Kërko

Papa në Korsikë: “Përshpirtëria popullore nxit ungjillëzimin dhe bashkimin”

Duke folur në konferencën mbi Përshpirtërinë Popullore në Mesdhe", në Ajaccio të Korsikës, Papa Françesku theksoi rëndësinë e këtyre shprehjeve të fesë si mjet për të nxitur ungjillëzimin në shoqëritë dhe në bashkësitë tona gjithnjë e më të laicizuara

R.SH. – Vatikan

Larg nga të qenit shprehje e vjetëruar folkloristike, përshpirtëria popullore mund të jetë mjet i fuqishëm për ungjillëzimin në kohën e sotme, duke nxitur bashkimin dhe përkatësinë: kështu tha Papa Françesku në fjalimin e tij të parë gjatë udhëtimit njëditor apostolik në Korsikë e pikërisht në qytetin kryesor të ishullit francez, Ajaccio. Ati i Shenjtë mbërriti sot paradite, për të marrë pjesë në kongresin mbi përshpirtërinë popullore të Kishave të Mesdheut; për t’u takuar me klerin, me të cilin tha edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, në mesditë; për të kremtuar meshën me besimtarët pasdite e për të bërë një bisedë në aeroport me presidentin francez Emmanuel Macron.

Duke folur në Palais des Congrès et d'Exposition të Ajaccio-s, në përfundim të Kongresit mbi Përshpirtërinë Popullore në Mesdhe, Ati i Shenjtë theksoi se "fuqia ungjillëzuese aktive" e kësaj shprehjeje të fesë në shoqëritë tona të laicizuara nuk duhet të nënvlerësohet, si edhe bëri thirrje për dialog konstruktiv ndërmjet kulturave të krishtera dhe atyre të shekullarizuara.

Kongresi në Ajaccio
Kongresi në Ajaccio

Dialogu ndërmjet kulturave të krishtera dhe atyre të shekullarizuara

Në fillim të fjalës së tij, Papa Françesku kujtoi se Mesdheu, "djepi i shumë qytetërimeve të zhvilluara", ka shërbyer historikisht si udhëkryq për kulturat, idetë dhe kornizat ligjore e institucionale, që vazhdojnë të ndikojnë botën moderne. Ai është edhe vendi ku dialogu i Zotit me njerëzimin arriti kulmin në mishërimin e Jezu Krishtit.

Papa Bergoglio vuri në dukje se feja e krishterë, për shekuj me radhë, i ka dhënë formë jetës së popujve dhe institucioneve të tyre politike, por sot, njerëzit po bëhen "gjithnjë e më shumë indiferentë" ndaj pranisë së Zotit dhe ndaj Fjalës së Tij, "veçanërisht në vendet evropiane".

Megjithatë, kjo nuk duhet të çojë në “konsiderata të nxituara dhe gjykime ideologjike që, edhe në ditët tona, do t’i vendosnin njëra kundër tjetrës kulturën e krishterë dhe kulturën laike”. Përkundrazi, vërejti Ati i Shenjtë: "Është e rëndësishme të pranohet një hapje e anasjelltë ndërmjet këtyre dy horizonteve", duke marrë parasysh faktin se jobesimtarët, ose ata që janë distancuar nga praktika fetare, "nuk janë të huaj në kërkimin e së vërtetës, drejtësisë dhe solidaritetit”.

“Edhe nëse nuk i përkasin asnjë feje, ata mbajnë në zemrat e tyre një etje të madhe, një kërkim për kuptim, që i shtyn të mendojnë për misterin e jetës dhe të kërkojnë vlerat qendrore për të mirën e përbashkët”, pohoi Papa.

Fuqia ungjillëzuese e përshpirtërisë popullore, që formon bashkësi

Në këtë kontekst, Françesku vazhdoi: “Duhet ta vlerësojmë bukurinë dhe rëndësinë e përshpirtërisë popullore”, e cila i lejon njerëzit – qofshin thellësisht të devotshëm a në periferi të fesë – të lidhen me rrënjët e tyre shpirtërore.

Duke e shprehur fenë përmes gjesteve të thjeshta dhe me një gjuhë simbolike të rrënjosur në kulturën e popullit, argumentoi Ati i Shenjtë, “përshpirtëria popullore zbulon praninë e Zotit në ‘mishin e gjallë’ të historisë, forcon marrëdhëniet me Kishën dhe shpesh bëhet rast për takime, shkëmbime kulturore dhe festë”.

“Përshpirtëria popullore na bën të aftë të shohim se feja, pasi merret, mishërohet në një kulturë dhe transmetohet vazhdimisht, prandaj, për rrjedhojë, kjo përshpirtëri është një fuqi ungjillëzuese aktive, të cilën nuk duhet ta nënvlerësojmë: nëse do ta bënim këtë, do të dështonim në njohjen e veprës së Shpirtit Shenjt”.

Nevoja për shoshitje baritore

Papa Françesku tërhoqi vëmendjen ndaj rrezikut për ta reduktuar përshpirtërinë popullore, thjesht, në rituale të jashtme, ose folklorike, pa impenjim më të thellë shpirtëror, madje, duke kaluar edhe në bestytni. Bëri thirrje për vigjilencë "nëpërmjet shoshitjes së kujdesshme teologjike dhe baritore".

Ndikimi pozitiv i përshpirtërisë popullore në shoqëri

Papa Françesku nxorri në pah ndikimin pozitiv të përshpirtërisë popullore në shoqërinë në tërësi, duke nxitur një fe “të vërtetë”, që “nuk reduktohet në çështje private", por përkushtohet për të promovuar "zhvillimin njerëzor, përparimin shoqëror dhe kujdesin për krijimin". Përshpirtëria popullore, argumentoi ai, forcon strukturën e përbashkët të shoqërisë dhe ushqen "qytetarinë konstruktive", duke bërë të mundur bashkëpunimin me institucionet laike, civile dhe politike, "në shërbim të çdo njeriu, duke filluar nga të varfërit, për një zhvillim të gjithanshëm njerëzor dhe për kujdesin ndaj ambientit”.

Të nxitet një "laicitet i shëndetshëm"

Ky bashkëpunim konstruktiv e me respekt ndërmjet autoriteteve civile dhe kishtare "për të mirën e të gjithë bashkësisë", theksoi Ati i Shenjtë, është një shembull i asaj, që i ndjeri Papë Benedikti XVI e pati quajtur "laicitet i shëndoshë", i cili parandalon politizimin e fesë, ndërkohë që siguron mishërimin e vlerave etike e shpirtërore në politikë.

Përkushtim i ri në favor të Ungjillit dhe së mirës së përbashkët

Në përfundim, Papa Françesku e inkurajoi bashkësinë katolike të Korsikës të vazhdojë t’i kultivojë traditat e saj fetare, që kanë rrënjë të thella, por edhe dialogun ekzistues ndërmjet Kishës dhe institucioneve civile dhe politike.

Gjithashtu, Ati i Shenjtë u bëri thirrje korsikanëve të rinj "të përfshihen edhe më aktivisht në jetën shoqërore, kulturore dhe politike, të frymëzuar nga ideale të qëndrueshme dhe nga pasioni për të mirën e përbashkët"; u tha barinjve të Kishës dhe krerëve politikë të qëndrojnë "afër popullit", duke treguar vëmendje për nevojat dhe aspiratat e tij.

Së fundi, Papa Françesku uroi që Kongresi mbi Përshpirtërinë Popullore të frymëzojë një impenjim të përtërirë ndaj Ungjillit dhe së mirës së përbashkët të të gjithëve

15 dhjetor 2024, 12:14