Papa në Meshë: Krishti është gëzim, në çdo kohë, pavarësisht nga mundimet
R.SH. – Vatikan
Ngjarja e fundit publike e udhëtimit njëditor të Papës Françesku në Korsikë: pasdite, Ati i Shenjtë kryesoi Meshën në Place d'Austerlitz të Ajaccio-s. Duke marrë shkas nga fjalët e Gjon Pagëzuesit, i cili shpalli ardhjen e Mesisë, Bergoglio i ftoi të pranishmit ta bëjnë të tyrin mesazhin e tij për ripërtëritje shpirtërore dhe për kthim në fe. Papa reflektoi mbi pyetjen, që njerëzit i bënë Gjon Pagëzuesit, “Çfarë duhet të bëjmë atëherë?”. Vuri në dukje se duhet të mendojmë për veprimet dhe qëndrimet tona në përgatitje për ardhjen e Zotit, siç na kërkon koha para Krishtlindjes, që po përjetojmë. Papa kujtoi se kjo pyetje nuk vinte nga ata, që shiheshin si të drejtë, nga farisenjtë dhe studiuesit e ligjit, por nga ata, që shpesh konsideroheshin si jashtë bashkësisë, nga tagrambledhësit dhe ushtarët. Këta njerëz, shpirtmunduar nga e kaluara e tyre plot pandershmëri dhe dhunë, kërkuan të ndryshonin, ishin gati për kthesë.
Mesazhi i Ungjillit, u tha Papa Françesku besimtarëve, bën pikërisht këtë: nxit vetëdijen e më të pambrojturve, përfshirë të varfërit dhe të përjashtuarit, të cilët tërhiqen drejt Krishtit për t'u shpëtuar dhe jo për t’u dënuar. Ati i Shenjtë vërejti se në botën e sotme, ashtu si në të kaluarën, thirrja për kthesë u drejtohet të gjithëve, pavarësisht nga dështimet e së kaluarës. Të gjithë duhet t’ia bëjmë vetes pyetjen "Çfarë duhet të bëjmë atëherë?", sidomos në këtë Kohë të Ardhjes, kërkoi Françesku, duke nënvizuar se ajo na nxit të përgatitemi me zemër të përvuajtur për ardhjen e Krishtit.
Dyshim apo pritje e gëzueshme
Papa nxorri në pah dy mënyra shumë të ndryshme për të pritur Mesinë. E para, me dyshim, dhe e dyta, me gëzim. Duke folur së pari për dyshimin, të cilin e përshkroi me rrënjët në ankthin, mosbesimin dhe në shqetësimet e kësaj bote, Ati i Shenjtë theksoi se ai na pengon ta përjetojmë gëzimin. Sa më shumë të përqendrohemi te vetja, pohoi Bergoglio, aq më shumë e humbasim nga sytë Provaninë e Hyjit. Ilaçi kundër këtij qëndrimi, sipas Papës, është feja dhe lutja.
Duke folur për aspektin jetër, pritjen e Mesisë me gëzim, Papa i inkurajoi besimtarët të mbajnë këtë qëndrim ndërsa presin ardhjen e Zotit. Gëzimi i krishterë, shpjegoi ai, "nuk është as i cekët dhe as kalimtar". Përkundrazi, është i rrënjosur në zemër dhe i ndërtuar mbi themele të forta. Françesku kujtoi fjalët e profetit Sofonia, i cili u bëri thirrje njerëzve të gëzoheshin, pasi Zoti ishte ndërmjet tyre e sillte fitore dhe shpëtim. “Ardhja e Zotit na sjell shpëtimin: kjo është arsyeja e gëzimit tonë”, nënvizoi Ati i Shenjtë. Ndiejmë gëzim, jo për të harruar vështirësitë e jetës, por për të gjetur forcë dhe paqe në praninë e Zotit.
Puna e bashkësisë lokale
Në përfundim të homelisë, Papa vlerësoi punën e bashkësisë lokale të Ajaccio-s, në veçanti atë të Vëllazërive kishtare, të cilat e pasurojnë jetën e Kishës me vepra bamirëse dhe me përkushtim. U bëri thirrje besimtarëve të vazhdojnë t'u shërbejnë nevojtarëve, duke mishëruar frymën e gëzueshme të Krishtit në veprat e tyre të mëshirës. Ndërsa vijon Koha e Ardhjes, Françesku u kërkoi të kultivojnë paqen dhe shpresën, veçanërisht për të rinjtë, që përgatiten për Pagëzimin dhe sakramentet. U kujtoi se gëzimi është "stili" i shpalljes së Kishës, për të sjellë dritën e Krishtit në një botë, që ka kaq shumë nevojë për të.
Në fjalët e shpeshta jashtë tekstit, Papa i ftoi besimtarët të kujdesen gjithmonë për të moshuarit, të cilët bartin urtinë njerëzore. E, duke komentuar numrin e fëmijëve të pranishëm në meshë, kërkoi kujdes të veçantë për të rinjtë, duke vënë në dukje se shumë të rinj vuajnë nga luftërat në mbarë botën, në veçanti, fëmijët e Ukrainës, të cilët, theksoi Papa, "kanë harruar si të buzëqeshin”.
Gëzimi i Krishtit, edhe mes mundimeve
Së fundi, Ati i Shenjtë foli për sfidat me të cilat përballet njerëzimi. “Ka shumë arsye për pikëllim dhe dëshpërim në botën e sotme”, pohoi ai, duke renditur “varfërinë ekstreme, luftërat, korrupsionin dhe dhunën”. Megjithatë, vazhdoi, fjala e Zotit na inkurajon gjithmonë. Pavarësisht nga vuajtjet, "Kisha shpall një shpresë të palëkundur, që nuk zhgënjen", sepse Zoti është afër dhe në praninë e tij gjejmë forcën të punojmë për paqen dhe drejtësinë. Gëzimi në Krishtin, përfundoi Papa, mbetet burimi i gëzimit tonë “në çdo kohë dhe në çdo mundim”.