Kërko

Papa Françesku me rininë Papa Françesku me rininë

Papa: problematike bota e punës, kanë rëndësi marrëdhëniet, jo rendimenti

"Së bashku me kujdesin për krijimin, është i nevojshëm kujdesi për cilësinë e jetës njerëzore, kërkimi i vëllazërimit njerëzor dhe i miqësisë shoqërore, sepse lidhjet tona janë më shumë se shifrat dhe rendimentet". Kështu Papa Françesku, në mesazhin që u dërgoi pjesëmarrësve në edicionin e tretë të "LaborDi': një kantier për të krijuar punë"

R.SH. - Vatikan

"Bota e punës është botë njerëzore, në të cilën të gjithë janë të lidhur me njëri-tjetrin. Fatkeqësisht, edhe kjo 'botë' është ndotur nga dinamika dhe qëndrime negative, që nganjëherë e bëjnë të pajetueshme". Kështu Papa Françesku, në mesazhin që u dërgoi pjesëmarrësve në edicionin e tretë të "LaborDi': një kantier për të krijuar punë", organizuar nga sindikata katolike ACLI e Romës, në Qendrën e Kongreseve “Auditorium della Tecnica”.

 "Së bashku me kujdesin për krijimin - nënvizon Papa - është i nevojshëm kujdesi për cilësinë e jetës njerëzore, kërkimi i vëllazërimit njerëzor dhe i miqësisë shoqërore, sepse lidhjet tona janë më shumë se shifrat dhe rendimentet".

Të jeni një revolucion i butë

E ndërsa i afroheni botës së punës, vijon Ati i Shenjtë, duke pasur parasysh kalimin e të rinjve, pjesëmarrës në takim, nga ambienti i shkollës në atë të punës, “ka rëndësi të jeni të patundur si në vetëdijen për veçantinë tuaj - e cila është e pavarur nga çdo sukses apo dështim – ashtu edhe në prirjen për të krijuar marrëdhënie të sinqerta me të tjerët. Atëherë, në shumë ambiente, do të jeni një revolucion i butë”, shpreson Françesku.

Zemra është vendi ku merren vendimet

"Vitin e kaluar - kujton Papa Bergoglio - ju sugjerova imazhin e kantierit. Afrimi i Jubileut, në fakt, kishte filluar ta kthente përmbys qytetin tonë të bukur. Këtë vit propozoj një imazh tjetër, i cili haset shpesh dhe kudo, madje, edhe në mesazhet që shkëmbeni gjatë gjithë kohës. E kam fjalën për zemrën, të cilën zakonisht e lidhim me dashurinë, me miqësinë, por që në realitet mund ta merrni me vete edhe në punë, ashtu siç rreh në ju gjatë shkollës apo universitetit. Sipas Biblës, zemra është vendi ku merren vendimet. Aty lindin aspiratat, aty përvijohen ëndrrat, aty ndihet rezistenca, aty hyn mefshtas përtacia. Ju e njihni zemrën tuaj: ruajeni! Nganjëherë, mund t’ju frikësojë e mund të bëni sikur nuk e ndieni, por ajo mbetet e jona, e padhunueshme. Mund të kthehemi gjithnjë tek ajo. E aty, nëse keni dhuntinë e fesë, e dini se Zoti ju pret me durim të pafund”.

17 dhjetor 2024, 12:08