Kërko

Papa Françesku me delegacionin e Misionit Ungjillor Baptist Rom në Itali Papa Françesku me delegacionin e Misionit Ungjillor Baptist Rom në Itali

Papa, romëve: jeni vëllezër e shokë udhe në fe

Françesku priti në audiencë përfaqësuesit e Misionit Ungjillor Baptist Rom në Itali. "Bashkëpunimi vëllazëror ndërmjet të krishterëve është në vetvete shenjë, dëshmi, mjet i parë i ungjillizimit në dobi të të gjithëve”, u nënvizoi atyre

R.SH. – Vatikan

"Ju mirëpres si bij të të njëjtit Atë dhe vëllezër në Krishtin, nga plagët e të cilit jemi shëlbuar; por edhe si shokë udhe në shtegtimin e fesë, të dashurisë e të shpresës”. Kështu i drejtohet Papa Françesku delegacionit të Misionit Ungjillor Baptist Rom në Itali, të cilin e priti sot paradite në audiencë në Vatikan, në fjalimin e përgatitur për këtë rast, që iu dorëzua të pranishmëve.

Asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Zotit

“Dëshiroj t’u dërgoj një përshëndetje vëllazërore të gjithë anëtarëve të popullit rom dhe atyre, të cilëve u shërbeni çdo ditë – vijon Papa. - Do të më pëlqente që duke marrë këtë përshëndetje, të rinovohet në secilin siguria e përbashkët se asgjë dhe askush nuk mund të na ndajë nga dashuria e Zotit”. “Kjo siguri na bëftë dëshmitarë të besueshëm përmes bamirësisë aktive, përmes disa përvojave të shkëmbimit të lutjes dhe të shërbimit – shton Françesku. – Shpirti Shenjt na frymëzoftë e na e përforcoftë guximin dhe gëzimin e shpalljes së përbashkët të Ungjillit të shpresës, veçanërisht për bashkësitë rome”.

Uniteti i veprimit na afron me unitetin e plotë të fesë

Sipas Papës, “bashkëpunimi vëllazëror ndërmjet të krishterëve është në vetvete shenjë, dëshmi, mjet i parë i ungjillizimit në dobi të të gjithëve. E, në mënyra të mistershme, uniteti i veprimit i frymëzuar nga Ungjilli na afron me unitetin e plotë të fesë, përmes njohjes dhe vlerësimit reciprok".

12 dhjetor 2024, 10:34