Papa: përvjetori i Nikesë, ftesë për të gjitha Kishat që të ecin drejt unitetit
R. SH. - Vatikan
Kremtimi i 1700-vjetorit të Koncilit I Ekumenik të Kishës, atij në Nikesë, mbajtur në vitin 325 p. K., që - siç ka thënë edhe në raste të tjera - Papa do të dëshironte ta festonte me një udhëtim në Turqi vitin e ardhshëm, së bashku me Patrikun Bartolomeu, është “ftesë për të gjitha Kishat dhe të gjitha bashkësitë kishtare që të ecin në rrugën drejt unitetit të dukshëm”. Një ftesë "që të mos lodhemi duke kërkuar forma të përshtatshme për t'i ngjarë plotësisht lutjes së Jezusit: "Sepse të gjithë jemi një gjë e vetme" - theksoi Papa Françesku, duke pritur sot, 16 dhjetor, në audiencë, në Pallatin Apostolik, një delegacion nga Këshilli Botëror Metodist. Ndërmjet anëtarëve ishte edhe peshkopi Debra Wallace-Padgett dhe i Nderuari Reynaldo Ferreira Leão-Neto, president dhe sekretar i përgjithshëm i sapozgjedhur i shoqatës që bashkon rreth 80 Kisha nga e gjithë bota, me 80 milionë besimtarë.
Fjalët e Zīzioulas kushtuar unitetit
I ulur në shkritoren e Sallës së Bibliotekës, Papa Françesku u kujton miqve përvjetorin e rëndësishëm i cili, rastësisht, bie gjatë festimeve të Jubileut. Ky përvjetor “na kujton se shpallim të njëjtën fe dhe, prej këndej, kemi të njëjtën përgjegjësi për të ofruar shenja shprese, që e dëshmojnë praninë e Zotit në botë” - nënvizon Papa - i cili, si gjithmonë kur flet për unitet, kujton fjalët, ose më mirë, shakanë e Ioannis Zīzioulas, teologut ortodoks, metropolit i madh i Pergamit, i ndarë nga jeta në vitin 2023 e i cilësuar si "pionier i ekumenizmit": "Më kujtohet diçka që e thoshte i madhi Zīzioulas - i madhi - ai peshkopi ortodoks, i cili e dinte mirëfilli datën e bashkimit, dinte datën e unitetit: do të ishte një ditë pas Gjyqit të Mbram”- kujtoi Papa. “Por ndërkaq - shtoi - duhet të ecim së bashku, si vëllezër, të lutemi së bashku, të bëjmë mirë së bashku dhe të ecim përpara së bashku, në dialog”.
Dialog për t’u vazhduar
Një dialog që rifilloi gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit, falë punës së pastorëve dhe teologëve të Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun e Këshillit Botëror Metodist me Kishën Katolike. "Për një kohë të gjatë", katolikët dhe metodistët (të lindur brenda anglikanizmit e të frymëzuar nga mësimet e predikatarit John Wesley) ishin "të huaj për njëri-tjetrin, madje edhe të dyshimtë", kujton Françesku. “Sot, megjithatë, ne mund ta falënderojmë Zotin, sepse për gati gjashtëdhjetë vjet, përparuam së bashku në njohuri, mirëkuptim e, mbi të gjitha, në dashuri të ndërsjellë. Kjo na ndihmon të thellojmë bashkimin dhe bashkësinë ndërmjet nesh”.
Hapjauni zemrën njëri-tjetrit
Prandaj, "hapja" është mandati i Ipeshkvit të Romës, sepse ishte pikërisht "hapja ndaj njëri-tjetrit" ajo që "na afroi më shumë, duke na bërë të zbulojmë se paqtimi është detyrë e zemrës, detyrë e zemrës, më shumë sesa e mendjes”. Nga zemra "ne mësojmë të lidhemi mirë me njëri-tjetrin dhe t'i shërbejmë Mbretërisë së Zotit".
Puna e Komisionit Metodisto-Katolik
Në fund të audiencës, Papa Françesku falënderoi dhe inkurajoi punën e Komisionit Ndërkombëtar Metodisto-Katolik. Organizmi u takua për herë të parë në vitin 1967; takimi i fundit u mbajt nga 22 deri më 27 shtator 2024, në Korenë e Jugut, duke u përqendruar në temat e ekleziologjisë misionare, unitetit në larmi dhe përvojave lokale të misionit e të unitetit. Mbledhja e radhës plenare e Komisionit do të mbahet në San Salvador nga 19 deri më 25 tetor 2025. Komisioni synon të botojë një dokument përmbledhës mbi fenë e krishterë, të ndarë nga katolikët dhe metodistët në vitin 2025, për të kremtuar 1700-vjetorin e Besojmës së Nikesë.