Papa: në Siri, një çast delikat i historisë, uroj zgjidhje politike
R. SH. - Vatikan
Stabilitet, unitet, paqe, siguri, miqësi, respekt ndërmjet feve të ndryshme! Këto janë dhuratat që Papa dëshiron për Sirinë, tokë gjithmonë "e dashur", që po jeton një "çast delikat në historinë e saj" pas rënies së regjimit të Bashar al Asadit në duart e rebelëve të Hayat Tahrir al Sham, të cilët tani po formojnë një qeveri kalimtare.
Stabilitet dhe unitet
Papa, në fund të audiencës së përgjithshme sot, 11 dhjetor, në Sallën Pali VI, kujton se po i ndjek këto ngjarje në vendin ku dje Muhamed al Bashir u emërua zyrtarisht kryeministër i qeverisë tranzitore të Sirisë. Në detyrë deri më 1 mars, emërimi i tij u njoftua të hënën si rezultat i një marrëveshjeje ndërmjet forcave që përmbysën regjimin e Asadit. Bashir u takua me anëtarë të ish-qeverisë.
Françesku, si mbarë bota, shpreson se uron që të vazhdojë rruga e "stabilitetit" dhe "e unitetit", pa dhunë dhe thyerje të mëtejshme si ato që kanë pllakosur këtë vend për më shumë se një dekadë.
Uroj të arrihet një zgjidhje politike e cila, pa konflikte apo përçarje të mëtejshme, nxit me përgjegjësi stabilitetin dhe unitetin e vendit.
Respekti ndërmjet feve
Mendimet e Papës janë, mbi të gjitha, për popullin sirian, të cilin ia beson ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, në mënyrë që - thekson - "të jetojnë në paqe e siguri në tokën e tyre të dashur". Ashtu si dje Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, edhe Papa bëri thirrje për pakicat fetare.
Uroj që fetë e ndryshme të ecin së bashku në miqësi dhe respekt të ndërsjellë, për të mirën e këtij kombi të dërmuar nga një mori vitesh lufte!
Rrugëdalje për Ukrainën
Si në çdo audiencë të së mërkurës, Papa Françesku i kujtoi edhe sot vendet e copëtuara nga lufta. Duke nisur nga Ukraina, ende nën sulmet ruse; ndër më të fundit, ai i një autokolone të IAEA (Shoqata Ndërkombëtare e Energjisë Atomike) dhe ai i mbrëmshmi në Zaporizhzhia, që deri tani ka shkaktuar 6 të vdekur dhe 22 të plagosur.
Mendoj gjithnjë për Ukrainën e martirizuar, që po vuan kaq shumë në këtë luftë! Të lutemi që të gjendet një rrugëdalje
U ktheftë paqja!
Pastaj Papa kujtoi Palestinën, Izraelin, Mianmarin dhe u lut përsëri për paqen në këto territore: "U ktheftë paqja, e paqja qoftë".
Lufta është gjithmonë disfatë, të lutemi për paqen!