Papa në Sheshin e Spanjës për Zojën e Papërlyer: në Jubile, mos i harroni kantieret e shpirtit

Në lutjen e Atit të Shenjtë drejtuar Zojës së Papërlyer, gjatë homazhit tradicional në qendër të Romës, psherëtimat e lotët e të vegjëlve dhe të të varfërve, por edhe shpresa për njerëzimin e sprovuar nga krizat e luftërat. Papa përmend kantieret, që kanë mbushur Romën, në prag të Jubileut, i cili fillon pikërisht për Krishtlindje, duke kërkuar “të mos harrohen kantieret e shpirtit”

R.SH. – Vatikan

 Siç është bërë tashmë traditë, në festën e Zojës së Papërlyer, Papa Françesku shkoi sot për të nderuar Zojën e Papërlyer në Sheshin e Spanjës, në Romë, ku ngrihet shtatorja e përuruar më 8 dhjetor 1857, falë punës së 220 zjarfikësve, të cilët janë gjithnjë të parët, që vendosin kurorën me lule në shesh. Kujtojmë se atëherë ishte i pranishëm Papa Piu IX.

Sot, Ati i Shenjtë Françesku shkoi fillimisht në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, për një homazh ndaj fugures së Zojës Salus Populi Romani, për të cilën ka devocion të veçantë e, pastaj, u zhvendos në sheshin e Spanjës për aktin e nderimit të së Papërlyerës, në orën 16.00.

 Në lutjen drejtuar asaj, psherëtimat e lotët e të vegjëlve dhe të të varfërve, por edhe shpresa për njerëzimin e sprovuar nga krizat e luftërat. Papa përmend kantieret, që kanë mbushur Romën, në prag të Jubileut, i cili fillon pikërisht për Krishtlindje, duke kërkuar “të mos harrohen kantieret e shpirtit”. Më pas, Papa nënvizoi se shën Maria është ajo, që sjell Zotin në tokë e, edhe sot e përgjithmonë, na çon veç drejt Tij.

Por ja lutja e plotë:

O Virgjër e Papërlyer,

o Nënë, Nënë e Papërlyer

sot është festa jote e ne shtrëngohemi rreth teje.

Lulet që të ofrojmë duan të shprehin

dashurinë dhe mirënjohjen tonë;

por ti sheh e vlerëson sidomos ato lule të fshehura

që janë lutjet, psherëtimat, edhe lotët,

veçanërisht lotët e të vegjëlve e të të varfërve.

Shikoji o Nënë, shikoji.

 

O Nëna jonë, Roma po përgatitet për një jubile të ri,

që do të jetë mesazh shprese për njerëzimin

e sprovuar nga krizat dhe luftërat.

Kjo është arsyeja pse ka kantiere ndërtimi kudo në qytet:

kjo - ti e di - shkakton mjaft shqetësime,

e megjithatë është shenjë se Roma ndihet e gjallë,

se Roma rinovohet, se Roma përpiqet të përshtatet me nevojat,

për të qenë më mikpritëse dhe më funksionale.

Por vështrimi yt prej Nëne shkon me tej.

E më duket se e dëgjoj zërin tënd

i cili me urti na thotë: “Bijtë e mi,

këto punime janë të mira, por kini kujdes:

mos i harroni kantieret e shpirtit!

Jubileu i vërtetë është brenda:

brenda, brenda zemrave tuaja – thua ti,

brenda marrëdhënieve familjare dhe shoqërore.

Është nga brenda që duhet punuar për të përgatitur

rrugën e Zotit që vjen".

E është mundësia e duhur

për të bërë një rrëfim të mirë

dhe për të kërkuar falje për të gjitha mëkatet.

Zoti fal gjithçka, Zoti fal gjithmonë, gjithmonë.

 

O Nënë e Papërlyer, të falënderojmë!

Kjo këshillë e jotja na bën mirë,

kemi kaq nevojë për të, sepse, pa dashur,

ka rrezik të kapemi krejtësisht

nga organizimi, nga gjërat që duhen bërë,

e atëherë, hiri i Vitit të Shenjtë,

që është kohë për rilindje shpirtërore,

kohë për falje dhe çlirim shoqëror,

ky hir jubilar mund të mos vijë ashtu si duhet

mund edhe të mbytet.

Por këtu kryetari i bashkisë i përgatit të gjitha gjërat që në këtë përkujtim, në këtë Vit të Shenjtë, të jenë të mira. Të lutemi për kryetarin e bashkisë që ka shumë punë.

Sigurisht, o Mari, ti ishe e pranishme në sinagogën e Nazaretit

atë ditë kur Jezusi për herë të parë

u predikoi njerëzve të vendit të vet.

Lexoi nga rrotulla e Isaisë profet:

“Shpirti i Zotit është mbi mua;

për këtë më shuguroi me vojim

e më dërgoi për t'u çuar lajmin e mirë të varfërve,

për t’u shpallur të burgosurve lirimin

dhe të verbërve për t’u dhënë shikimin;

për t’u dhënë lirinë të shtypurve,

për të shpallur vitin e hirit të Zotit” (Lk 4,18-19).

Pastaj u ul e tha: “Sot u plotësua

ky Shkrim që dëgjuat” (v. 21).

E ti o Nënë, ti ishe aty, mes njerëzve të mahnitur.

Ti ishe krenare për Të, për Birin tënd,

dhe në të njëjtën kohë parashihje dramën

e mbylljes dhe të zilisë, që sjell dhunë.

Ti kalove nëpër këtë dramë

e gjithmonë e kalon, me zemrën tënde të papërlyer

mbushur me dashurinë e Zemrës së Krishtit.

O Nënë, na liro nga zilia:

që të gjithë të jemi vëllezër, që ta duam njëri-tjetrin.

Asnjë zili. Zilia, ai ves i vërdhemë,

i shëmtuar, që ta rrënon shpirtin.

 

E, edhe sot, o Nënë, ti na përsërit:

“Dëgjoni Krishtin, dëgjojeni Atë!

Dëgjojeni, e bëni si ju thotë” (shih Gjn 2,5).

Faleminderit, o Nënë e Shenjtë! Faleminderit, sepse sërish,

në këtë kohë, të varfër në shpresë,

na dhuron Jezusin, Shpresën tonë!

Faleminderit o Nënë.

Papa shkon për të parë të Kryqëzuarin e Chagall
Papa shkon për të parë të Kryqëzuarin e Chagall

Papa shkon për të parë të Kryqëzuarin e Chagall

         Pas aktit të nderimit dhe lutjes drejtuar Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës, Papa Françesku shkoi në ekspozitën e Palazzo Cipolla në Via del Corso, ku u ndal për të parë të Kryqëzuarin e Bardhë, vepër e Marc Chagall-it veçanërisht e dashur për Atin e Shenjtë, siç njofton Salla e Shtypit e Vatikanit.

08 dhjetor 2024, 17:10