Papa Françesku priti kryeministrin e Libanit, Najib Mikati Papa Françesku priti kryeministrin e Libanit, Najib Mikati

Papa pret në audiencë kryeministrin e Libanit

Najib Mikati u prit në audiencë në Pallatin Apostolik. Bisedë private 20-minutëshe, e ndjekur nga shkëmbimi i dhuratave: Papa i dha edhe Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes në gjuhën arabe, nënshkruar për këtë rast. Ndër temat në qendër të bisedimeve në Sekretarinë e Shtetit, gjendja shoqëroro-ekonomike e vendit, mungesa e zgjatur e zgjedhjes së presidentit, armëpushimi, shpresa për bashkëjetesë paqësore ndërmjet feve

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku priti sot në audiencë kryeministrin e Republikës së Libanit, Najib Mikati. Biseda private zgjati 20 minuta, në sallën e Bibliotekës së Pallatit Apostolik, duke përfunduar me shkëmbimin tradicional të dhuratave. Papa i dha kryeministrit skulpturën prej bronzi të titulluar “Dialogu ndërmjet brezave”, së bashku me vëllimet e dokumenteve papnore dhe Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2024 në gjuhën arabe, të cilën ai e nënshkroi për këtë rast. Mikati iu përgjigj me një vepër që përshkruan Lindjen e Krishtit, krijuar nga një prift i Universitetit Antonin.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit

Më pas, Mikati u takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. “Gjatë takimit të përzemërt”, thuhet në notën e Sallës së Shtypit të Vatikanit, “u nënvizua rëndësia e marrëdhënieve të mira diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Libanit, si edhe kontributi i Kishës Katolike e i të krishterëve për të mirën e vendit. Më tej, u trajtua gjendja shoqëroro-ekonomike e vendit të kedrave, mbi të cilën ndikon edhe mungesa e zgjatur e zgjedhjes së Presidentit të Republikës”.

“Duke shprehur kënaqësinë për armëpushimin e arritur në jug të vendit dhe duke shpresuar për konsolidimin e mëtejshëm të tij – vijon nota – u theksua shpresa që bashkëjetesa paqësore e feve të ndryshme të karakterizojë edhe më tej identitetin e Libanit dhe të jetë ndihmë e mbështetje për paqen në Lindjen e Mesme”.

13 dhjetor 2024, 13:42