Urime Papa Françesku”, nën një statujë të vogël të Atit të Shenjtë ulur me gishtin lart. Ajo iu dorëzua Papës nga gazetarja meksikane Valentina Alazraki, dekane e vatikanistëve, korrespondente historike e Televisa Univision dhe presidente e sapozgjedhur e Aigav (shoqata e vatikanistëve), me 161 udhëtime papnore në kurrikulum. “Të gjithë gazetarët iu urojnë ditëlindjen,” tha Alazraki ndërsa dorëzonte dhuratën. “Është e rreme, kështu që nuk ka gjë se po ua japim para ditëlindjes”, shtoi me shaka, ndërmjet të qeshurave të të pranishmëve. Qeshi edhe Papa, i cili tha disa herë “faleminderit”, duke bekuar me dorë ata, që vitet e fundit i ka cilësuar gjithmonë si “shokë udhëtimi”.

15 dhjetor 2024, 20:07