Papa, punonjësve të Vatikanit: faleminderit për punën tuaj
R.SH. / Vatikan
Me gëzim Papa Françesku mirëpret punonjësit e Selisë së Shenjtë, të Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe të Vikariatit të Romës me familjet e tyre, për urimet e Krishtlindjes, në Sallën Pali VI. E u shpreh mirënjohjen për punën e kryer në dobi të qytetit të Vatikanit dhe të Kishës universale.
Ajo që bëni është sigurisht e shumtë. Duke kaluar nëpër rrugët dhe oborret e qytetit të Vatikanit, në korridoret dhe zyrat e Dikastereve të ndryshme dhe në vendet e ndryshme të shërbimit, e ndjen veten si të ishe në një koshere të madhe bletësh. E edhe tani ka nga ata që po punojnë për ta bërë të mundur këtë takim, e që nuk kanë mundur të vijnë, ndaj ne u themi faleminderit!
Dialog përballë vështirësive
Papa Françesku kërkon dialog e, përball problemeve, këshillon të bisedohet me eprorët, nëse ka vështirësi, në mënyrë që të gjinden zgjidhje.
Nëse ndokush ka ndonjë vështirësi të veçantë, ju lutem të flisni, t'ua tregoni përgjegjësve sepse ne duam t'i zgjidhim të gjitha vështirësitë dhe kjo bëhet me dialog, bëhet me dialog dhe jo me britma, e as duke heshtur. Të dialogohet, gjithnjë!
Në Nazaretet e fshehura të detyrave të ndryshme të punës
Në shtetin e vogël të Vatikanit, ne “ndërtojmë me të tjerët dhe për të tjerët diçka të mirë për të gjithë”- nënvizoi Françesku - duke kujtuar se edhe Jezusi, “Biri i Zotit”, e bëri një punë, u bë “përvujtërisht çirak marangozi në shkollën e Jozefit”, për dashurinë tonë:
Në Nazaret pak e kush, a pothuajse askush e dinte, por në dyqanin e marangozit, bashkë me shumë gjëra të tjera, mjeshtrit ndërtonin shpëtimin e botës !A ju ka shkuar ndonjë herë mendja se Shpëtimi u ndërtua nga zejtarët? E njëjta gjë, në kuptim të ngjashëm, vlen edhe për ju, që me punën tuaj të përditshme, në Nazaretet e fshehura të detyrave tuaja të veçanta, kontribuoni për ta çuar mbarë njerëzimin te Krishti dhe për ta përhapur Mbretërinë e tij në mbarë botën.
Familja, bashkësi në të cilën rritemi së bashku në dashuri
Papa, më pas, reflekton me punonjësit e tij mbi vlerën e familjes. Shpreh kënaqësinë, në atmosferën festive, me praninë e shumë fëmijëve. "Duaje familjen", nxit ai, e cila "e themeluar dhe e rrënjosur në martesë, është vendi ku lind jeta" e është edhe bashkësia e parë në të cilën "që nga fëmijëria takohemi me fenë - që "duhet transmetuar" – dhe me Fjalën e Zotit, me Sakramentet”. E është ajo “që na mëson të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të rritemi me dashuri, në të gjitha moshat”.
Ju inkurajoj, prandaj - prindër, fëmijë, gjyshër dhe nipër - gjyshërit kanë rëndësi të madhe - ju inkurajoj të qëndroni gjithmonë të bashkuar, pranë njëri-tjetrit e rreth Zotit: me respekt, dëgjim e kujdes reciprok.