Kërko

2024.12.11 Delegacioni i organizatës jofitimprurëse Resq People Saving People 2024.12.11 Delegacioni i organizatës jofitimprurëse Resq People Saving People

Papa - onlus ResQ: mirëpritja e emigrantëve përkon me Ungjillin

Françesku pret në audiencë anëtarët e OJQ-së italiane, të cilët merren me shpëtimin e atyre, që kalojnë Mesdheun dhe udhëtojnë në rrugën ballkanike. Një vepër për të cilën Papa shpreh mirënjohjen e tij. “Shumë jetë shfrytëzohen, refuzohen, abuzohen, shndërrohen në skllavëri”, denoncon ai, “e përballë pafundësisë dhe kompleksitetit të fenomenit migrator, autoritetet civile nuk janë gjithmonë në gjendje ta përballojnë atë plotësisht, sipas përgjegjësive të tyre”.

R.SH. / Vatikan

“Emigranti duhet të mirëpritet, të shoqërohet, të nxitet dhe të integrohet”. E kjo vepër është “në harmoni me Ungjillin”, i cili “na fton t’u bëjmë mirë të gjithëve e, veçanërisht, më të vegjëlve, më të varfërve, më të braktisurve, të sëmurëve, njerëzve në rrezik”. Papa Françesku ia përsëriti  në audiencë, këtë mëngjes, 11 dhjetor, anëtarëve të ResQ People Saving People, organizatë jofitimprurëse italiane, që kujdeset për shpëtimin dhe ndihmën e emigrantëve në kalim të Detit Mesdhe dhe atyre që shtegtojnë në rrugën ballkanike. “Meritë”, që Françesku e kujtoi në fillim të audiencës, e cila u hap me një batutë për orarin e takimit: “Një pyetje: a keni rënë nga shtrati, a?”.

Vepër e nevojshme

“Faleminderit”, tha Papa më pas, për veprimtaritë e ResQ, që ka për qëllim shpëtimin e jetëve njerëzore: “Jetët e njerëzve që ikin nga vendet ku tërbohen konflikte serioze, të cilat shpesh shkaktojnë kriza humanitare dhe  përfshijnë shkeljen e të drejtave themelore njerëzore".

“Shpëtimi i atyre që rrezikojnë të fundosen me varkat e mjerueshme, si dhe pritja e parë e atyre që mbërrijnë në Evropë në fund të udhëtimeve të gjata me rreziqe të të gjitha llojeve, është punë më e nevojshme se kurrë.”

Mos e kthe kokën në anën tjetër

“Përballë dramës së migrantëve të detyruar, që fatkeqësisht ndonjëherë shndërrohet në tragjedi, ju nuk qëndruat indiferentë, por pyetët veten: Unë, ne, çfarë mund të bëjmë?” - shtoi më pas Papa Françesku. "Ti mos shiko nga ana tjetër". Në bazë të kësaj sjelljeje është “besimi se çdo njeri është unik dhe se dinjiteti i tij është i pacenueshëm, pavarësisht nga kombësia, ngjyra e lëkurës, opinioni politik apo feja e tij”.

Fatkeqësisht, shpesh herë kjo nuk ndodh dhe shumë jetë shfrytëzohen, refuzohen, nëpërkëmben, katandisen në skllavëri. E përballë pafundësisë dhe kompleksitetit të fenomenit migrator, autoritetet civile nuk janë gjithnjë në gjendje ta trajtojnë atë plotësisht sipas përgjegjësive të tyre.

Të lehtësohen vuajtjet e emigrantëve

Mirardhshin, atëherë - nënvizoi Papa - “veprimet e atyre që nuk kufizohen në vëzhgimin e gjërave, duke kritikuar nga larg, por përfshihen, duke ofruar pak nga koha e tyre, zgjuarsia dhe burimet e tyre, për të lehtësuar vuajtjet e emigrantëve, për t’i shpëtuar, për t’i mirëpritur dhe integruar”.

11 dhjetor 2024, 13:04